Krejt-kah-pak

Hap i madh për të drejtat e grave në Kosovë

Kuvendi i Kosovës unanimisht ka miratuar amandementin nr. 26 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës lidhur me Konventën e Stambollit.

Institucionet e Kosovës kishin inicuar procedurat ligjore të cilat mundësonin më pas ratifkimin e Konventës së Stambollit në prill të vitit të kaluar.

Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e njohur si Konventa e Stambollit, përcakton standarde gjithëpërfshirëse për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Ajo njeh detyrimin e shtetit për ta adresuar dhunën me bazë gjinore në të gjitha format e saj dhe për të marrë masa për të parandaluar dhunën ndaj grave, për të mbrojtur viktimat dhe për të ndjekur penalisht autorët e krimit.

Konventa e Stambollit krijon “një kornizë ligjore dhe qasje gjithëpërfshirëse për të luftuar dhunën ndaj grave” dhe është e përqendruar në parandalimin e dhunës në familje, mbrojtjen e viktimave dhe ndjekjen penale të shkelësve të ligjit.

Konventa gjithashtu thotë se dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut dhe formë e diskriminimit.

Konventa përshkruan se cilat vepra duhet të kriminalizohen nga vendet pjesëmarrëse. Veprat e tilla përfshijnë dhunën psikologjike, ngacmimin seksual, ndjekjen, dhunën fizike, dhunën seksuale (përfshirë përdhunimin), të gjitha veprimet jokonsensuale të natyrës seksuale me një person tjetër, martesën e detyruar, gjymtimin e organeve gjenitale të grave, abortin e detyruar dhe sterilizimin e detyruar, si dhe krimet që lidhen me ‘nderin’.

About the author

Grazeta

Grazeta

Add Comment

Click here to post a comment