Shtjellime

Maji marshues

Nxënësit e shkollave të mesme, nga i gjithë vendi, kanë marshuar në qytetet e mëdha, duke bërë thirrje për ambiente e shkolla të sigurta për vajzat e gratë.

Ata u nxitën nga një valë e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale të njëpasnjëshme që ndodhën këtë muaj në Kosovë. Nxënësit kanë akuzuar institucionet publike të vendit dhe shoqërinë me mendësi patriarkale si përgjegjës që vajzat e gratë nuk po ndihen të lira në këto ambiente.

Marshimet e mbajtura gjatë tërë javëve të kaluara ishin njëkohësisht ndër organizimet më të mëdha në vend, me kërkesa për ndalimin e abuzimeve, ngacmimeve seksuale, të shoqëruar me kërkesën e përfshirjes së lëndës së Edukimit Seksual në kurrikulat shkollore dhe të psikologëve në shkolla.

Nga janari deri në prill të 2021 në Kosovë janë regjistruar 21 raste të sulmeve seksuale dhe 20 raste të ngacmimeve seksuale.

Trauma, Vrasja, Dhunimi kanë emër!

Nën brohoritjet “Traumë, jo lojë”, “Thuaji emrat e përdhunuesve dhe ngacmuesve seksual” dhe “Arsimtar, nëse e denoncoj dhunimin, mos ma e vrit prindin”, qindra nxënës të shkollave të mesme të Kosovës, gjatë javëve të kaluara, ngritën zërin në përkrahje të viktimave të abuzimeve seksuale.

Marshimi filloi së pari në Prishtinë, më 19 maj, i cili u organizua nga nxënësit e tri shkollave të mesme të Prishtinës – “Sami Frashëri”, “Xhevdet Doda” dhe “Ahmet Gashi” – dhe mori shkak nga një video e cila u shpërnda të shtunën e 15 majit ku tre djem të mitur abuzonin seksualisht me një vajzë po ashtu të mitur në hapësirën e një shkolle në Prishtinë, ngjarje kjo e cila kishte ndodhur më 24 prill. Drejtoresha e Arsimit e Komunës së Prishtinës, Shpresa Shala, në prononcimin për ngjarjen kishte përdorur termin “lojë fëmijësh”. E njëjta, pastaj, për kallxo.com, kishte sqaruar se nuk kishte krahasuar abuzimin seksual me “lojë”.

Në Kosovë, abuzimet dhe ngacmimet seksuale janë fenomene mjaft shqetësuese dhe shumë të pranishme në ambientet shkollore, por të cilat shpesh mbulohen dhe nuk bëhen publike për shumë shkaqe, një prej të cilëve është edhe riviktimizimi dhe fajësimi i vajzave apo grave.

Lëndina Balaj, gjimnaziste dhe njëra ndër organizatoret e marshimit në Prishtinë, tha për “Grazetën” se ambientet publike janë duke u  krijuar vajzave frikë dhe izolim.

“Ambientet shkollore e publike kohëve të fundit shfaqin një lloj frike e cila të burgos brenda ambienteve familjare. Është e tmerrshme se si nuk është e mundur te ndihesh e lirë në një vend siç është shkolla”, tha ajo.

Raportimi i ngacmimeve seksuale në shkolla mbet një ndër problemet më të shprehura e cila bënë që vajzat në përgjithësi të ndihen të kërcënuara dhe jo të lira brenda këtyre hapësirave. Këto ambiente shpeshherë shndërrohen në ambiente kërcënuese edhe nga ana e atyre që do të duhej t’i edukonin dhe t’i mbronin vajzat. Një rast i tillë ndodhi në Pejë, ku bërja publike e ngacmimit seksual çoi në vdekjen e babait të të mbijetuarës, i cili u vra nga abuzuesi që njëherësh ishte mësuesi.

“Ngacmuesit dhe dhunuesit e kanë vendin në burg, jo në shkollë”, “Arsimtari m’dhunon dhe m’len jetime”, “Edhe sa raste të fshehura”, ishin disa nga shkrimet e pankartave që mbuluan rrugët e Pejës të hënën e 24 majit.

Kreshnik Hoxhën e bënë dy qëllime pjesëmarrës në këtë marshim.

