Vox

Të drejtat e grave fillojnë me të drejtat e vajzave

Po të radhisnim momentet më kulmore të standardit të lumturisë të cilat i konsumojmë në filmat, serialet dhe librat që na rrëmbejnë me narracionet e thurura bukur, shkëlqimi i syve do i takonte lindjes së fëmiut që më shumë se fitimin e titullit “prind”, portretizon përplotësimin më kuptimplotë dhe të çmuar të individit. Por jashta kësaj kornize të lumturisë, rritja e fëmiut është një proces i gjatë dhe i mundimshëm për nga përgjegjësia, që mund të kuptohet drejt ose jo varësisht nga arsimimi i prindërve, prindërimi që ata do ta zhvillojnë dhe ndikimi i modelit të tij nga ajo çka kanë përjetuar gjatë fëmijërisë, gjendja ekonomike e familjes, kultura, vetëdijësimi dhe rrethanat shoqërore në përgjithësi.

Kjo duket të jetë sfida e rritjes së fëmijëve veçse kur bëhet fjalë për rritjen e vajzave, në një mënyrë apo tjetër terreni i sfidave ashpërsohet. Ilustrimin për këtë mund ta fillojmë nga çasti kur lajmi për gjininë e foshnjës që rezulton me vajzë, nuk del të jetë më i mirëprituri i mundshëm; kur rritja e vajzave të cilat kanë vetëm një vëlla në familje përcillet me zbatimin e rregullit të pashkruar në të cilin kujdesi ndaj vëllaut duhet të jetë i veçuar dhe pakrahasimisht më i madh se ndaj motrave; kur vajzat emërtohen me emrin e njëjtë të së ëmës apo me emrin “Shkurtë” meqë besohet se kështu do të lindë një djalë pas saj; kur vajzat edukohen që të mbajnë qëndrime të caktuara, të mos thonë këtë apo të bëjnë atë; kur habitati i lojës dhe dëfrimit bëhet loja me kukullat për vajzat, dhe me makinat e armët për djemtë; kur vajzat përkëdhelen nga gjyshërit me fjalët “djali” e “trimi im”; kur vajzat disiplinohen të bëjnë punët e shtëpisë e të kthehen me kohë kur dalin jashtë; kur vajzat duhet të përpiqen shumëfish më shumë për të dëshmuar aftësinë në një fushë historikisht të pushtuar nga gjinia tjetër; pra, ku të jesh vajzë në Kosovë nuk është e lehtë.

Ndërtimi i identiteteve të vajzave në një frymë të tillë të edukimit dhe modelimit të sjelljes, përpos që formëson vetëbesimin dhe projektimin e vetes në nivelin individual, prodhon dianamikë shoqërore që shkel të drejtat e vajzave sot dhe ato të grave nesër. Kjo meqë të drejtat e grave filojnë me të drejtat e vajzave, dhe një vajzë që rritet duke parë të ëmën çdo herë të pabuzëqeshur e me shenja mbi lëkurën e saj, frikësohet ta adresojë dhunën që përjeton nga bashkëshorti i saj nesër; një vajzë që rritet në ambientin e rëndësisë së martesës, braktisë shkollimin e saj për ta realizuar këtë “obligim” nesër; një vajzë që jeton në varfëri dhe dhunë ekonomike nga babai i cili është i vetmi që i lejohet të sigurojë ushqimin në shtëpi, nuk beson në punësimin e saj nesër.

Botërisht, vajzat janë grupi më i cënuar për faktin e të qenurit vajzë dhe në moshë të re. Kurse po të shtonim faktorët e tjerë si varfëria, përkatësia etnike apo aftësia e kufizuar në një ambient ku mbizotërojnë stereotipet gjinore dhe strukturat e pabarabarta të pushtetit, disavantazhi i të qenurit vajzë bëhet i frikshëm. Vajza të tilla ka me dhjetëra mijëra në Kosovë. Shumë prej sosh nuk kanë as idenë se kjo gjendje është e papranueshme, e shumë të tjera detyrohen të aktrojnë për të pranuar një realitet të tillë. Në anën tjetër, ndryshimet e promovuara kryesisht me natyrë sporadike janë të përqendruara në kryeqytet dhe në qytetet e mëdha duke krijuar një hendek të ofrimit të mundësive për shkak të pozicionit gjeografik.

E gjithë kjo nxjerr në pah rëndësinë e investimit të qëndrueshëm dhe serioz ndaj më shumë se 50 për qind të popullatës në Kosovë, e që fatkeqësisht nuk ndodhë. Institucionet vendimmarrëse bëjnë shumë në teori, e pak në praktikë për gratë. Në diskursin publik për gratë flitet vetëm kur publikohen lajmet e vrasjeve të tyre dhe dëgjohen vetëm në shënimet e ditëve ndërkombëtare të tyre. Barazia gjinore duhet të arrihet përtej fotografive e publikuara në mediat sociale; përfshirja e grave në vendimmarrje duhet të jetë përtej vendimeve rreth punëve të shtëpisë; edukimi i djemve duhet të jetë po aq i rëndësishëm sa i vajzave. Kjo sepse të drejtat e vajzave dhe grave janë të nevojshme për të gjithë, dhe për një funksionim të shëndetshëm të shoqërisë.

Në rubrikën Vox reflektohet qëndrimi i autorëve dhe jo domosdoshmërisht qëndrimi i Grazetës.

About the author

Trina Hoti

Trina Hoti

Trina Hoti është studente e vitit të dytë në Departamentin e Sociologjisë, Fakulteti Filozofik. Që në moshën 13 vjeçare ajo është angazhuar në avokimin për të drejtat e fëmijëve duke qenë kryesuese e Asamblesë Komunale të Fëmijëve - Prishtinë dhe më pas e grupit monitorues të të drejtave të fëmijëve Respect Our Rights, ndërsa aktualisht është fasilitatore e Grupit Referues të të Rinjve në programin e UNICEF-it në Kosovë. Në cilësinë e delegates së të rinjve kosovarë, Trina ka përfaqësuar Kosovën në dy ngjarje ndërkombëtare, siç është ajo e Javës Evropiane për Veprim për Vajza (viti 2018) dhe në samitin e Ballkanit Perëndimor “It takes two to tango: the Western Balkans between hope and reality” (viti 2019). Po ashtu, ajo ka takuar vendimmarrës të lartë kosovarë dhe jo vetëm, dhe ka udhëhequr disa herë seanca parlamentare në Kuvendin e Kosovës me rastin e ditëve ndërkombëtare të fëmijëve.

Add Comment

Click here to post a comment