Shtjellime

Seksi në Kosovë – “virgjëria”, porno-kultura dhe mungesa e edukimit seksual

Në Kosovë asnjëherë nuk është mësuar sa dhe si duhet për seksin dhe për seksualitetin e njeriut. Nxënësit kosovarë vazhdojnë të mësojnë për këto tema kryesisht në një kapitull të lëndës së biologjisë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit së fundmi ka shpërndarë doracakë ku nxënësit nga klasa e parë e deri në të 12-ën, mund të lexojnë më shumë për këto tema mirëpo nuk ka në plan afatshkurtër që kjo lëndë të futet në shkolla. Në anën tjetër sipas seksologut Hajrullah Fejza, kosovarët në përgjithësi janë shumë pak të informuar lidhur me seksualitetin dhe adoleshentët informacionet për seksin kryesisht i marrin përmes pornografisë. 

Kur fati i një çifti vendoset nga cipa e “virgjërisë”

Kur seksologu Hajrullah Fejza, propozoi që për temë të doktoratës të hulumtojë për ‘virgjërinë’ kolegët e tij në ShBA u habitën. Për ta ishte e çuditshme se si ende flitet për virgjërinë në shekullin XXI. Ata nuk e njihnin realitetin social në Kosovë dhe rëndësinë që dikur i është dhënë virgjërisë së grave, prandaj për Fejzën kjo ishte një temë që duhej hulumtuar. Hulumtimin shkencor ai e filloi duke i studiuar rastet e ekzaminimeve që janë bërë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë lidhur me përcaktimin e virgjërisë për vitet 2000 deri në 2010. Nga të gjitha ekzaminimet që ishin bërë gjatë atyre dhjetë viteve, shumica kishin një emërues të përbashkët – dyshimin e partnerit.  

“Partneri ka dyshuar që partnerja e tij apo gruaja nuk është e virgjër dhe menjëherë ka pësuar kërkesa që kjo gjë të vërtetohet nga mjeku, në mënyrë që të vendoset për fatin e tyre të mëtutjeshëm. E fakti që jeta e dikujt është vendosur në bazë të pranisë apo mos pranisë së cipës së virgjërisë për mua ka qenë e tmerrshme”.

Nga të gjeturat e tij u kuptua që shumica e grave që në atë kohë shkonin për t’u ekzaminuar për virgjërinë, vinin nga vendet rurale të Kosovës.

“Specifike është që shumica e këtyre vajzave kanë qenë nga fshati apo viset e thella malore, që nuk kanë pasur mundësi të gjejnë një partner por kryesisht janë miqësuar përmes një shkuesi”.

Ajo që e ka shqetësuar Fejzën gjatë hulumtimit ka qenë mungesa e informatave që të rinjtë e kanë për seksin. Ai shprehet që kryesisht ato gra që shkonin për t’u ekzaminuar për virgjërinë, në fakt ishin pa përvoja seksuale, mirëpo partnerët e tyre për shkak të mungesës së informacioneve nuk arrinin ta kuptonin këtë gjë. 

“Është vu në dukje padituria te partneri burrë, sepse ai në mendjen e vet e ka të ngulitur që domosdoshmërisht duhet të ketë gjak në çarçaf dhe pasi kjo nuk ka ndodhur ka konstatuar që ajo nuk është e virgjër. Fakti qëndron se ai as nuk ka tentuar të penetrojë në vaginë, por diku afër ka ejakuluar në zonën përreth vaginës dhe rrjedhimisht nuk ka pasur mundësi as të ketë gjak pasi nuk është ça cipa.”

Fejza, përveç doktoratës, është i licencuar si specialist i seksologjisë edhe nga Komiteti Evropian i Mjekësisë Seksuale si dhe Bordi Amerikan i Seksologjisë. Së fundmi ai e ka publikuar librin “Seksualiteti i Njeriut” .

“Rikthimi” i “virgjërisë” si metodë për t’u larguar nga Kosova 

Ekzaminimi i virgjërisë nuk lejohet me ligj që nga viti 2002, por sipas Fejzës, për shkak të kërkesave të mëdha Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë këtë shërbim mjekësor ka vazhduar ta bëjë deri në vitin 2010. Ekzaminimi i virgjërisë është ndaluar përfundimisht nga Ministria e Drejtësisë dhe IML-ja, pasi është konstatuar që kjo gjë paraqet shkelje të të drejtave të njeriut. Ekzaminimi i virgjërisë tani bëhet vetëm pas urdhrit të Prokurorit.

