Krejt-kah-pak

Gruaja që u vra dje në Prishtinë kishte denoncuar burrin për dhunë para 12 ditëve


Më 3 mars të këtij viti, 12 ditë para se të privohej nga jeta, 44-vjeçarja S.S., e kishte paraqitur rastin në polici për dhunë në familje. Viktima ka pasur probleme me ish-burrin edhe në të kaluarën. Palët ishin të njohur për policinë për një denoncim të bërë për sulm dhe dhunë në familje edhe në vitin 2019.

Këto informacione i ka konfirmuar për Express, Zyra për Informim e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës.

“Bazuar në të dhënat zyrtare rezulton se personat në fjalë kanë qenë palë në dy raste. Njëri nga rastet sulm dhe dhunë në familje është raportuar në vitin 2019 në Gjilan, ndërsa rasti i dytë Dhunë në Familje është raportuar me 03.03.2021, në Graqanicë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Lidhur me rastin e dytë, policia thotë se në koordinim me prokurorin e shtetit janë ushtruar autorizimet ligjore.

“Ndërlidhur me rastin e dytë i njëjti është trajtuar nga ana e hetuesve policor të Graqanicës, dhe në koordinim me prokurorin e shtetit janë ushtruar autorizimet ligjore”, vijon përgjigja e policisë.

L.S., 44-vjeçar ka privuar nga jeta bashkëshorten S.S., po ashtu 44-vjeçare, më pas ka vrarë edhe veten. Vrasja dhe vetëvrasja ndodhi ditën e djeshme në lagjen “Emshir” të Prishtinës, ndërsa në afërsi të viktimave u gjetën një armë zjarri dhe gëzhoja plumbash.

Prokuroria Themelore e Prishtinës njoftoi dje se në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të grumbullimit të informatave dhe provave rreth këtij rasti.

Nuk është rasti i parë në Kosovë që një burrë denoncohet nga një grua dhe shpëton nga drejtësia, vetëm për ta vrarë gruan më pas. Për këtë fenomen është protestuar dhe vazhdon të protestohet nga aktivistë e qytetarë nën parullën “Edhe sa thirrje të humbura”. Kjo parullë së pari u përdor nga aksioni i grupit ‘Haveit’ për gratë që u vranë në Kosovë, e të cilat kërkuan ndihmë në institucione para se të vriteshin.