Vox

Letër nga kryeredaktorja: Kush dhe pse është Grazeta?

“Grazeta” është hapësira më e re mediale në Kosovë. “Grazeta” është projekt i organizatës joqeveritare “Social Lab”, organizatë e cila gjer më sot ka zhvilluar projekte në fushën e feminizmit dhe të drejtave të grave, të shëndetit mendor, si dhe të edukatës seksuale. Në kuadër të programit tonë për të drejtat e grave vjen edhe “Grazeta” si një ajrosje dhe freski e diskursit publik, duke synuar një qasje të re, të bazuar rreth nevojave të grave, rreth problemeve të grave, rreth të arriturave të grave dhe me gratë si zë i vetvetes dhe zë për vetveten. Gra+Gazeta=Grazeta.

Një ndër sfidat kryesore të shoqërisë kosovare është çështja e të drejtave të grave, problemet që i përcjellin gratë në hapësirën publike dhe private, si dhe mizogjinia e shprehur sa në trajta të hapura aq edhe në trajta të fshehura.

Gruaja kosovare akoma nuk e ka arritur barazinë e plotë në shtëpi. Gruaja kosovare akoma vuan nga dhuna fizike dhe psikologjike në familje. Gruaja kosovare akoma vuan nga shpërndarja e pabarabartë e pasurisë së trashëguar në familje. Gruaja kosovare akoma vuan nga diskriminimi në aplikime për vende pune. Gruaja kosovare akoma vuan nga pagesat e pabarabarta në punë. Gruaja kosovare akoma vuan nga mosbesimi për të pasur pozita udhëheqëse. Gruaja kosovare akoma vuan nga ngacmimet në rrugë. Gruaja kosovare akoma vuan nga rreziku i përdhunimeve. Gruaja kosovare akoma vuan nga mosrespektimi i pozitës së saj në vendimmarrje politike. Gruaja kosovare akoma vuan nga objektifikimi i trupit të saj.

Gruaja kosovare akoma vritet nga burri, vëllai e babai. Gruaja kosovare vuan edhe me sa e sa halle, probleme dhe vështirësi.

Njëkohësisht, gruaja kosovare çdo ditë e më shumë ka suksese në punë. Gruaja kosovare çdo ditë e më shumë po e sfidon me shumë sukses stigmën e pjesëmarrjes në politikë. Gruaja kosovare çdo ditë e më shumë ka arritshmëri të larta në akademi – brenda e jashtë vendit. Gruaja kosovare çdo ditë e më shumë po dëshmohet si sportiste e suksesshme. Gruaja kosovare çdo ditë e më shumë po arrin në majat e muzikës – dhe përgjithësisht kulturës – jo vetëm vendore por edhe botërore. Gruaja kosovare çdo ditë e më shumë po ia del për mrekulli të hap dhe menaxhojë biznese shumë të suksesshme. Gruaja kosovare çdo ditë e më shumë po ka sukses në të gjitha lëmitë e tjera të jetës.

Gruaja kosovare tejkalon me sukses sfidat dhe i arrin me sukses rezultatet. “Grazeta” synon që t’i nxjerr në projektorin e madh të hapësirës mediatike të dy anët e medaljes: sfidat, problemet, pabarazitë, por edhe sukseset, arritjet dhe rezultatet e gruas kosovare. “Grazeta” do të jetë zëri që klith për ndihmë, “Grazeta” do të jetë zëri që bërtet për drejtësi, “Grazeta” do të jetë zëri që i brohoret sukseseve, “Grazeta” do të jetë zëri që lavdëron arritjet.

“Grazeta” po nis si nevojë për të adresuar të drejtat e grave dhe për të nxjerrë në pah sukseset e tyre. Por, “Grazeta” nuk do të jetë media ekskluziviste. Grazeta do t’i përfshijë të gjithë – pa dallim gjinie, kombi, feje e bindjesh politike. Grazeta nuk do të përfshijë vetëm zërat destruktivë që përçojnë frymë seksiste, homofobike, transfobike dhe fashiste.

“Grazeta” do të funksionojë e ndarë në disa rubrika.

“Vox” do të jetë rubrika ku do të botohen opinionet që do të dërgohen në redaksinë tonë. Fjala “Vox” në latinisht do të thotë “zë” dhe kjo rubrikë do të jetë zëri i autoreve e autorëve që shkruajnë për sfidat e grave, teoritë feministe dhe zhvillimet moderne botërore që lidhen me gratë. (Opinionet mund t’i dërgoni në adresën: info@grazeta.com).

“Shtjellime”, rubrika tjetër, do të botojë storje më të gjata gazetareske që do të elaborojnë pabarazitë me të cilat përballen gratë – kryesisht në Kosovë – dhe çfarëdolloj sfide tjetër në të cilën hasin ato. Por, tek “Shtjellimet” po ashtu do të lexoni edhe storje gazetareske mbi suksesin e grave në sfera të ndryshme.

“Ajo” quhet rubrika e cila do të mbulojë profilet e grave të suksesshme dhe do ta sjellë rrëfimin e tyre jetësor për lexuesit.

“Krejt-kah-pak” është rubrika ku do të botohen copëza teorike, përballje doktrinare mes rrymave të ndryshme të feminizimit, shtjellime edukative, lajme të shkurtra mbi sukseset e grave kosovare, përmbledhje lajmesh mbi zhvillimet e fundit feministe në botë, kritikë për filma feministë, analizë këngësh feministe, rikujtim ngjarjesh të rëndësishme historike që lidhen me luftën e grave për barazi, etj.

Redaksia e Grazetës dhe unë, si kryeredaktore, falënderojmë paraprakisht të gjithë që na kanë ndihmuar dhe përkrahur në fazën parapërgatitore. Përmes këtij opinioni po e shpalli të lansuar gazetën feministe “Grazeta”, me shpresën që materialet që do t’i publikojmë në ditët, javët, muajt, vitet dhe dekadat në vazhdim të jenë burim frymëzimi për gratë kosovare.

Na shkoftë mbarë! Së bashku! Për gratë!

About the author

Eurisa Rukovci

Eurisa Rukovci

Eurisa Rukovci është themeluese dhe kryeredaktore e Grazetës. Ajo gjithashtu është drejtore ekzekutive e Social Lab. Eurisa është psikologe, merret me aktivizëm për të drejta të grave dhe ka shkruar për media të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Eurisa është autore e stripit feminist "Hyjnesha".

Add Comment

Click here to post a comment