Shtjellime

Edhe këtë vit marshohet, s’festohet

Foto: Bleron Llugiqi/Klan Kosova

8 Marsi i këtij viti i gjeti aktivistët në shesh duke marshuar për barazi gjinore dhe duke rikujtuar sakrificat e grave për t’u çliruar nga shfrytëzimi dhe pabarazia, duke shënuar kështu Ditën Ndërkombëtare të Grave.

Marshi i këtij viti filloi nga ora 12:00 në qendër të Prishtinës, nga sheshi “Zahir Pajaziti” duke vazhduar drejt Memorialit “Heroinat” e deri tek objekti i Qeverisë së Kosovës.

Gjatë marshit një orësh në Prishtinë, dëgjoheshin thirrje: “Patriarkati Vret”, “Edhe sa thirrje të humbura”, “Drejtësi për Gratë e Vrara”, “Punë e barabartë për pagë të barabartë”, “Punë për mu çfarë pune du”, “Liri, Barazi, Solidaritet”. Përgjatë gjithë marshit, jehoi kënga “Behari i Lirisë”, e cila është një këngë e vjetër shqipe, me tekst të përshtatur nga Eli Krasniqi. Pos të tjerash, në këngë bëhet thirrje grave edhe për mobilizim dhe luftë kundër patriarkatit që vret.

Edhe këtë vit marshi u organizua nga aktiviste e aktivistë të kolektivit “Marshojmë S’festojmë”. Trina Binaku nga ky kolektiv tregoi për Grazetën se ideja e marshit të këtij viti ka ardhur si përgjigje ndaj kulturës së festimit të 8 marsit, “Ne mendojmë se duhet të shohim përtej festës në këtë ditë, e ta kthejmë në një ditë ku gratë revoltohen dhe kërkojnë drejtësi dhe barazi” tha ajo.

Kështu, edhe është formuar Kolektivi Marshojmë S’festojmë i cili, nga viti 2017, organizon marshe dhe aktivitete tjera për 8 mars.  Ndërsa, fokusi i këtij viti është çështja e femicidit. Shtypja e grave e cila është shumë e ashpër në vendin tonë, shpesh është dëshmuar të jetë fatale për gratë. Pavarësisht kësaj, shteti dhe shoqëria jonë sillen sikur vrasja e grave të jenë fatkeqësi të izoluara dhe vazhdojnë t’i normalizojnë ato, duke mos i dënuar. “Për ne është e rëndësishme që ta zhvendosim vëmendjen më shumë drejt shqetësimit tonë kryesor, dhuna dhe vrasja e grave, nuk janë ndodhi “periferike” të cilat duhet trajtuar si raste individuale, pasi që mbrapa tyre qëndron një sistem i tërë politik i cili e ushqen mendësinë patriarkale që lehtë i dhunon dhe i vret gratë”, shtoi më tutje Binaku.

Sipas saj është jashtëzakonisht shqetësues fakti që vetëm brenda një viti në Kosovë vriten 6 gra dhe shteti e shoqëria heshtin dhe i kalojnë këto ngjarje si “kronika të zeza”. Këtë vit vëmendja qëndron mbi shtypjen ekonomike, shoqërore e politike që gratë e përjetojnë, të cilët konsiderohen të jenë faktorët kyç që çojnë në vrasjen e tyre. Ky marsh pati për qëllim t’i përçojë këto mesazhe edhe tek institucionet gjegjëse dhe të kërkohet drejtësi për gratë, për të gjitha gratë që dhunohen nga sistemi në baza ditore.

Këtë vit protestës tradicionale që zhvillohet tash e disa vite në Prishtinë, i bashkohen edhe 14 komuna tjera.

Foto: Bleron Llugiqi/Klan Kosova

Çarçafët me mbishkrime si: “Patriarkati vret”, “Edhe sa jetë të humbura?”, “Vrasja e grave është politike”, u vendosën nëpër ndërtesa e institucione publike e private. Qytetarët e 14 komunave jo vetëm në qytetet e Kosovës por edhe nga diaspora ju bashkuan thirrjes duke vendosur çarçafë me mesazhet e këtij viti nëpër ballkonet e shtëpive të tyre.

Edhe pse këtë vit marshi u organizua në kohë pandemie, solidarizimi vazhdoi të qëndrojë i fortë, duke e bërë edhe punën organizative më të lehtë. “Pa dyshim, pandemia e ka transformuar mënyrën se si ne si kolektiv mblidhemi dhe diskutojmë dhe në qasjen tonë strategjike të 8 marsit. Sidoqoftë, në plan organizativ këto sfida janë tejkaluar,” tha Binaku për Grazetën. Sipas saj problemi kryesor i këtij marshi ka mbetur vetëm fakti se nuk kanë mundur të thërrasin shumë gra e burra për t’ju bashkuar në shesh.