Tani njëmbëdhjetë vjet pas, seksologu nga punët me palë në Ordinancën Specialistike të Seksologjisë “Libido”, ka vënë re një tendencë tjetër sa i përket konceptit të virgjërisë. Sipas tij, burrat shqiptarë që jetojnë në diasporë pavarësisht që kanë përvoja seksuale, vazhdojnë të kenë dëshirë që të gjejnë një vajzë pa përvoja seksuale në vendlindje. Kjo ka bërë që të rritet numri i grave kosovare që kryejnë “rikthimin e virgjërisë”, apo të njohur ndryshe si himenoplastika. 

“Riparimi bëhet gjithandej nëpër klinika gjinekologjike dhe atij [burrit nga diaspora] në njëfarë mënyre i plotësohet egoja sepse ka marrë një grua që ka gjakosur në natën e parë dhe gruaja [nga Kosova] e gjen fatin me dikë që është jashtë. Nga kjo gjë përfitojnë të dytë nga pak”. 

Riparimi i himenit klasifikohet si ndërhyrje e kirurgjisë estetike dhe rrjedhimisht kryhet vetëm në klinikat private. 

Problemet më të shpeshta seksuale: Pornografia si burim i informatave dhe masturbimi i grave si temë tabu 

Fejza ka bërë kërkime dhe këshillime dhe ka identifikuar edhe disa prej problemeve kryesore seksuale me të cilat ballafaqohen burrat dhe gratë e të gjitha moshave në Kosovë.

Sipas tij, informatat që të rinjtë dhe moshat më të shtyra në përgjithësi kanë për seksin janë shumë të mangëta. Mungesa e një lënde për ‘Edukatën Seksuale’ në shkollat e Kosovës, ka bërë që, sipas Fejzës, të rinjtë kryesisht t’i marrin informatat përmes pornografisë gjë që shkakton shtrembërim të realitetit dhe dëshpërim pas marrëdhënies së parë seksuale. 

“Ata që i marrin informatat prej pornografisë, marrin informata shumë të gabuara dhe pritshmërinë e kanë shumë të madhe. Ata në pornografi janë aktorë që e xhirojnë filmin me disa shkëputje dhe nëse ti ke pritshmëri që të performosh si ata, do të zhgënjehesh sepse nuk mundesh”. 

Fejza thotë që tek ai shkojnë pacientë që nuk i dinë gjërat bazike për trupin e tyre. Në këtë mes ai bën një ndarje gjinore.

“Ende ka shumë nga vajza që nuk e dinë se cilat janë pjesët e vulvës, qysh funksionon vagina, çfarë është klitorisi e gjëra të tjera. E mos të flas për masturbimin pasi që për shumicën e vajzave është tabu dhe kur i pyes për këtë më thonë: jo unë nuk kam nevojë të masturboj”. 

Në seksologji problemet që kanë të bëjnë me seksin ndahen në ato biologjike dhe organike. Shumica e problemeve psikologjike trajtohen me terapi psiko-seksuale. Kryesisht, sipas Fejzës te burrat mbi 50 vjeç problem mbetet ereksioni kurse te gratë e kësaj moshe shfaqet ulja e dëshirës seksuale. Te djemtë e rinj problem kryesor është derdhja e parakohshme kurse te vajzat e reja vaginizmi, dhimbjet gjatë aktit seksual si dhe arritja e orgazmës. 

Si marrin edukatë seksuale fëmijët në Kosovë? 

Ardiana Jashari është arsimtare e biologjisë në shkollën fillore “Qamil Batalli” në Prishtinë. Kur Jashari filloi punë si arsimtare shtatë vjet më parë, e pranon që hezitonte të shpjegonte këtë kapitull. Por sipas saj, gjërat filluan të ndryshojnë pas vitit të dytë të punës kur edhe ky kapitull filloi të shpjegohej njëjtë si të gjithë kapitujt e tjerë.

“Unë mund ta bëj një dallim edhe nga ana ime, prej vitit të parë deri tash në të fundit. Nëse unë nuk jam e hapur për këtë temë, me siguri që edhe nxënësit nuk do të jenë. Nëse unë hezitoj, ata nuk do të kenë përgjigje. Në momentin që ata e shohin që unë jam e lirë ta shpjegoj mësimin edhe ata nuk hezitojnë të japin informacione”.

