Krejt-kah-pak

Një javë para se të vritej, gruaja nga Llausha e kishte raportuar rastin në polici – burrin ia kishin liruar

Gruaja 48-vjeçare me inicialet L.Q., që u privua dje nga jeta në shtëpinë e burrit të saj në Llaushë të Skenderajt, sipas familjarëve kishte përjetuar dhunë të vazhdueshme nga S.Q., 51-vjeçar. Ekipi i Gazetës Express po qëndron në vendin e ngjarjes, aty ku një ditë me parë ndodhi vrasja dhe nga atje sjellë detaje të reja.

Sipas një familjari të dorasit, (i cili kërkoi të jetë anonim), viktima e kishte raportuar dhunën në polici një javë para se të privohej nga jeta. I njëjti deklaroi se atë ditë viktima bashkë me njërin nga djemtë e saj dhe bashkëshortin kishin qëndruar në stacion policor pesë orë rresht, por më pas i dyshuari ishte liruar.

Për pretendimet e familjarëve se edhe përkundër raportimit të dhunës në polici, burri ishte liruar, Express ka dërguar pyetje në polici dhe në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës dhe është në pritje të një përgjigjeje.

Kujtojmë që policia ka arrestuar të dyshuarin, burrin e viktimës, 51-vjeçar, i cili me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48-orë.
Nga i njëjti është sekuestruar një armë e llojit pistoletë me tre fishek, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gjashtë gëzhoja.