Vox

Sistemet tona shëndetësore sfiduese për shëndetin mendor të nënave të reja

Vetëdijesimi i njerëzve për problemet e shëndetit mendor, si depresioni gjatë dhe pas shtatzënisë, ankthi, stresi post-traumatik, çrregullimet e të ushqyerit apo ato psikotike të lidhura me periudhën e shtatzënisë dhe lindjes, po ndikon që të vihet gjithmonë e më shumë në pah natyra biopsikosociale e lindjes. Lindja nuk njihet më vetëm si proces sfidues biologjik, por edhe test psikologjik.

Shtete të ndryshme kanë përshtatur sistemet e tyre shëndetësore në mënyrë që të ofrojnë mbështetjen e duhur psikologjike për nënat e ardhshme, si gjatë shtatzënisë, ashtu edhe në procesin e lindjes. Kjo bëhet si me programet që ofrojnë për shtatzënat, ashtu edhe me anë të informacionit të nevojshëm që ofrojnë profesionistët në repartet gjinekologjike-obstetrike, këshillimit të pacientëve, mirëpritjes së tyre për të vizituar repartet dhe dhomat e lindjes me qëllim të njohjes dhe familjarizimit me ambientin në të cilin do të kryhet ky proces, e deri në angazhimin e psikologëve të veçantë klinikë për këto reparte, të cilët do të punojnë si me stafin e repartit ashtu edhe me pacientët.

Përderisa në njërën anë janë sistemet shëndetësore – të cilat sa i përket trajtimit të pacientëve dhe ofrimit të mbështetjes psikologjike janë shumë afër ideales – në anën tjetër është sistemi ynë shëndetësor që në shumë raste nuk ofron as kontroll cilësor profesional për gratë shtatzëna – duke i detyruar ato që të drejtohen në ordinanca private, ku personat e njëjtë ofrojnë cilësi më të mirë shërbimi – e as ushqime të përshtatshme që jo vetëm nuk kanë vlerat ushqyese që u duhen grave shtatzëna apo nënave të reja, por shpesh kanë edhe shije jo të mirë. Pra, gratë duhet të porositin ushqim nga jashtë e nëse nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për këtë gjë, e cila me ekonominë tonë edhe mund të ndodhë, mbesin të uritura.

Mungesa e kujdesit psikologjik vërehet që nga kontakti i parë kur profesionistët u drejtohen pacienteve të tyre me epitetin “nuse”. Një shprehje e tillë është shumë e papërshtatshme në raporte të tilla, pos të tjerash, edhe për faktin se ua bën të ditur grave shtatzëna se shoqëria pret prej tyre të jenë të martuara, përkatësisht “nuse” të dikujt. Në fakt, familjet e sotme njohin edhe konceptin e nënave që zgjedhin të jenë beqare ose nënave të divorcuara e atyre të braktisura të cilat mund të kenë kalur vështirësi të ndryshme. Të përballen me pritshmëri të tilla në atë periudhë të ndjeshme të jetës së tyre, nuk është aspak e shëndetshme.

Gratë që kanë lindjet e tyre të para, që mund të mos kenë informacionin e duhur dhe mund të ndjehen ankthioze, nuk e kanë mundësinë e këshillimit as me një psikolog e as me profesionistë të tjerë të repatit. Ndërsa kontakti i parë që ato e kanë me ambientet e lindjes është në kohën e lindjes, ose edhe më keq në “parasallën” e lindjes pasi fillojnë dhimbjet dhe janë duke pritur që t’u vjen “koha e lindjes”. Aty, përderisa qëndrojnë të vetme pa dikë për t’u kujdesur për to, në një periudhë të ndjeshme si për shëndetin fizik ashtu edhe psikik, ato mund të dëgjojnë dhe të bërtiturat e grave të tjera të cilat janë duke lindur. Megjithëse e bërtitura gjatë lindjes është shumë normale dhe e pritshme, ta dëgjosh përderisa po pret të lindësh mund të ndikojë shumë negativisht, duke i bërë gratë që presin të lindin të ndjehen më të frikësuara, të papërgatitura e të pafuqishme për atë që po i pret.