Vigan Shala, një ndër marshuesit e këtij 8 marsi u shpreh se protesta është një ndër mënyrat më të mira që të dëgjohet zëri i grave. Ai tregon që është pjesë e kësaj lëvizje qe disa vite dhe do të vazhdojë të jetë, duke qenë se është e nevojshme gjithmonë të ngritët zëri ndaj padrejtësive që ju bëhen grave në çdo sferë të jetës. “Thirrjet e këtij viti janë të rëndësie mjaft të madhe, sepse femicidi konsideroj që është një problem goxha serioz në vendin tonë, e ndaj të cilit duhet të bëhen aksione të tilla edhe më shpesh”, shtoi më tutje ai.

Ndërsa Diellza Imeri, 24 vjeçare, po ashtu pjesë e marshit u shpreh mjaft e emocionuar për temën e sivjetshme, dhe tregoi se është e lumtur që pavarësisht situatës pandemike, ka qenë përsëri e mundur të mobilizohen dhe të dalin në shesh për të shprehur pakënaqësitë të cilat janë të shumta. “Tema e marshit të sivjetmë është e një rëndësie të madhe, sepse humbja e jetës për vet faktin se je grua është diçka e pa paramendueshme.”

Mendësia patriarkale, që ende është ekzistente në shoqërinë tonë e edhe përtej, ka bërë që shoqëria jonë të reagoj në këtë mënyrë në Ditën Ndërkombëtare të Grave. Vullnet Mustafa, 27 vjeçar, pjesëmarrës i këtij marshi për të disatën herë me rradhë, shprehet që nga viti në vit po rritet numri i grave të vrara dhe ky akt është shumë shqetësues për të edhe në këto kohë. “Pandemia Covid-19 do të duhej të ishte një kohë ku të gjithë bashkohemi, kurse ne në mediat tona shohim shumë shpesh për raste të dhunës në familje, vrasjet e grave e shumë gjëra shqetësuese.”

Gjatë marshit të sotëm, ishte pjesë edhe një 67 vjeçar, i cili u shpreh që ai edhe pse del vetëm të marshoj, është i lumtur për faktin se numri i personave që marrin pjesë në marsh po rritet vit pas vit. “Shumë mirë, çdo vit e më mirë, zemra mal po më bëhet për të gjitha gratë”, vazhdoi ai.

Gjakova, ishte njëra ndër komunat që iu bashkua iniciativës Marshojmë S’festojmë, ku janë bashkuar së bashku me thirrjen “Vrasja e Grave është Politike”. “Kemi pas kënaqësinë që për herë të parë Gjakova me iu bashku fushatës Marshojmë S’festojmë. Element kryesor i kësaj dite në Gjakovë ka qenë çarçafi i madh i vendosur në qendër të qytetit me moton “Vrasja e Grave është Politike”. Nuk e kemi luksin me qenë neutral, është koha me reagu jo veç në 8 mars, po edhe çdo ditë tjetër të vitit”, tha Gentrina Nuka.

Për herë të parë këtij organizimi iu bashkua edhe komuna e Deçanit, me thirrjen “Patriarkati Vret”, e cila ngjalli shumë reagime nga qyetarët e kësaj komune. “Meqenëse vendosja e çarçafit është bërë në qendër të qytetit, pati reagime të ndryshme nga ana e qytetarëve të cilët shprehnin dhe përkrahjen për nismën tonë.”, tha Suada Qorraj.

Përveç në Prishtinë, marsh pati edhe në Pejë. Aktivistët u mblodhën nga Kinemaja e Qytetit, kështu nën thirrjet kryesore të marshit të sivjetëm, duke vazhduar deri në qendër të qytetit. Arlinda Kastrati, e cila u morr me organizimin e marshit në Pejë tregoi që ishin shumë të kënqur me organizimin atje.

Foto: Arlinda Kastrati

Përkundër kohës pandemike në të cilën gjendemi aktualisht, pjesëmarrja e qytetarëve ishte mjaft e madhe, ku është përçuar mesazhi për solidaritet dhe unitet, pavarësisht situatave në të cilat mund të ndodhemi. Pra, edhe ky 8 mars u manifestua me revoltë dhe vendosmëri për të vazhduar luftën për barazi gjinore e drejtësi shoqërore.

About the author

Artiola Babuni

Artiola Babuni

Artiola Babuni ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës, në Departamentin e Shkencës Politike. Ajo po i vazhdon studimet edhe në departamentin “Menaxhment dhe Marketing” në Kolegjin Riinvest. Aktualisht, Artiola punon në KosovaLive si menaxhere e projekteve dhe është bashkudhëheqëse e GlobalGirl Media Kosova.

About the author

Edona Shala

Edona Shala

Edona Shala është studente në nivelin master në Universitetin e Prishtinës në departamentin e Sociologjisë. Ajo vazhdimisht avokon për të drejtat e njeriut dhe shkruan kryesisht për çështje gjinore. Aktualisht punon në Kosovalive si Asistente e Projekteve.

Add Comment

Click here to post a comment