Nuk është e pazakontë të shohësh artikuj se si vajza të reja kanë vendosur në ankand virgjërinë e tyre për shuma të mëdha parash; të dëgjosh se i kanë dhënë fund lidhjes romantike pasi vajza nuk ishte e virgjër apo edhe të jesh dëshmitar i diçkaje edhe më ekstreme, vrasjes së partneres me motivin e mungesës së virgjërisë. Duke mos mjaftuar vetëm këto, ekzistojnë testime me anë të të cilave pretendohet të vërtetohet se a është e virgjër një vajzë. Pretendohet, pasi shkalla e saktësisë për të konfirmuar një gjë të tillë është e ultë.
Jo vetëm kaq, por si zgjidhje për të dëshmuar diçka kaq personale është bërë edhe himenoplastika, e cila është procedurë kirurgjikale për të konstruktuar himenin. Të gjitha këto të bëjnë të kuptosh se virgjëria për shumë shoqëri konsiderohet tejet e vlefshme, vlefshmëria e së cilës mund të përcaktojë rrjedhën apo mosrrjedhën e jetës.
Si definohet diçka e tillë që mund të cënojë jetën e një vajze apo, në skenarin më të keq, t’ia marrë jetën? Një definim për virgjërinë nga Merriam Webster është ‘gjendja e të mospasurit asnjëherë marrëdhënie seksuale’. Kjo na çon në nevojën për të operacionalizuar konceptin e marrëdhënies seksuale. Sipas Oxford English Dictionary (2008), marrëdhënia seksuale konsiderohet ‘…futje e penisit në vagjinë’, shpjegim ky i mangët, pasi nuk arrin të shpjegojë format e tjera të marrëdhënieve seksuale.
Një mospërfshirje e tillë natyrisht se krijon hapësirë për konceptim jo të duhur, jo vetëm të marrëdhënieve seksuale, por edhe të virgjërisë. Ndoshta tingëllon jo aq e rëndësishme, por një keqkonceptim i tillë ka vendosur si bazë metrika jovalide për të përcaktuar nëse një vajzë është e virgjër. Njëra nga mënyrat më të zakonshme për të konkluduar se a është e virgjër një vajzë është nëse ajo do të gjakosë gjatë marrëdhënies së parë seksuale me partnerin. Metrikë pa ndonjë vlerë, pasi, sipas Rogers dhe Stark, himeni i vajzave/grave ka forma të ndryshme dhe rreth gjysma e tyre kanë një himen elastik, lloj ky i himenit i cili nuk gjakon gjatë marrëdhënies së parë seksuale.

Një mosnjohje e tillë e anatomisë së vajzave, ka çuar në pasoja të mëdha gjatë historisë, jo vetëm në botë, por edhe në Kosovë. Kanuni i Lekë Dukagjinit, në nenin 31 thotë: ‘Po s’u pru grueja si duhet te burri, kanuja i nep leje me i pre thekun a flokun e me lshue…’ (fq. 17). Pra nëse vajza kishte fatin e keq të kishte një himen elastik, jeta e saj martesore përfundonte që natën e parë të martesës. Fatkeqësisht, një lloj i mentalitetit të tillë ekziston ende në shoqërinë kosovare.
Në lidhje me këtë, është bërë analizimi i pyetjeve në “Nukjevet”, burim jo shkencor, mirëpo i mjaftueshëm për të pasqyruar realitetin e hidhur. Në këtë platformë këshillimi, shfaqet një shqetësim i theksueshëm për virgjërinë. Disa nga brengat kryesore janë: mosbesimi nga ana e partnerit se nuk është e virgjër pasi nuk ka gjakosur gjatë marrëdhënies së parë seksuale; përfshirja në aktivitete fizike që mund të kenë ‘prishur’ himenin; ose mos e kanë humbur virgjërinë pasi kanë kryer forma të ndryshme të marrëdhënieve seksuale që nuk përfshijnë futjen e penisit në vagjinë. Me keqardhje mund të thuhet se këto përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të të gjeturave nga shqyrtimit i literaturës.
Duke marrë në konsideratë të gjitha këto, e kam realizuar një mini-hulumtim për temë të diplomës për studimet bachelor. Metodologjia kualitative është realizuar përmes fokus-grupeve, duke mbajtur gjithsej tre grupe me nga gjashtë vajza. Kritere të përzgjedhjes kanë qenë mosha mbi 18 vjeçe dhe të qenit në një lidhje romantike. Analizimi i të dhënave të grumbulluara është bërë përmes programit të analizimit të të dhënave kualitative, Atlas.
