Shtjellime

Rrëfime lufte nga fëmijët e viteve ’90-ta – Pjesa e parë

Artikulli në vijim përmban fragmente që mund të jenë shqetësuese për disa lexues.

Në vitin 1999 isha 6 vjeçe. Me familjen shpesh shkonim të flinim në bodrum në pranverën e atij viti. Mami im mblidhte jorganët, jastëkët dhe improvizonte me disa sfunxherë vende të rehatshme për mua e motrat e mia. Rreth kishim gjëra që kishin dalë nga përdorimi në shtëpi dhe kureshtja na mbante zgjuar duke shpurdhur nëpër paketa. Unë si më e madhja e dija që kishte luftë, por ia dija vetëm emrin “serbët ishin të këqijtë, ne të mirët” – kështu e perceptoja.

Njëra nga këto net që ladronim nëpër bodrum derisa na zinte gjumi, kishte ndodhur diçka e madhe e që më vonë kur u rrita, do ta kuptoja se ishte 24 marsi, dita kur filluan bombardimet. Nuk e di nëse prindërit e mi kishin frikë por unë e kuptoja që diçka s’po shkonte mirë. Kujtimet nga lufta në Kosovë i kam të gjalla. Sa herë mblidhemi me familje, takoj njerëz të ri nga Kosova ne flasim për luftën. Ky diskutim është i pashmangshëm.

Për këto kujtime kam biseduar po ashtu shumë ditët e fundit, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Fuqia e internetit dhe e mediave po më bëjnë ta rijetoj luftën tonë, luftën time. Prandaj kam kontaktuar persona të ndryshëm, të lindur gjatë viteve ’90-ta në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje dhe Hercegovinë duke iu kërkuar që ta shpalosin ndjesinë që kanë në raport me situatën dhe si e kishin përjetuar ata luftën si fëmijë? A ndjenin frikë? Cili është kujtimi i parë i luftës për ta? Sa ndikojnë tek ta pamjet që shohin nga lufta në Ukrainë?

  *Rrëfimet e personazheve janë të pandryshuara

Lirimi ne Shqiperi

 “Shtrëngimi i nënës më ishte shndërruar në matës rreziku…”

Lirim MEHMETAJ

Në luftë i kam pasur 7 vjet. Si kujtim i parë për luftën kam ato bisedat mes të mëdhenjve në shtëpi se si kanë filluar luftimet në Drenicë. Më kujtohet kur, pa kurrfarë ideje se sa larg duhet të jetë Drenica, bëja kalkulime se a mundet dhe kur mundet të vijë tek ne lufta, në Deçan. Nuk është se dija të frikësohesha nga lufta, ishte më shumë kureshtje. Më vonë, kur shihja babin me armë, që shkonte e vinte nga shtëpia, lufta u bë më reale, por prapë s’është se e përjetoja si frikë. Fëmijët disi nuk është se dinë të perceptojnë rrezik të përgjithshëm. Më shumë ka të bëjë me ndërhyrjen në rehatinë e tyre dhe përditshmërinë e tyre.

Koha kur lufta dhe ndjenja në raport me luftën mori përmasa frike, ose më mirë thënë pakënaqësie, ishte kur erdhi koha që ne fëmijët, bashkë me nënën, të iknim për në Shqipëri dhe të ndaheshim nga babi që do mbetej në Kosovë.

Më kujtohet fytyra jashtëzakonisht e frikësuar, e hutuar dhe me plotë pikëpyetje e nënës. Ajo ndahej nga burri, që në mendjen e saj nuk do e shihte më kurrë dhe po nisej në një drejtimi krejtësisht të panjohur me tre fëmijë të vegjël. Jo veç atëherë, por edhe sot më trishton imazhi i asaj fytyre. Aty ishte edhe hera e parë që e kuptova se diçka po ndryshonte thelbësisht. Struktura ime familjare po prishej dhe e kuptoja se ishte pasojë e luftës. Por, nuk e kuptoja pse po linim shtëpinë. Pse dikush dëshiron të na vras e të në dëbojë?