“Unë kam pasur 2 qëllime. Njëri ndër qëllimet është të ketë drejtësi në rastin konkret. Po ashtu, arsyeja tjetër është vetëdijesimi dhe sensibilizimi i gjithë shoqërisë për këto dukuri që duhet t’i luftojmë të gjithë së bashku”, tha ai, për “Grazetën”.

Brenda muajit, abuzim tjetër ndaj një vajze të mitur kishte ndodhur edhe në Mitrovicë, ku dy burra kishin dhunuar seksualisht një 14 vjeçare, gjatë 17 dhe 18 majit, në një shtëpi të braktisur.

Duke qenë se vajzat e gratë ndjehen të pasigurta në rrugë, në ambiente shkollore dhe në raportimin e ngacmimeve, shumë të rinj marshuan rrugëve të Mitrovicës veçse, kësaj radhe, marshuesit dhe aktivistët kishin edhe një kërkese tjetër. Ata kërkonin që emrat e dhunuesve të dënuar të bëheshin publik.

“Përmes këtij marshimi kemi kërkuar që në momentin që shqiptohet dënimi për përdhunuesit dhe ngacmuesit seksualë, emrat e tyre të tregohen publikisht nga gjykata apo policia. Është koha që shoqëria t’ia drejtojë gishtin përdhunuesve e ngacmuesve seksualë dhe jo viktimave”, tregon për “Grazetën” Gentiana Morina, njëra nga organizatoret e marshimit në Mitrovicë.

Për krijimin e “Regjistrit të abuzuesve seksualë në Kosovë” së fundmi “Grazeta” ka nisur një peticion drejtuar Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, si praktikë e cila do mund të ndihmonte në parandalimin e përsëritjes së rasteve, do të krijonte siguri për të mbijetuarat dhe do t’i inkurajonte denoncimet në kohë.

Marshimet në rajon

Marshime me motive të ngjashme u mbajtën edhe në vendet e rajonit, si në Shqipëri dhe në Shkup të Maqedonisë së Veriut, pas rritjes së numrit të ngacmimeve dhe abuzimeve seksuale të vajzave.

Rastet e ngacmimeve dhe abuzimeve sistematike seksuale që ndodhën në Kosovë e përtej u bënë shkak që aktivistet e lëvizjes BTS në Shkup të fillonin një marsh me të njëjtat kërkesa.

“Ngacmimet, abuzimet e dhunimet e shumta dhe të bujshme që po qarkullonin rreth e rrotull rrjeteve sociale, më konkretisht rasti i përdhunimit të së miturës në Kosovë, ishin shkak i ngjalljes së revoltës tek këta adoleshentë, të cilët brenda maksimum 12 orëve krijuan faqen e tyre, organizuan dhe realizuan protestë në qytetin e Shkupit, ku brenda një periudhe shumë të shkurtër arritën të mblidhnin një numër impresionues të protestuesve”, tregoi për “Grazetën” Edina Elezi, njëra nga organizatoret e marshit në Shkup.

Zakonisht, ngacmimet seksuale mbesin të patreguara në shoqërinë tonë nga frika e izolimit që i bëhet të mbijetuarve, izolim ky i cili shpesh fillon nga familja e rrethi i ngushtë.

Edina thotë se ky diskutim publik rreth ngacmimeve seksuale është problem shumë i madh në shoqërinë tonë për shkak të fajësimit të viktimës që kryqëzohet me paragjykimet e tilla si “ku të gjeten bash ty”.

“E vërteta është se ‘nuk më kanë gjetur bash mua, por unë jam ajo që mora guximin të flas’. Mosbesimi i njerëzve dhe mbrojtja e vazhdueshme ndaj gjinisë mashkullore ka bërë që gratë dhe vajzat, në vendin ku jetoj dhe jo vetëm, të heshtin dhe të mos raportojnë”, shpjegon ajo.

Në Shqipëri si shkak i marshimeve ishin rastet e shpeshta të ngacmimeve seksuale që janë duke ndodhur, kulmi i të cilave erdhi me rastin ku 5 burra abuzuan, shantazhuan dhe kërcënuan një vajzë 15 vjeçare në Mirditë. Kjo bëri që të organizoheshin marshime në Mirditë, Peshkopi, Tiranë, Durrës, Shkodër, Berat dhe Kavajë.

Aktivistja, Klaudina Kuçi, e platformës feministe “Shota” në Shqipëri, thotë për “Grazetën” se për t’i ndaluar ngacmimet seksuale ato fillimisht duhet të konsiderohet si krim.