Sipas Jasharit, nxënësit kanë njohuri të përgjithshme rreth organeve riprodhuese por janë më pak të informuar për sëmundjet seksualisht të transmetueshme, ndonëse pikërisht këto tema u interesojnë më së shumti.

“Nxënësve iu interesojnë temat e ndryshme prej ndryshimeve hormonale, qysh manifestohen në trupat e tyre, kur fillon simpatia e çfarë ndodhë kur nuk kemi mjete mbrojtëse etj.”

Këto tema mund të ngjallin interes për nxënësit e arsimit të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë, por për to mund të mësojnë një herë në vit, në një kapitull të lëndës së biologjisë.

Zëvendësministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë, Edona Maloku-Bërdyna, ka thënë që ‘këto tema trajtohen kryesisht në lëndën e biologjisë, por jo ekskluzivisht vetëm aty’.

Sipas saj, MASHTI në kuadër të Kornizës Kurrikulare, e ka të përfshirë edhe kompetencën e individit të shëndoshë dhe të qytetarit të përgjegjshëm, brenda së cilës trajtohen edhe çështjet e edukatës seksuale dhe shëndetit riprodhues. Sipas saj, fushat kurrikulare ku nxënësit mund të marrin më shumë informata janë: Shkencat e Natyrës, Shoqëria dhe Mjedisi si dhe Edukata Fizike.

Maloku-Bërdyna tha që kjo temë vazhdon të jetë tabu, prandaj MAShTI përmes mekanizmave të vet po mundohet që të përcjellë informatat e nevojshme tek të rinjtë.

“Duke qenë se kultura kosovare është kulturë më tradicionale e patriarkale, ku rolet gjinore janë fikse, e seksualiteti vazhdon të jetë temë që më vështirë trajtohet e diskutohet, bën që edhe për të rinjtë temat mbi të, të jenë ende temë tabu”, u shpreh Maloku-Bërdyna. 

Sipas saj, MAShTI në bashkëpunim me Fondin për Popullsi të Kombeve të Bashkuara (UNFPA), së fundmi ka lansuar doracakët e edukimit seksual dhe shëndetit riprodhues për mësimdhënësit e të gjitha niveleve shkollore. Maloku-Bërdyna u shpreh që përmbajtja e këtyre doracakëve u jep mundësi mësimdhënësve që t’i trajtojnë këto tema në përputhje me standardet mbi Edukimin Seksual në Evropë, kështu duke iu përshtatur zhvillimit psiko-fizik të fëmijëve në bazë të moshës. Doracaku për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, trajton kryesisht temat e njohjes së trupit. Doracaku nga klasa gjashtë deri në të nëntën trajton temat për pubertetin, dashurinë dhe relacionet njerëzore kurse ai nga klasat e dhjeta deri në të 12-ta trajton temat e të qenit individ seksualisht i shëndoshë dhe i sigurt.

“Besojmë se ofrimi i doracakëve të Edukimit Seksual do ta lehtësojë përcjelljen e informacionit dhe do të promovojë komunikimin për zhvillimin dhe edukimin seksual tek fëmijët dhe të rinjtë”.

Por, seksologu Hajrullah Fejza është kundër kësaj mënyre të të mësuarit për seksin. Ai gjykon që informatat që të rinjtë marrin nga librat shkollorë janë tejet të mangëta dhe nuk janë gjithëpërfshirëse.

“Edukimi seksual modern nënkupton që nuk mësohet vetëm për organet gjenitale por mësohet për seksualitetin – që nënkupton ndjenjat, tërheqjen seksuale, aspektin social, emocional, intimitetin, format e performancës seksuale qofshin ato mono apo me partner”. 

Sipas Fejzës, edukimi seksual duhet të bëhet komfor standardeve dhe rekomandimeve të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nuk duhet të kufizohet vetëm në dhënien e informatave mbi anatominë.

Njësitë mësimore që lidhen me edukatën seksuale në librat e biologjisë

Nxënësit e shkollave të mesme të ulëta në Kosovë, nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, mësojnë disa gjëra bazike lidhur me seksualitetin në librin e biologjisë. 