Më kujtohet edhe vajzat e reja se si zhyteshin me baltë në fytyrë dhe vendosnin shamia në kokë. Dëgjoja se këtë e bënin që t’i shpëtonin përdhunimit. Unë nuk është se e dija saktë atëherë se çfarë është përdhunimi, por duhej të ishte diçka shumë e keqe meqë ato vajza ishin gati të hiqnin dorë nga bukuria e tyre dhe të transformoheshin në fytyra të ndotura e të shëmtuara vetëm që t’i shpëtonin.

Rruga nga shtëpia për në Shqipëri ishte e zorshme, e frikshme. Gjatë rrugës, paramilitarë serbë na ndalonin traktorët. Ata, me kujtohen mirë imazhet, ishin me fytyrë të ngrysura, të vizatuar me ngjyrë ushtarake dhe me pamje të çartura. Kërkonin lekë dhe gjithçka kishim, derisa, po nuk përtonin, rrihnin ndokë për vdekje. Gjatë kohës sa ndodhte ndjeja shtrëngimin e nënës në krahë. Sa më rrezik që bëhej ajo më shtrëngonte më shumë. Shtrëngimi i saj më ishte shndërruar në matës rreziku. Kur më shtrëngonte më pak, puna s’ishte aq keq, kur më shtrëngonte më shumë, e dija se diçka tepër e keqe po ndodhë. Por, si 7 vjeçar frika ka formën e hutisë. Pse po ndodhë gjithçka që po ndodhë? Pse jemi ndarë nga babi, përse është dashur të ikim nga shtëpia dhe përse duhet të shkojmë diku tjetër. Pse këta njerëz të çartur rrahin, vrasin e na marrin gjithçka që kemi?

Lirimi dhe nena e tij

Kur shoh tash këto pamje lufte të tmerrshme, më shumë mendoj për motrën dhe vëllain tim më të madh. Njëri 10 e tjetri 11 vjet, ata e kanë përjetuar shumë më keq luftën, sepse ishin mjaftueshëm të mëdhenj për ta ndjerë frikën dhe tepër të vegjël që ta luftojnë ndjenjën. Ata ishin aq të vegjël sa për të qenë të pafuqishëm, por mjaftueshëm të mëdhenj për ta kuptuar pafuqinë e tyre.

 “Ja sam Gentiana Drmala”

Gentiana PAÇARIZI

E mbaj mend, më shumë si ndjenjë, se sa si kujtim konkret, kur patëm shkuar në Rahovec, tek gjyshërit nga ana e mamit, dhe na fshihnin në bodrumin e punës të gjyshit kur mendonin se mund të ishim në rrezik. Aty e mbaj mend se kishte gjithfarë mjetesh dhe bashkë me vëllain bënim korniza syzesh prej telave me ngjyra të ndryshme. E di që na u desh të mësonim të flisnim serbo-kroatisht bashkë me vëllain dhe nëse na pyeste dikush rrugës se si quheshim, unë thosha “Ja sam Gentiana Drmala”, dhe jo Paçarizi për shkak se e kërkonin babin.

Ndoshta sekuenca e fundit e kësaj serie që e mbaj mend është trupin e mamit sipër meje në një dhomë të madhe ku ishin mbledhur shumë njerëz për t’iu ikur granatave.

Nuk e mbaj mend se a kam pasur frikë, ndoshta edhe për shkak se gjithmonë jemi strehuar në shtëpi të familjarëve. Por, çuditërisht, megjithatë kujtimet e pakta që i kam, kam makthe të shpeshta lufte, ku gjithmonë jam me mamin duke provuar të ikim, e të fshihemi. Ndoshta sepse ajo ka qenë e vetmja që ka qenë gjithmonë aty.

