Krejt-kah-pak

Dhunë ndaj vajzave dhe grave lezbike në Kosovë

Vajzat dhe gratë lezbike në Kosovë ende po torturohen në shtëpi nga familjarët e tyre – veçanërisht në fshatëra dhe zona rurale e të largëta.

Kështu thanë në një deklaratë në rrjete sociale organizata CEL. Për shkak të pandemisë, kjo organizatë vlerëson se dhuna është rritur ende më shumë.

Lexoni deklaratën e tyre më poshtë:

Vajzat dhe gratë lezbike në Kosovë ende po torturohen në shtëpi nga familjarët e tyre – veçanërisht në fshatëra dhe zona rurale e të largëta.

Dhunë e torturë e ushtruar për shkak të homofobisë. Një vajzë lezbike që vie nga një fshat i komunës së Gjilanit është rasti i fundit i dhunës në familje që është lajmëruar rishtazi në CEL. Kësaj vajze, së bashku me të dashurën e saj, i është ofruar strehim urgjent nga CEL Kosova pas intervenimit me Policinë e Kosovës për ta larguar nga shtëpia e saj, ku ishte e mbyllur dhe torturohej.
Momentalisht janë strehuar dy vajza lezbike dhe janë në pritje edhe dy persona të tjerë në nevojë për strehim urgjent.

Rastet e dhunës dhe torturës në familje për gratë lezbike, e po ashtu edhe për personat e tjerë të këtyre komuniteteve, kanë shënuar një rritje të konsiderueshme gjatë vitit të fundit për shkak të pandemisë.

Një situatë e tillë, e cila është mjaft shqetësuese e ndaj së cilës nuk ndërmerret mjaftueshëm, vë në pah nevojën e menjëhershme për një strehimore për personat LGBTI+.

Meqë siguria fizike dhe mendore janë të një rëndësie vitale, CEL Kosova inkurajon të gjithë personat LGBTI+ të cilët përjetojnë diskriminim, dhunë, torturë e gjuhë të urrejtjes që t’i raportojë këto raste në Polici të Kosovës dhe në organizatën CEL po ashtu.

Ne do të jemi përkrah secilit person për të ofruar ndihmë në raportim dhe siguri fizike e psikologjike.

Programi i strehimit urgjent e organizatë CEL mbështetet nga KCSF, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).