Krejt-kah-pak

Protestë për vrasjen në Llaushë, kërkohet shkarkimi i komandantit të Policisë

Organizata “Gratë Intelektuale të Drenicës” ka protestuar sot në Skenderaj duke kërkuar shkarkimin e komandantit të Policës lidhur me rastin e vrasjes së 48 vjeçares në Llaushë e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj, e cila pesë ditë më parë kishte raportuar në Polici dhunën nga i dyshuari.

Nën thirrjet “Boll ma”, “Duam siguri”, “Ku mu anku na”, “Stop vrasjeve të grave”, “Polici i ki duart me gjak”, protestuesit kanë dënuar vrasjen e 48 vjeçares në Llaushë.

Protestuesit kanë kërkuar seriozitet nga institucionet që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.

Arbnora Fejza tha se janë mbledhur për të ngritur zërin për vrasjet e vazhdueshme që po ndodhin në vendin tonë.

“E ngrisim zërin dhe kërkojmë nga institucionet tona të që ta marrin më përgjegjësi këtë çështje dhe të dënohen ata që marrin jetë. Nuk meritojnë nënat tona të trajtohen në këtë mënyrë. Ta ngrisim zërin ndaj padrejtësive që po bëhen”, u shpreh ajo.

Bahtije Sejdiu, qytetare e Skenderajt gjatë protestës tha se vrasja e grave nuk është trimëri, është poshtërsi.

“Vrasja e grave nuk është trimëri, është poshtërsi. Dashtë Zoti që të mos përsëritet, jo vetëm në Drenicë por askund”, tha ajo./Arjana Berisha/kallxo.com