Se çfarë është dhuna, të gjithë jemi “familjar” me termin. Pak fliten e shtjellohen llojet e dhunës, ndër to edhe dhuna ekonomike. Të gjitha sjelljet që i shkaktojnë dëm ekonomik një individi konsiderohet se është dhunë ekonomike. Dhuna në familje i prek të gjithë personat pa dallim. E sa i përket dhunës ekonomike, kjo e fundit mund të marrë forma te ndryshme, për shembull, dëmtimin e pronës, kufizimin në burimet financiare, arsimin ose tregun e punës, ose mosrespektimin e përgjegjësive ekonomike, siç është ushqimi.
Kjo dhunë mund të shkojë edhe më larg, ku grave, në shumicën e rasteve, nuk iu mundësohet liria ekonomike as në produktet higjenike e sanitare. Siç njihet edhe si “varfëria e periudhës mensturale”, kjo është mungesa e qasjes në produktet sanitare për shkak të kufizimeve financiare. Kjo mund të shkaktohet nga një gamë e gjerë ngjarjesh që ndikojnë negativisht në aftësinë e një vajze apo gruaje. Ne mund të mendojmë se me këtë përballen vetëm vendet e pazhvilluara ekonomikisht, por varfëria e periudhës mensturale paraqitet edhe në vendet e zhvilluara.
Globalisht, minimumi 500 milion gra përjetojnë varfëri në periudhën menstruale për çdo muaj. Ndër to, 355 milion vajza dhe gra vetëm në Indi, 12% nuk mund të përballojnë produkte të periudhës. Edhe pse gjme kaq shumë nevojë, e duke qenë se është edhe periudhë shumë normale, shtetet ende nuk janë të gatshme që të heqin të paktën taksën e vlerës së shtuar (TVSh) për produktet menstruale. Shkalla e taksës së vitit 2020 për produktet menstruale në Hungari shënoi 27%, pasuar nga Suedia me 25% dhe Meksika me 16%. Skocia u bë vendi i parë që luftoi legjislativisht këtë çështje duke i bërë produktet menstruale falas në objektet publike në të gjithë vendin. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse përpos pecetave higjenike e tamponave, vajzat dhe gratë përballen edhe me shpenzime të tjera gjatë periudhës së menstruacioneve, siç janë tabletat për tejkalimin e dhimbjes.
Në Kushtetutën e Kosovës, si akti më i lartë juridik, në nenin 7, paragrafi 2, thuhet: “Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve”.
Është akoma shumë shqetësuese për shoqerinë kosovare se si dhuna ekonomike vazhdon të jetë e shprehur shumë, sidomos të gratë dhe te fëmijët. Gjendja socio-ekonomike e vajzave dhe grave i bën ato tradicionalisht të “varura” nga anëtarët tjerë të familjes dhe për rrjedhojë edhe më të cënuara nga dhuna.
Fatkeqësisht, dhuna ekonomike e thellon varfërinë dhe i vështirëson arritjet personale, përfshirë këtu ato arsimore e profesionale dhe mundësitë e zhvillimit te grave. Kjo gjendje ka qenë edhe më e theksuar gjatë pandemisë COVID-19, duke qenë se vajzat dhe gratë, edhe pse të kyçura në tregun e punës, shpesh kanë rënë pre e informalitetit e po ashtu edhe e rrogave të pabarabarta me kolegët e tyre burra. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm 13% e grave në Kosovë janë të kyçura në punë, ndërsa 78% e grave nuk janë duke kërkuar punë.
Duke qenë se shtetet nuk janë të gatshme që t’i ofrojnë produktet higjenike falas, e nga ana tjetër vajzat dhe gratë po përballen me dhunë ekonomike, diskriminime e informalitet në shtëpi e punë, ato po detyrohen të qëndrojnë në shtëpi apo edhe të punojnë llojllojshmëri të punëve që të jenë në gjendje t’i përballojnë shpenzimet mujore nga menstruacionet, por edhe më tepër.
Në rubrikën Vox reflektohet qëndrimi i autorëve dhe jo domosdoshmërisht qëndrimi i Grazetës.
Add Comment