Ndërkohë që procesi i lindjes pasi futesh në sallë të lindjes është shumë i ndjeshëm dhe kërkon përcjellje e kujdes tërë kohën, te ne ka shumë mundësi që shumicën e kohës në sallë të lindjes e kalon vetëm. Sidomos nëse duhet të lindësh në kohën e ndërrimit të stafit. Sepse, pacienti i shtrirë në shtaratin e ngushtë dhe të lartë (që sapo e sheh ta jep përshtypjen se do të rrëzohesh dhe do e humbasësh beben), me dhimbjet e tmerrshme të lindjes dhe frikën e ankthin për atë se çfarë mund të ndodh me të dhe beben, mund të ketë shumë rëndësi, por jo më shumë se sa kafet dhe çaji me koleget. Bebet në këtë sistem duhet të rrespektojnë rutinat e përditshme të çajit dhe kafes së stafit mjeksor, e të mos kërkojnë të vijnë në këtë botë në atë kohë.  

Edhe pse në secilin shtet inkurajohet që gruaja që po përjeton dhimbjet e lindjes të bërtas dhe të mos e mbaj brenda gjithë atë dhimbje e ngarkesë, tek ne kërkohet e kundërta, të mos bërtas, ani pse të gjithë e dijnë se dhimbjet e lindjes janë të padurueshme. Shpesh madje dëgjojmë dhe shprehje ofenduese ndaj grave të cilat vazhdojnë të bërtasin gjatë lindjes, shprehje të cilat prekin si vlerat e një gruaje ashtu edhe marrëdhënien martesore e seksuale të saj. Këto shprehje përveç që ndikojnë negativisht gjatë procesit të lindjes, duke i bërë gratë të ndjehen keq dhe të perceptojnë mbështetje të ulët, gjithashtu ndikojnë edhe në perceptimin e grave për atë proces, vetëvlerësimin dhe shëndetin mendor të tyre në përgjithësi.

Të mos mund të durosh gra që bërtasin nga dhimbjet është në rregull. Jo të gjithë njerëzit mund të durojnë. Por, ta zgjedhësh këtë profesion dhe të mos mund të durosh, përbën vërtet problem. Sikur të bëhesh pilot dhe të kesh frikë lartësitë. Nuk mund t’i kërkosh aeroplanit të ec në tokë. Thjesht zgjedhe një profesion tjetër.

Këto në përgjithësi janë rastet në të cilat pasqyrohet se si praktika të ndryshme të sistemit tonë shëndetësor rrezikojnë mirëqenien mendore të një gruaje. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk ka raste të profesionistëve që janë të kujdesshëm edhe për këtë pjesë (ndaj të cilëve shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë për punën e mrekullueshme që po bëjnë), si dhe raste të grave që nuk kanë përjetuar përvoja të tilla gjatë lindjes në spitalet tona, por fakti se ka gra të cilat flasin gjithandej për trajtim jo të mirë, na bënë të kuptojmë se është sferë të cilës duhet t’i japim më shumë vëmendje.

Po, shëndeti fizik në këtë periudhë është me rëndësi jetike, por sistemet tona shëndetësore duhet t’i ndjekin sistemet tjera në botë dhe me doemos t’i japin rëndësi edhe shëndetit mendor e sidomos gjatë periudhës së shtatzënisë, procesit të lindjes dhe fillimit të të bërit prindër.

Në rubrikën Vox reflektohet qëndrimi i autorëve dhe jo domosdoshmërisht qëndrimi i Grazetës.

About the author

Thëllëzë Kastrati

Thëllëzë Kastrati

Thëllëzë Kastrati është psikologe e diplomuar. Akutalisht është duke përfunduar studimet master në drejtimin Psikologji Shkollore dhe e Këshillimit.

Add Comment

Click here to post a comment