Vox

Pse të jesh gazetare?

Liridonës nuk i pëlqen të shkruajë për kaosin politik, më shumë i intereson të shkruajë për grupet e margjinalizuara në shoqëri. Verona ka një përgjigje për gjithçka, pavarësisht pyetjes gazetareske apo jo. Afërditës i pëlqen t’i vë në pyetje temat që kundërshtohen nga shumica, ndërkaq Argnesa ka një zë të fuqishëm për të gjitha vajzat dhe gratë. Ëndronida refuzon me këmbëngulje të shkruajë për Nora Istrefin kur ka kryer tri vite studime për t’i kuptuar dinamikat sociale. Secila nga to përfaqëson diversitet mendimesh e pikëpamjesh. Këto vajza dhe shumica nga gjenerata e tyre, tashmë janë në tregun e punës në industrinë e medies, pak muaj pas diplomimit. Por, sipas trendeve lokale dhe globale, ato mund të mos jenë gazetare pas 10 vitesh, në jo më pak. Sipas po të njëjtave trende, diversiteti i tyre ka shumë gjasa të mos reflektohet në përmbajtjen e medieve.

Çdo 1 tetor, salla kryesore e departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, mbushet me studentë të rinj që nisin vitin e parë të studimeve në këtë departament. Pa ndonjë sforcim të madh mund të shohësh se 80 – 90% e tyre janë vajza. Ky trend e ka përcjellë departamentin, nëse jo nga themelimi, së paku që nga viti 2012, kur në gjeneratën time kishim një pakicë djemsh në mesin e mbi 100 vajzave.

Studiuesit e fushës kanë provuar që shumë gjatë ta kuptojnë se pse ndonëse numri i vajzave në studimet e gazetarise e tejkalon atë të djemve dhe fillimisht hyrja në treg tregon për një barazi mes të dyja palëve, prapë se prapë në nivelet e mesme dhe të larta të punëve seniore në redaksi, djemtë/burrat dominojnë në përqindje dhe vetëm 37% e krejt storieve në medie të ndryshme tradicionale nëpër botë raportohen nga gazetaret gra.

Gratë dhe vajzat përbëjnë një përqindje të rëndësishme të numrit të gazetarëve, megjithatë, ekziston një shpërpjestim i dukshëm në mes numrit të grave dhe vajzave në dhomat e lajmeve, përmbajtjes mediale të prodhuar nga to dhe numrit të tyre në pozita kyçe në këto medie. Por, kjo s’është dukuri e izoluar në Kosovë. Shpërpjestimi është global jo vetëm në këtë raport numrash, por edhe në sfidat që profesioni i gazetarisë i përmban për vajzat dhe gratë në vendin e punës, përceptimin publik të punës dhe trajtimin e tyre.

Mirëpo, ta bëjmë të qartë, kushtet në profesionin e gazetarisë në Kosovë janë të pakënaqshme për të dyja palët. Mungesa e kontratës, pagat e vogëla, orari i stërzgjatur dhe trendi i medieve në fokusimin në sensacionalizëm/klikueshmëri kundrejt cilësisë, ka sjellë ‘gazetarët fluturues’ që çdo tre muaj ndërrojnë redaksi. Pra, janë disa sfida me të cilat përballen të dyja palët, si vajzat si djemtë, por ka të tjera që specifikisht lidhen me gjininë.

Nënpërfaqësim i grave në medie

Global Media Monitoring Project, që nxjerrë raport global çdo pesë vjet mbi atë se ‘Kush e bën lajmin?’, e prezantoi raportin e saj të fundit para 5 viteve dhe rezultoi se lajmet paraqesin një pamje të një bote në të cilën gratë janë praktikisht të padukshme. Një krahasim i rezultateve nga katër raporte të GMMP në vitet 1995, 2000, 2005, 2010 dhe 2015 tregon se ndryshimi në dimensionet gjinore të mediave ka qenë i vogël dhe i ngadaltë gjatë periudhës 20-vjeçare.

Sipas raportit të vitit 2015 kur gratë dhe vajzat intervistohen për storie mediesh, vetëm 19% prej tyre intervistohen në rolin e ekspertes, 20% si zëdhënëse dhe mbi 35% si burim i përvojave të tyre personale.