“Rruga e duhur për ndalimin e ngacmimeve seksuale është shtrëngimi i masave dënuese, së pari duke korrigjuar terminologjinë ku ngacmimet seksuale dhe dhuna seksuale të konsiderohen si krim dhe jo të relativizohen si ‘veprime të turpshme apo të pahijshme’; së dyti, duke shtuar masën e dënimit nga Kodi Penal”, thotë ajo për “Grazetën”.

Klaudina po ashtu shtoi se përsëritja e këtyre veprimeve është pasojë e trajtimit jo të duhur nga instancat përkatëse: “Recidivizmi i veprimeve të tilla vjen si pasojë e denoncimeve nga vajzat dhe gratë që ndihen të kërcënuara duke mos u marrë seriozisht nga instancat përkatëse”.

Marshimet po ndodhin me qëllim për të vetëdijesuar dhe reflektuar nga instancat shtetërore e shoqërore për ndalimin e krimit, respektimin e të drejtave dhe dënimin efektiv ndaj personave gjegjës.

Ndonëse marshime të tilla po ndodhin gjithmonë, Edina Elezi është e mendimit se prapë institucionet nuk po bëjnë sa duhet.

“Organizime dhe marshime tëtw tilla gjithmonë kanë qenë të nevojshme për shkak se këto raste nuk kanë të ndalur dhe janë prezente në mënyrë irrituese. Për aq shumë raste që kemi dëgjuar deri tani, shumë është folur e marshuar dhe shumë pak është vepruar nga institucionet edukative dhe ato mbrojtëse”, tha ajo për “Grazetën”.

A ta raportoj, apo jo?

Lirinë, konventat e ndryshme ndërkombëtare e definojnë si e drejtë bazike për të vepruar, folur ose menduar pa pengesa dhe kufizime. Ligje e rregulla të shumta në Kosovë u garantojnë këto të drejta vajzave, por vetëm në letër. Në vendin tonë, vajzave dhe grave nuk u ofrohet as hapësira “e lirë” e denoncimit dhe raportimit të rasteve të dhunës, sulmeve e ngacmimeve seksuale.

Sipas një raporti të RRGK-së thuhet se 48.5% e kosovarëve kanë përjetuar ndonjë formë të ngacmimit seksual gjatë jetës së tyre. Gratë janë ato që, sipas raportit, përjetojnë më shumë ngacmim seksual se sa burrat. Rreth 32.5% e burrave, sipas këtij studimi, ishin përgjigjur se kanë përjetuar ngacmim seksual. Dyfish më shumë është numri i grave që ishin përgjigjur se kanë përjetuar ngacmim seksual – 64.1%.

Me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, i cili hyri në fuqi në prill të vitit 2019, ngacmimi seksual llogaritet vepër penale e dënueshme me gjobë ose burgim deri në pesë vjet.

Në vitin 2019, për veprën penale “dhunime dhe sulme seksuale” janë zgjidhur gjithsej 58 lëndë, nga to 12 me dënime me burg dhe tri me gjobë. Të tjerat me aktgjykim lirues dhe aktgjykim refuzues, thuhet në një përgjigje për radion “Evropa e Lirë” nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Këto të dhëna tregojnë se sa pak u kushtohet vëmendje e duhur ligjore trajtimit të këtyre rasteve.

Zakonisht, në mesin e shoqërisë kosovare, e sidomos tek vajzat e gratë, nuk ka besim tek autoritetet, andaj edhe nuk raportohen këto dukuri shqetësuese. Ndër vite në Kosovë është treguar një traditë e abuzimit dhe mostrajtimit të problemeve të tilla të dhunës. Për të forcuar këtë mosbesim, shoqëria kosovare ka pasur mjaft shembuj ku të mbijetuarit janë riabuzuar nga vetë akterët edukativ-mbrojtës.

Në shkurt të 2019, kur një vajzë e mitur nga Drenasi kishte marrë guximin që të raportonte abuzimin seksual nga mësuesi, ajo ishte riabuzuar nga tërë zinxhiri mbrojtës. Për të miturën, ishte shkaktuar edhe një vit abuzimi e shantazhimi nga polici, të cilit ajo ia kishte raportuar ngjarjen. I njëjti pastaj kishte detyruar të miturën që të abortonte fëmijën në një qendër ilegale gjinekologjike. E mitura gjithashtu ishte abuzuar edhe nga avokati i saj. Në këtë rast janë të përfshirë edhe tre persona të tjerë – dy mësimdhënës dhe një punëtor social.

