Portrete të ashpra, kryelarta, veshur me pantallona. Në veri të Shqipërisë, shumë njerëz i kanë njohur nga afër burrneshat, mund të kenë patur apo ende të kenë një pjesëtare familje; një vajzë a një grua mund të ketë qenë vetë reflektimi i një portreti të ashpër të një burrneshe. Dokumentarë shqiptarë dhe të huaj janë përpjekur t’i sjellin burrneshat në fokus të kamerave, për të përshkruar identitetin e tyre social, jetën apo ndërveprimet me të tjerët, duke i parë burrneshat si një fenomen i veçantë.
Bazuar në ligjet e Kanunit të Lekë Dukagjinit, çdo familje duhet të ketë një burrë që e drejton atë; e nëse nuk ka, një gruaje të familjes i takon të bëhet burrneshë. Burrneshat quhen ndryshe virgjëresha të përbetuara, ngase betohen se kurrë nuk do të krijojnë marrdhënie me një burrë dhe as familje. Pra, zanafilla e fenomemit bazohet në ligje të pashkruara të një shoqërie patriarkale, ku privilegjet sociale dhe ekonomike i përkasin burrave dhe familja nuk mund të bëjë pa një rol të tillë.
Fizikisht është e thjeshtë të bëhesh burrë, ngase vetë termi burrë i referohet paraqitjes stereotipike të të qenit burrë. Kështu, një vajze, për t’u bërë burrneshë, si fillim i është dashur të ndryshojë paraqitjen: të vishej me pantallona, të vishej me këmisha a bluza, të kishte flokë të shkurtra. Kjo është pritshmëria sociale e të qenit burrë nga paraqitja fizike, e si e tillë sjell me vete edhe përshtatjen e reagimeve të të tjerëve: respekt ndaj fjalës e prezencës tashmë të fituar.
Nuk mund të gjykohet përfundimisht, nëse të qenit burrneshë është diçka e mirë apo e keqe; kjo i përket burrneshave ta shpjegojnë sipas përjetimit të tyre personal. Ama, nuk mund të mohohet se të kthyerit në burrneshë, sjell privilegje. Asnjë grua nuk mund t’i ketë privilegjet e burrneshave. Burrneshat e burrat janë ata që kanë privilegje sociale e politike, duke patur kështu pushtet në familje e shoqëri, por edhe respekt e konsideratë mbi mendimet e tyre. Pra, kanë pozita superiore.
Ama, burrneshave u duhet të sakrifikojnë për të mbajtur familjen e tyre, sepse bashkë me privilegjet vijnë edhe përgjegjësi të reja. Ato duhet të punojnë si edhe burrat (kurrsesi punë shtëpie), duhet të sigurojnë mbijetesën e familjes sikurse edhe burrat, duhet të jenë të fortë në sensin e të qenit të vendosur e të ashpër, të dhunshëm kur lypset nevoja (përfshirë rolet burrërore në situata gjakmarrje). Nëse këto nuk quhen sakrifica, meqenëse çdo burrë tjetër i duhet gjithashtu të përballet me të njëjtat vështirësi, mund të mos i marrim në konsideratë se ka plot të tjera.
Në rrugën e të qenit femër në aspekt biologjik, por të zgjedhurit burrninë si rol shoqëror, burrneshave u duhet të bëjnë disa sakrifica, të cilat burrat që në aspekt biologjik janë meshkuj nuk i bëjnë. Siç u cek nga fillimi, burrneshave nuk u lejohet të ndërtojnë familjen e tyre, e vetmja familje që kanë është ajo ku kanë lindur. Ato sakrifikojnë jetën e tyre seksuale, duke hequr dorë kështu nga intimiteti fizik dhe nga intimiteti i të pasurit një partner jete. Pra, as fëmijë e as trashëgimëtarë të gjeneve të tyre nuk mund të kenë. Në intervista të ndryshme, disa burrnesha shprehen se nuk ndjejnë se u mungon intimiteti me një burrë. Veçse, nuk është fort e qartë nëse ky është një mendim që paraqitet për të ruajtur rolin e fortë të një burrneshe, për të luajtur rolin e ftohtë dhe agresiv; apo është mendimi dhe ndjesia e tyre e vërtetë rreth kësaj çështjeje. Ky dyshim lind duke marrë parasysh se të thënit plotësisht çka mendohet përpara njerëzve të panjohur (intervistuesve), duke ditur që gjithashtu njerëz të panjohur do të dëgjojnë, i shtyn personat të japin një përgjigjje të pranuar shoqërisht. Në këtë rast, përgjigja e pranuar shoqërisht është t’i qëndrohet deri në fund përbetimit të virgjërisë.
Nëse Kanuni përdor termin burrneshë, në ngjashmëri, sot mund të përdorim termin transgjinore për të konceptuar fenomenin. Këto dy terma nuk munden kurrsesi që të barazohen midis tyre, por i bashkon ideja se në të dyja rastet, roli gjinor i zgjedhur ndryshon nga roli gjinor, që pritet të jetë në përshtatje me seksin e lindur. Është interesante se si, nëse një burrneshë dhe një transgjinor shfaqen si paraqitje burrërore, të qenit burrneshë është forcë dhe është zgjedhje e respektuar, ndërsa të qenit transgjinor është kryesisht e paragjykuar dhe e vështirë për t’u pranuar në një shoqëri patriarkale. Ndaj, mund të themi se e vetmja herë ku të qenit transgjinore shihet si forcë, është kur ky vendim merret nën ndikimin e Kanunit, dhe ndoshta vjen si forcë vetëm kur duhet të bësh sakrifica (përbetimin) për të marrë privilegje që një shoqëri patriarkale nuk t’i jep kur je thjesht grua.
Në vitet e fundit, numri i burrneshave është pakësuar. Ama, forca e tyre sjell një fakt të fuqishëm: të qenit femër të bën të jesh e fortë. Ekzistenca e burrneshave është një provë hedhur surratit atyre që thonë se të lindësh femër të pengon të kesh privilegje burrash të një shoqërie patriarkale. Hedhur surratit atyre që pretendojnë se të qenit femër do të thotë të jesh në rolin e shërbëtores, të nënshtruarës, kujdestares e shumë përcaktimeve të tjera stereotipike. Kështu, ka ardhur koha që Kanuni ta dijë, e gjithë shoqëria ta dijë, se gratë nuk kanë nevojë të quhen burrnesha, ngase grua është term po aq i fuqishëm sa burrë. Ndaj, po ndeshemi më pak me burrneshat e më shumë me gratë e forta. Kur të hasni një grua që ju kujton stereotipin e të qenit burrë në një shoqëri patriarkale, nuk është më e nevojshme ta quani burrneshë, se është grua me gjithë potencialin e një qenie njerëzore, qoftë burrë a grua.
Add Comment