Nga të gjitha ngjarjet që ndodhin në botë, 76% shpjegohen pa pasë ndonjë këndvështrim vajze apo gruaje në të. Ato përbëjnë vetëm 24% të personave që bëjnë pjesë në storiet mediale e që bota i dëgjon, lexon apo i këqyr në baza ditore, saktësisht si në vitin 2010. Në lajmet rreth politikës, vetëm 16% e storieve përfshijnë zërin e grave.

Sipas të dhënave të këtij raporti, pikëpamjet e grave rrallë dëgjohen në temat që dominojnë agjendën e lajmeve; edhe në histori që prekin gratë thellësisht, siç është dhuna me bazë gjinore, është zëri mashkullor që mbizotëron. Kur gratë arrijnë të bëhen lajm, ato kryesisht arrijnë aty ose si ‘yje’ ose ‘njerëz të zakonshëm’, jo si figura të autoritetit.

Si krijuese të lajmeve, gratë janë të nënpërfaqësuara në kategoritë profesionale. Vetëm 37% e storieve në gazeta, televizione dhe radio raportohen nga gratë. Kjo statistikë në përgjithësi nuk ka ndryshuar për 10 vjet. Ndërkaq, përveç në sektorin e shkencës dhe shëndetit, ku raporti mes raportuesve gra dhe burra është i ngjashëm, në çdo sektor tjetër raporti është në favor të burrave. Vetëm 31% e storieve mbi politikën dhe 39% e lajmeve ekonomike raportohen nga gratë, ndërkaq me pak përjashtime, globalisht gazetaret gra më së paku raportojnë nga sektori i politikës dhe i krimit.

Pozitat kyçe në medie nuk merren nga vajzat/gratë

Pozita e (krye) redaktor/es është pozitë kyçe në medie. Vendimet të cilat merren vazhdimisht, çka të raportohet e çka jo, si të kornizohet lajmi dhe cilat burime të përfshihen, e formësojnë informacionin që më pas formëson opinionin publik. Në këtë frymë, Instituti i Reuters për Studime të Gazetarisë kreu një hulumtim mbi gratë dhe lidershipin në medie duke theksuar se me përfaqësimin e medieve të tyre, (krye) redaktorët ndihmojnë në përfaqësimin e medieve më gjerë, dhe larmia (ose mungesa e tyre) është simbolikisht e rëndësishme dhe ka të ngjarë ta formësojë mënyrën se si mediat perceptohen nga pjesë të ndryshme të publikut.

 Sipas hulumtimit doli se nga 200 medie të marra si mostër nga 10 tregje në botë:[1]

  • Vetëm 23% e kryeredaktorëve janë gra, pavarësisht nga fakti që, mesatarisht, ato përbëjnë 40% të redaksisë.
  • Organizatat më të vjetra mediale kanë më shpesh kryeredaktorë burra, por kjo ndryshon në mediet online. Rreth 37% e medieve online kanë kryeredaktore gra, por vetëm 14% prej medieve offline ndjekin këtë model.
  • Kur krahasohet përqindja e grave që punojnë në gazetari me përqindjen e grave në pozitat kryesore editoriale, gjendet një korrelacion i fortë dhe pozitiv. Përkundër kësaj, në nëntë nga dhjetë tregje, ka shumë më tepër gra që punojnë si gazetare sesa ka gra në mesin e kryeredaktorëve.
  • Duke parë më gjerësisht pabarazinë gjinore në shoqëri dhe përqindjen e grave në pozitat kryesore editoriale, nuk gjindet ndonjë korrelacion domethënës. Vende si Gjermania dhe Koreja e Jugut që kanë rezultate të mira në Indeksin e Pabarazisë Gjinore të KB kanë shumë pak gra midis redaktorëve kryesorë.
  • Ekziston një ndryshim i dukshëm në numrin e njerëzve që marrin lajme nga media me një kryeredaktore grua. Përqindja e përdoruesve të lajmeve në internet në secilin treg që thonë se informohen nga një ose më shumë media kryesore me një grua si kryeredaktore shkon nga një lartësi prej 77% në Afrikën e Jugut në 0% në Japoni (ku asnjë prej mediave kryesore në mostër ka një grua si kryeredaktore).

Pse të jesh gazetare?

