Krejt-kah-pak Uncategorized

“Shliroj Cicat” kundër kancerit të gjirit

Nesër, duke filluar nga ora 12:00, në kuadër të tetorit si muaji i ndërgjegjësimit mbi kancerin e gjirit, do të mbahet organizimi ”Shliroj Cicat”.

Me po të njejtën moto, organizatorja e kësaj ngjarjeje, Ermira (Orange Girl) Murati, fton të gjitha gratë e vajzat pa dallim moshe, etnie apo race që të bashkangjiten dhe t’i ”Shlirojnë Cicat” nga ndikimi patriarkal dhe stereotipet shoqërore në trupin e tyre dhe të jenë të lira, përderisa u bëhet thirrje gjitha grave të testohen për kancerin e gjirit.

Ky aktivitet është duke u realizuar për herë të parë dhe është i pari i këtij lloji në Kosovë. Por, kështu si edicioni i parë, këtë aktivitet Ermira planifikon ta zgjeroj më shumë gjatë Tetorit të vitit të ardhshëm.

E kush është Ermira (Orange Girl) Murati?

Ermira (Orange Girl) Murati është një artiste vizuale që krijimtarinë e saj artistike e zhvillon përmes pikturës dhe muraleve e se fundmi edhe përmes aktivizimit direkt në shoqëri. Që nga mosha 13 vjeçare Ermira ka qenë pjesë e shumë ekspozitave kolektive duke ekspozuar artin e saj në galeri të ndryshme dhe duke e paraqitur atë edhe jashtë ambienteve të mbyllura të galerive – përmes muraleve nëpër hapësirat e jashtme të shume qyteteve në Kosovë.


Ermira identifikohet si artiste që në artin e saj përdor ngjyrën portokalli në shumicën e veprave e që synon që, përmes veprave të saj artistike, të sjellë ndryshime në shoqërinë Kosovare duke promovuar diverzitetin shoqëror në demokratizim dhe duke provokuar me heretizëm në tema tabu, siç ishte se fundmi piktura e projektit “K is S” që arriti të ketë sukses jashtëzakonisht te madh me nxitje të  reagimeve në shoqëri dhe nxitje të debatit shoqëror.

Pavarësisht moshës saj së re, artistja 21 vjeçare ka arritur ta ndërtojë prezencën e saj si artiste në Kosovë dhe të ketë impakt në shoqëri, poashtu duke planifikuar shumë më shumë vepra e projekte të tjera të së njëjtës frymë – te fuqishme, me ndikim dhe për shoqërinë.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të eventit:

Shliroj Cicat
A keni dëgju për mamografinë? Për vetëtestimin për kancerin e gjirit? A e dini se kanceri i gjirit është një nga kanceret më të përhapura në gjithë botën?
Edhe, a jeni lodh prej imponimeve patriarkale n’trupin tuaj? A doni me u shliru prej të qenit e paragjykuar për ‘cicat’ tuaja?

A e dini se:

Në vitin 2020, 2.3 milionë femra janë diagnostifikuar me kancer në gji dhe janë shënuar 685 mijë raste të vdekjes në gjithë botën. Në anën tjetër, në gjithë botën janë 7.8 milionë femra të diagnostifikuara me kancer në 5 vitet e fundit të cilat janë në jetë.

Kështu, kanceri i gjirit, është një nga kanceret më të përhapur në gjithë botën.

Kanceri gjirit mund të jetë vrasës por, jo nëse detektohet në faza të hershme. Rekomandohet që femrat mbi 40 vjeç të bëjnë mamografi (skanim me rreze X) së paku njëherë në vit. Kurse, secila femër, që prej kohës kur fillon ciklin menstrual, duhet të bëjë vetëtestimin çdo muaj pas përfundimit të cilkit.

“NO BRA DAY” apo “DITA PA SYTJENA” është një ditë që shënohet në gjithë botën si formë vetëdijësimi për testim për kancerin e gjirit. Këtë vit, në PRISHTINË po mblidhemi për ta shënuar këtë për herë të parë në Kosovë.

Me moton “SHLIROJ CICAT”, i ftojmë të gjitha gratë/femrat/vajzat pa dallim moshe, etnie apo race që të na bashkangjiten në shesh me datën 13 dhe t’i SHLIROJNË CICAT, të shlirohen nga ndikimi patriarkal dhe stereotipet shoqërore në trupin e tyre dhe të jenë të lira, përderisa u bëjmë thirrje gjitha femrave të testohen për kancerin e gjirit.

Andaj, shënojeni datën:

13 Tetor

Vendi: Sheshi Skenderbeu, Prishtinë,

Ora: 11:30 – 17:00

Në këtë aktivitet, gjitha pjesëmarrëset do t’i heqin sytjenat dhe t’i lënë për riciklim. Sytjenat e mbledhura do të riciklohen në tote bags dhe të shiten. Fondet e mbledhura do të shkojnë për gratë me kancer në gji.

Linku për event:

https://facebook.com/events/s/shliroj-cicat/361937592344669/