“Lufta e Kosovës më kujton edhe dhunën e parë me të cilën jam has si fëmijë 5 vjeç”

Lum BEQIRI – Shqiptar i Maqedonisë së Veriut

Lufta e Kosovës me ngjall kujtimet e hershme të fëmijërisë. Kujtimet kur kam mësuar për herë të parë të shkruaj dhe poezia e ime e parë naive fëmijërore që quhej Kosova dhe fliste për lirinë e Kosovës.

Lufta e kam ditë që është diçka e keqe, por tmerret e luftës që i ka sjell lufta e Kosovës me vete nuk i kam ditë. Prindërit më kanë kursyer në atë aspekt. Por nuk mundem t’i harroj shqetësimet në fytyrat e tyre, që më kanë bërë për herë të parë të mendoj se bota nuk qenka vetëm një lojë fëmijërore pa brenga.

“Ku po shkon babi çdo ditë?” – pyesja. “E pse s’bon edhe unë me shku?”. Babi shkonte gati çdo ditë nëpër kampet e refugjatëve në kufi që të kërkojë familjarët tanë. Si familje pjesa më e madhe e cilës është në Kosovë, më kanë brengos shumë bisedat e prindërve natën mes vete “a janë gjallë?” të cilat i kam përgjuar si fëmijë.

Ardhja e familjes time, më përkujton një ndjenjë të sigurisë që ajo bashkëjetesa me shumë persona në kohë të vështira ma ka dhanë. Ai solidariteti që të gjithë jemi bashkë pa dallim se çka ndodh. Më kanë kursyer nga tmerret makabre që i kanë përjetuar në Kosovë, por të njëjtat më është dashtë vetë me i mësuar përmes mediave që përcillnin imazhe të tmerrshme nga Kosova.

No description available.
Lumi dhe familja e tij, 1999

Lufta e Kosovës po ashtu më kujton dhunën e parë me të cilën jam has si fëmijë 5 vjeç. Lagja ku kam jetuar në Kumanovë, ka qenë afër autostradës M-75 dhe ka qenë lagje pothuajse ekskluzivisht sllave (maqedonas dhe serbë). Një ditë si fëmijë duke lozur para ndërtesës kam dëgjuar zhurma që vijnë prej afërsisë së autostradës edhe kam shkuar që të shoh se çka po ndodh. Kanë parë fëmijë tjerë të lagjes që fishkëllonin dhe gjuanin me gur kontingjentet e NATO-s që po kalonin nëpër autostradë. Unë si fëmijë për të cilin NATO simbolizonte lirinë dhe një lloj heronjsh për të cilët çdo fëmijë ka nevojë – fillova t’ua bëjë me dorë kontigjenteve që kalonin dhe të ngriti dy gishta si formë përshëndetje. Kur fëmijët tjerë e panë këtë gjest, u vërsulën në drejtim timin dhe brutalisht më rrahën. Edhe pse ishin 2-3 vjet më të mëdhenj se unë, edhe pse gjithë ishim fqinjë të një lagje. Këto janë kujtimet e para të dhunës, ofendimeve, mosbesimit ndaj tjetrit dhe frikës për jetën.

*Për këdo që përjeton ankth nga pamjet dhe lajmet nga Ukraina, ju mund të kërkoni ndihmë duke telefonuar tek Linja e Jetës në numrin 0800 12345.

About the author

Donika Gashi

Donika Gashi

Donika Gashi ka përfunduar studimet baçelor për Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës. Në janar të vitit 2015 filloi punën si gazetare në Klan Kosova. Për më shumë se pesë vite në këtë television punoi përveç si gazetare edhe si producente dhe moderatore e emisionit 'NIN' dhe emisionit zgjedhor ‘Zona Zgjedhore’. Ajo ka qenë pjesë e disa fellowship-s për gazetarë në Kosovë. Nga janari deri në korrik 2021 ishte pjesë e 'Jiri Dienstbier Fellowship' në Radio Evropa e Lirë në Pragë. Tani është zyrtare për komunikim në organizatën joqeveritare Germin.

Add Comment

Click here to post a comment