Rezultatet kanë treguar se shumica e pjesëmarrësve e kanë definuar virgjërinë si të mospasurit asnjëherë marrëdhënie seksuale, mirëpo kur janë pyetur rreth asaj se si i konceptojnë marrëdhëniet seksuale të personave me orientim të njëjtë seksual, është shpalosur nga ana e tyre një lloj i konfuzionit rreth asaj se çka konsiderohet si marrëdhënie seksuale. Sa i përket, qëndrimeve të tyre në dallim prej moshatarëve, shumica kanë perceptuar se dallojnë nga të tyret, varësisht nga niveli i shkollimit. Ndër tjerash, edhe për vete kanë konsideruar se qëndrimet e tyre rreth virgjërisë kanë ndryshuar, gradualisht me fillimin e studimeve universitare. Shumica e tyre kanë deklaruar se nuk e mendojnë që virgjëria e përcakton moralin e një individi. Gjithashtu nuk kanë shfaqur ndonjë kundërshtim rreth përfshirjes në marrëdhënie seksuale para martesës apo fejesës.
Qëndrimi i përgjithshëm rreth përfshirjes në marrëdhënie seksuale, ka qenë se nëse individët konsumojnë një lidhje të shëndoshë, edhe marrëdhëniet seksuale janë të mirëseardhura. Gjatë mbajtjes së fokus-grupeve, janë theksuar edhe standardet e dyfishta, se si nuk konsiderohet si çështje për preokupim se a janë djemtë e virgjër. Në lidhje me këtë, i gjithë konstrukti social i virgjërisë konsiderohet si një lloj mjeti për të vënë kontroll mbi vajzat dhe gratë.
Sa i përket metodës kuantitative, është realizuar përmes një pyetësori të vetëkrijuar, pasi nuk është gjetur ndonjë shkallë standarde për matjen e qëndrimeve rreth virgjërisë. Pyetësori ka përmbajtur gjithsej 21 pyetje, të administruara përmes mënyrës virtuale. Mostra e përgjithshme ka qenë gjithsej 1507 respondentë, ku rreth 83% ishin vajza/gra, ndërsa 13% djem/burra.
Disa nga rezultatet interesante për t’u potencuar janë: 17.6% e respondentëve pajtoheshin plotësisht se fjalën virgjëri e asociojnë vetëm me vajza, ndërsa 10% pajtoheshin deri diku; sa i përket asaj se sa ndihen të lirë të diskutojnë me familjarët e tyre për virgjërinë, 25% kanë deklaruar fuqishëm se ndjejnë turp të diskutojnë diçka të tillë, ndërsa 19.4% kanë deklaruar se deri diku; në pyetjen se a e konsiderojnë të arsyeshëm kërkimin e testimit të virgjërisë nga partneri, 67.2% kishin deklaruar se nuk pajtohen aspak se është e arsyeshëm; një përqindje prej 37.1% ishin të konfuzuar rreth asaj se testi i virgjërisë kishte shkallë të lartë të saktësisë; ndërsa kur janë pyetur se a konsiderohen të virgjër personat e përfshirë në marrëdhënie homoseksuale, një përqindje prej 43.9%, ishin neutral, si dhe 62.6% kishin kundërshtuar fuqishëm se gjakosja ishte një indikator i virgjërisë.
Duke pasur parasysh se bilanci gjinor nuk ka qenë i pranishëm, si dhe karakteristikat e pjesëmarrësve sa i përket nivelit të shkollimit dhe besimit fetar, kanë qenë në një shkallë të lartë homogjene, të gjeturat nuk janë pasqyruese për pjesën më të madhe të shoqërisë kosovare. Mirëpo, fakti që ka pasur përgjigje nga një numër i konsiderueshëm njerëzish, tregon se të rinjtë janë kuriozë të dinë më shumë se çka realisht mendohet për virgjërinë.
Krahas kësaj, nga të dhënat mund të konkludohet se është e nevojshme për të informuar të rinjtë për mitet që ekzistojnë rreth virgjërisë, veçanërisht rreth saktësisë së testimit për virgjërinë. Ajo që është evidente është stigma që e shoqëron virgjërinë, e veçanërisht standardi i dyfishtë. Andaj, natyrisht se sfidimi i qëndrimeve që shtypin vazhdimisht vajzat dhe gratë është më se i nevojshëm.
Në rubrikën Vox reflektohet qëndrimi i autorëve dhe jo domosdoshmërisht qëndrimi i Grazetës.
Add Comment