Rasti i Drenasit ishte vetëm njëri nga shumë rastet që shpërfaqte dështimin zinxhiror të disa institucioneve kompetente në mbrojtjen e viktimës. Situata vazhdon të jetë e njëjtë edhe tash, kur vajzat nuk ndihen të lira të denoncojnë ngacmimet seksuale në institucionet përkatëse.

“Nxënësit e kanë shumë të vështirë t’i raportojnë ngacmimet seksuale për shkak disa rrethanave të ndryshme. Njëri nder faktorët është që për shkak të autoritet të profesorit, shantazheve të ndryshme, frikësimeve të viktimave në forma të ndryshme – me nota ose me diçka tjetër”, thotë për “Grazetën” Kreshnik Hoxha, pjesëmarrës në marshin e Pejës.

Raportimi i rasteve të ngacmimit seksual është rritur brenda këtij muaji, ku nga 15 maji deri më 22 maj në Policinë e Kosovës janë raportuar 10 raste të ndryshme të abuzimit, ngacmimit, sulmit dhe dhunimit seksual, ku përfshihen 18 gra e vajza. Kjo vjen si rezultat i mbështetjes shoqërore të cilën viktimat e morën nga marshimet sensibilizuese që u mbajtën javëve të fundit.

Çka tash?

Në shoqëritë patriarkale, viktima fajësohet se e provokon një ngacmim seksual përmes dukjes dhe veshjes së saj. Kjo vjen si shkak i roleve të ngurta tradicionale të cilat ia caktojnë vajzave se si duhet të sillen e si të vishen.

Më shumë se 74% e të anketuarve në raportin e RRGK-së pohuan se viktimat duhet të fajësohen kur ndodhë ngacmimi seksual në qoftë se është e veshur ose sillet në mënyrë “provokuese”. Këtë e kishte prononcuar edhe vetë ish prorektorja e Universitetit të Prishtinës, Teuta Pustina-Krasniqi, e cila në mars 2018 iu drejtua studenteve që të mos vishen në mënyrë “provokative”, si mënyrë për të evituar ngacmimet seksuale. Kjo deklaratë, në atë kohë, u përcoll me një varg aksionesh simbolike dhe protesta, gjë që rezultoi me shkarkimin e saj. Ndërsa, më 11 maj të këtij viti u miratua rregullorja për parandalim dhe mbrojtje ndaj ngacmimeve seksuale brenda UP-së.

Në marshimet e këtij muaji, ndër kërkesat kryesore nga vetë vajzat ishte edhe që të ndalet edhe objektifikimi i tyre. Për më tepër, kërkesat e tjera ndërlidhen me mënyrën e organizimit të vetë procesit mësimor. “Ne kemi parashtruar dy kërkesa: 1. futjen e lëndës së Edukatës Seksuale në shkolla dhe 2. Aktivizimin e psikologëve në shkolla”, tregon për “Grazetën” Lëndina Balaj.

Për fund, është me rëndësi të përbrendësohet fakti se motivet e ngacmimeve e abuzimeve seksuale gjithmonë duhet të kërkohen tek abuzuesit dhe asnjëherë tek të mbijetuarit. Deri sa të bëhet kjo, porosia e gjimnazistes Lëndina Balaj është “mos heshtni, [vetëm kështu] nuk do të ketë më raste të fshehura”.

About the author

Argnesë Haxhijaj

Argnesë Haxhijaj

Argnesë Haxhijaj ka përfunduar studimet e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Momentalisht është duke u marrë më shumë me fushën e PR si dhe është pjesë e projektit të Deutsche Welle–Balkan Booster.

About the author

Reita Demi

Reita Demi

Reita Demi ka përfunduar studimet për Gazetari në Universitetin e Prishtinës. Gjithashtu, ka studiuar për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Kolegjin AAB. Reita ka shkruar artikullin ”Fuqizimi i qytetarëve përmes medieve” në numrin e parë të revistës Intro, në kuadër të Departamentit të Gazetarisë në UP.

Add Comment

Click here to post a comment