Erëmirës i pëlqen të shkruajë për sport dhe shpesh e shoh duke komentuar në postimet e kolegëve të saj djem mbi rezultatet e ndeshjeve të futbollit. Ajo tashmë ka filluar internshipin e saj të parë  në redaksinë e sportit të një televizioni. Deri tash, emisionet e sportit kanë përfshirë aty këtu ndonjë gazetare, por kritikat e opinionit publik përgjithësisht i janë drejtuar objektifikimit të vajzave prezente në studio, të cilat pak thonë dhe veç duken. Malbora është e përfshirë në monitorimin nacional të përmbajtjes së medieve, ndërkaq bashkë me to, Reita po i kontribuon mbulimit të storieve rreth grave në këtë platformë.

Të gjitha studentët që i hyjnë fushës së gazetarisë aktualizohen shpejt në vende të punës bile edhe para diplomimit, por sfida kryesore e tyre është të qëndrojnë në këtë profesion. Profesioni i gazetarisë për vajzat dhe gratë vjen bashkë me paragjykime dhe stereotipe gjinore; pritshmëritë për të qenë vajzë e bukur e pranueshme për teleshikuesit që jep lajmet apo motin, për t’i trajtuar çështjet e buta në vend të atyre më serioze, kërcënimet që sulmojnë integritetin profesional dhe personal, etj.

Pse të jesh gazetare? Sepse, botërisht, vetëm 24% e krejt interpretimeve të ngjarjeve që ndodhin çdo ditë nëpër botë përfshijnë një këndvështrim gruaje. Andaj, duhet ta shfrytëzosh këtë profesion për t’i dhënë hapësirë eksperteve gra për t’i dhënë interpretimet e tyre për zhvillimet relevante në shoqëri. Përmbajtja e medieve duhet të jetë aq diverse sa shoqëria, por injorimi i gjysmës së shoqërisë nuk e premton këtë.

Vetëm 37% e storieve në botë raportohen nga gazetaret, përderisa prirja e gazetareve për të zgjedhur burime grash në storiet e tyre është rreth 3% më e lartë në mediet tradicionale dhe rreth 10% më e lartë tek mediet online se sa gazetarët. Sipas GMMP-së, analiza statistikore tregon se ndryshimi gjinor në zgjedhjen e burimit është jashtëzakonisht domethënës, duke nënkuptuar që mund të bëhet progres drejt mbylljes së hendekut gjinor në burimet e lajmeve nëse hendeku gjinor mes gazetarëve ngushtohet si pjesë e një strategjie më të gjerë që bashkon konstelacionin e kushteve që mbështesin objektivat e barazisë. Ndërkohë, hapësira digjitale po i sfidon këto përqindje. Gratë raportojnë 5% më shumë storie online, 42% e storieve të botuara në internet raportohen nga to dhe siç u pa nga hulumtimi i Institutit të Reuters, numri i kryeredaktoreve gra në mediet online është gati trefish më i madh.

Dikush duhet të flasë për këto përqindje dhe t’i sfidojë shkaqet. Media ka fuqi të jashtëzakonshme për t’i formësuar opinionet, qëndrimet dhe besimet e njerëzve, andaj është pikënisja e duhur. Me krejt fokus te gazetaret gra, nuk nënkuptoj se pesha e ndryshimit të shifrave të qëndrueshme ndër vite u takon vetëm atyre. Po aq u takon edhe kolegëve të tyre gazetarë, (krye) redaktorë e drejtorë, pasi përpjekjet veç nga njëra palë veçse mund ta rritin hendekun ekzistues.

Në rubrikën Vox reflektohet qëndrimi i autorëve dhe jo domosdoshmërisht qëndrimi i Grazetës.


About the author

Gentiana Paçarizi

Gentiana Paçarizi

Gentiana Paçarizi është konsulente për edukimin mbi median dhe informacionin, asistente në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, menaxhere e agjencisë kreative ‘Taktika’ dhe menaxhere projekti e platformës ‘New Perspektiva’. Po ashtu, Gentiana shërbeu si kryeredaktore e revistës së parë në Kosovë rreth edukimit mbi median dhe informacionit, ‘INTRO’, e cila u përgatit nga studentët e departamentit.

Add Comment

Click here to post a comment