Nxënësit e klasës së gjashtë të shkollave fillore në Kosovë, në kapitullin e tretë të librit të biologjisë, mësojnë për riprodhimin. Në njësinë mësimore “Riprodhimi te njeriu dhe edukata seksuale”, shpjegohet në vija të trasha për organet gjenitale.

“Në klasë, mësuesi i biologjisë flet p.sh. për organet gjenitale. Ka fjalë që përdoren e mund të shkaktojnë skuqjen e fytyrës tuaj. Ka disa gjëra që duhet sqaruar për ju në këtë moshë”, shkruhet në hyrje të kësaj njësie mësimore në lëndën e biologjisë për klasën e gjashtë. Teksti përcillet me dy fotografi të burrit dhe gruas ku tregohen dallimet fizike.

Pas kësaj hyrjeje të shkurtë për riprodhimin dhe edukatën seksuale, gjysmë-faqe i kushtohet temës së ‘Pubertetit dhe Pjekurisë Seksuale”. Në pak fjali shpjegohen ndryshimet që vajzat dhe djemtë i kanë kur arrijnë moshën e pubertetit. Edhe ky tekst përcillet me tre fotografi ku ilustrohen ndryshimet fizike që pëson njeriu nga viti i parë i lindjes e deri në pubertet.

Në këtë libër të klasës së gjashtë shkurtimisht flitet edhe për ‘Seksualitetin Njerëzor’ dhe orientimet seksuale. Me pak fjali shpjegohet që orientimi seksual nuk është i njëjtë tek të gjithë dhe që ka burra që tërhiqen seksualisht nga burrat, gra që tërhiqen seksualisht nga gratë dhe ka të tillë që tërhiqen seksualisht edhe nga burrat edhe nga gratë.

Në klasën e shtatë në librin e biologjisë nxënësit mësojnë sërish për ndryshimet gjatë pubertetit por një njësi mësimore iu dedikohet ‘të drejtave seksuale, ligjeve dhe rregulloreve’. Në pak rreshta shpjegohet që e drejta për të shprehur seksualitetin dhe për të qenë i lirë nga diskriminimi në bazë të orientimit seksual mbrohet nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut dhe nga Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike. Njësia tjetër e këtij kapitulli shpjegon sistemin e organeve të riprodhimit të njeriut. Një pjesë iu dedikohet sëmundjeve seksualisht transmetuese. Në njësinë e titulluar “Sëmundjet që barten përmes kontaktit seksual” me disa fjali shpjegohet për sëmundjet si gonorreja, klamidia, sifilizi e SIDA.

“Ai që dyshon se ka infeksione të tilla, obligohet sipas ligjit të konsultohet me mjekun dhe të marrë trajtimin e duhur mjekësor. Ju si nxënës, nëse dyshoni në infeksione të tilla, duhet të shkoni te mjeku i shkollës”, jepet kjo këshillë mes të tjerash në fillim të kësaj njësie mësimore.

Në klasën e tetë nxënësit e shkollave fillore në lëndën e biologjisë mësojnë më shumë për kafshët kurse informatat më të zgjeruara për marrëdhëniet seksuale i marrin në klasën e nëntë.

Sërish, në një kapitull të librit të biologjisë për klasën e nëntë, nxënësit kanë mundësi të mësojnë për sistemin e riprodhimit tek njeriu. Por, për nxënësit e vitit të fundit të shkollës fillore kjo njësi vjen më e zgjeruar. “Kontracepsioni dhe planifikimi i familjes” është një tekst tjetër njëfaqësh, ku shpjegohen mënyrat e mbrojtjes gjatë marrëdhënies seksuale. 

About the author

Donika Gashi

Donika Gashi

Donika Gashi ka përfunduar studimet baçelor për Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës. Në janar të vitit 2015 filloi punën si gazetare në Klan Kosova. Për më shumë se pesë vite në këtë television punoi përveç si gazetare edhe si producente dhe moderatore e emisionit 'NIN' dhe emisionit zgjedhor ‘Zona Zgjedhore’. Ajo ka qenë pjesë e disa fellowship-s për gazetarë në Kosovë. Nga janari deri në korrik 2021 ishte pjesë e 'Jiri Dienstbier Fellowship' në Radio Evropa e Lirë në Pragë. Tani është zyrtare për komunikim në organizatën joqeveritare Rrjeti i Edukatoreve Bashkëmoshatarë (PEN).

Add Comment

Click here to post a comment