“Ne, Populli i Kosovës, të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet.” Fjalë bukur të thurrura që lehtë shkruhen e vështire arrihen. Me këto fjalë fillon Kushtetuta e Kosovës, duke vazhduar tutje me zotimin për barazi, mbrojtje, prosperitet social dhe të drejta për çdo qytetar të saj. Dhe pikërisht këtë po e kërkojmë.
Kur flasim për martesat mes seksit të njëjtë, argumenti i parë që paraqitet nga palët tjera është “të mbrohen vlerat familjare”. Në parim edhe ne kemi qëllimin e njëjtë, të mbrojmë po ato vlera, duke përfshirë format e ndryshme të të qenit familje. Definicioni tradicional i familjes ka kohë që nuk përshtatet me mënyrën e jetesës sonë. Por, kjo nuk e ka “cenuar” integritetin familjar.
Ndoshta familjen e ka cenuar dhuna psikologjike dhe fizike e cila sot e kësaj dite nuk adresohet siç duhet. Ndoshta familjen e ka dëmtuar sistemi i drejtësisë ose ndoshta ekonomia e rrënuar ose sistemi shëndetësor jofunksional ose ndoshta supremacia. Për të vazhduar tutje me dëmtimin që korrupsioni dhe nepotizmi shkaktojnë në të gjitha fushat, përfshirë edhe familjen si institucion bazë, siç e konsiderojnë të gjithë.
Avokimi për të plotësuar Kodin Civil mbron vlerat evropiane, për të cilat Kosova, si shtet i ri, po avokon që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 në fusha të ndryshme për të arritur njohje e vend në shumë organizata ndërkombëtare që do të garantonin paqe dhe stabilitet. Në frymën e këtyre kërkesave qëndron edhe kërkesa për pranimin e martesave mes seksit të njëjtë.
Është krijuar një opinion që martesat mes seksit të njëjtë lejohen në Kosovë dhe për të mos krijuar tutje konfuzitet në publik se a lejohet martesa me seksit të njëjtë apo jo tutje do të parashtroj gjendjen e tanishme.
Në mars të vitit 2019 dhe qershor të vitit 2021, ne i kemi dërguar grupit të punës për hartimin e Kodit Civil rekomandime konkrete, të cilat nuk janë pranuar dhe asnjëherë s’kemi pranuar argumente se mbi çfarë baze rekomandimet tona janë hedhur poshtë.
Rekomandimet nga grupi avokues CEL, CSGD, RrGK, YIHR, QKSGJ dhe CRD kanë qenë që termi “bashkëshort”, “burrë-grua” dhe “gjini të ndryshme” duke e konsideruar term të rreptë dhe jo gjithëpërfshirës të largohet duke e zëvendësuar me terme neutral si “dy persona” dhe rregullimi i bashkimit civil të mos jetë i ndarë për rregullim të mëtutjeshëm me ligj të veçantë, siç është në këtë rast me ligjin për familje. Meqenëse Ligji për Familje ka hyrë në draft-Kodin Civil të Kosovës, kemi propozuar që të rregullohet çështja e martesave edhe aty.
Qëllimi i këtij Kodi është kodifikimi i ligjit civil, prandaj ai duhet të jetë më gjithëpërfshirës. Nëse e lëmë të hapur mundësinë e rregullimit të çështjeve të tjera me një “ligj të veçantë”, kjo është në kundërshtim me qëllimin e vetëm të kodifikimit të ligjit civil në Kosovë dhe ka qasje diskriminuese.Ligjet, duke pasur ligje të tjera të cilat i plotësojnë, nganjëherë krijojnë rrëmujë për personat të cilët nuk janë në fushën juridike dhe mund të keqinterpretohen shpesh, të jenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me parimet e të drejtave të njeriut, siç është në rastin e martesave mes seksit të njëjtë.
Si mund të ndajmë/të përjashtojmë disa të drejta dhe të tjerat t’i pranojmë dhe vlerësojmë?Natyrisht që për shkak të shoqërisë patriarkale, mendësi kjo me të cilën operohet edhe në vende të punës, ku shohim mungesën e profesionalizmit dhe etikës në institucione, po dëmtohen të drejtat elementare dhe shoqëria në tërësi. Pozitat institucionale që kanë qëllimin kryesor mbrojtjen e të drejtave të njeriut po dështojnë në vazhdimësi duke mos u sjellë në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo përgjegjësi mbetet në supet e shoqërisë civile dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut, përgjegjësi e cila, kur operon në një teren si ky joni, është mjaft e rëndë dhe e gjatë.
Përse është e rëndësishme martesa mes seksit te njëjtë? Para së gjithash është obligim shtetëror respektimi i parimeve të veta për barazi, mbrojtje, drejtësi dhe mirëqenie e çdo qytetari të Kosovës. Përpos kësaj, martesa si institucion rregullon edhe çështje të tjera si prona, trashëgimia e tutje. Një e drejtë elementare për të cilën duhet të jetë në dorë të individit se a do ta shfrytëzojë apo jo, por jo të ligjeve në vend. Mbi të gjitha të njihet edhe dashuria e personave të LGBTI+.
Add Comment