Ajo

Një luftë me ‘drejtësinë’ për drejtësi

Për Arjeta Gashin pata lexuar disa artikuj dhe ndjekur në disa emisione televizive. Më jepte një ndjesi të një gruaje luftarake që kauza për barazi gjinore nuk i fillon dhe mbaron vetëm me disa fjali në rrjete sociale. Personalisht e takova në qershor të këtij viti, kur po e moderoja një diskutim me temën “Mekanizmat ekzistues kundër dhunës në baza gjinore” të organizuar nga Women 4 Women. Ajo ishte në mesin e panelisteve për të diskutuar për punën që bën si drejtuese e Shoqatës për Prindër të Ndarë. Aty më bindi plotësisht që Arjeta çështjen e ndihmës ndaj grave, sidomos nënave vetushqyese e ka kauzë të jetës.

“Qëndroni në këmbë dhe tregojini të gjithëve se nga çfarë jeni krijuar. Kur bota ju mposht, gjeni një arsye për t’u ngritur përsëri. Asnjëherë mos hiqni dorë nga suksesi. Provoni dhe provoni përsëri. Ushqeni mendjen tuaj me idetë e suksesit, jo të dështimit sa do që keni pengesa gjatë rrugës”, mesazhi i Artjetës për nënat vetushqyese.

Në këtë artikull Arjeta tregon për sfidat dhe arsyen pse vendosi të hap një shoqatë për t’i ndihmuar prindërve (me fokus nënave) të ndarë. 

Përvoja personale me divorcin dhe (mos) ndarjen e pasurisë

Në vitin 2013 pas 10 vitesh martesë, Arjeta kishte vendosur të ndahet nga ish bashkëshorti me të cilin ka edhe një fëmijë. Ajo shpjegon se ndonjëherë vjen një moment në jetë kur e kupton që jeta që po bën nuk duhet të vazhdojë dhe sipas saj ‘ai moment është kthesë në jetë’. Por kjo kthesë në jetën e saj nuk do të vinte me pak të papritura.

“Unë as nuk e dija se ku ishte objekti i gjykatës,  isha krejt e humbur dhe e painformuar në këtë fushë. Pasi kuptova pak a shumë procedurën unë u nisa atje me idenë që të thuhet e vërteta dhe asgjë më shumë”.

Ndonëse Arjeta asnjëherë nuk ishte ballafaquar me sistemin e drejtësisë, divorci e sidomos procesi për ndarjen e pasurisë  bëri që të sipas saj të kuptojë edhe për shumë anë të errëta të sistemit të (pa) drejtësisë. Procesi i divorcit kaloi shpejtë dhe kjo sipas Arjetës është meritë e një gjyqtari.

“Unë kisha fatin të kisha gjyqtar Hasim Sogojeva, një gjykatës që për fat të keq më asnjëherë nuk kemi hasur. Ai ka respektuar në tërësi ligjin dhe ka kryer detyrat e veta ashtu siç i duhet një gjyqtari apo gjyqtare”.

Njëjtë si me divorcin ajo nuk po kalon edhe me procesin e ndarjes së pasurisë. Ka pothuajse një dekadë që ajo endet sallave të gjyqit për të marr atë që i takon. Për kontributin 10 vjeçar në martesë, ajo nuk gëzon ende asnjë të mirë materiale.

Shoqata e Prindërve të Ndarë

Eksperienca personale si divorci, alimentacioni e lufta e përditshme që vazhdon ta ketë për ndarjen e pasurisë, e ka shtyrë Arjetën që para gjashtë viteve ta bëjë diçka më shumë. Ajo vendosi që të hap Shoqatën për Prindërit e Ndarë, në mënyrë që tu ndihmojë nënave vetushqyese në betejën që ato e kanë me sistemin e drejtësisë e paragjykimet që hasin në shoqëri. Kjo shoqatë është themeluar me qëllim të fuqizimit dhe mbështetjes së prindërve të vetëm në rrugëtimin e tyre në ruajtjen e pavarësisë dhe stabilitetit. Kjo shoqatë ofron shërbime psikologjike, edukim, bursa për nëna dhe fëmijë, punësim etj. Kur kjo shoqatë u hap në vitin 2018 kishin identifikuar 63 raste të nënave vetushqyese, ky numër tani shënon 363 në gjithë Kosovën, të cilat marrin ndihmë nga kjo shoqatë. Problemet më të shpeshta që këto nëna vetushqyese lidhen me vendbanimin, financat, alimentacionit, paragjykimet, punësimi etj. Secili rast që vjen në shoqatë, është një mësim për Arjetën. Duke ju ndihmuar në beteja ligjore por në sallat e gjyqit sipas saj, ka dëgjuar avokatë e gjykatës duke gënjyer e shpifur.

“Kjo ndoshta ka qenë eksperienca ime më e keqe dhe mund të them se aty kam kuptuar se qenka një luftë tjetër tani me një sistem të tërë dhe nga ajo ditë unë kam filluar një luftë me ‘drejtësinë’ për drejtësi”.

Alimentacioni del të jetë një tjetër problematikë që shumica e nënave vetushqyese e hasi. Përfshirë edhe vet Arjetën.

Sipas saj gjykata vendosë vet për ndarje të alimentacionit pa asnjë formulë apo kalkulim të drejtë dhe që zakonisht obligimi që baballarët duhet ta kryejnë kundrejt fëmijëve të tyre është shuma prej 60 eurosh. Por zakonisht as ky obligim nuk zbatohet.

“Nuk ka asnjë penalizim për ta pavarësisht se në rastet kur nuk zbatohet një vendim i gjykatës është vepër penale. Në Kosovë çështja e alimantacionit është thjeshtë formalitet që nuk zbatohet nga asnjë dhe nuk ndiqet askush”.

Moszbatimi i vendimit të gjykatës për alimentacion e mosndarja e pasurisë në mes të dy ish bashkëshortëve, ka bërë që burrat të jenë disproporcionalisht më të fituar ekonomikisht në krahasim me gratë.

“Thjeshtë një burrë divorcohet dhe është edhe më i pasur se sa ishte para martesës. Ndërsa një grua/nëna duhet të fillojë nga e para, nga zero apo më mirë të them gjithsesi del e humbur”.

Në shoqatën që drejton ajo ka raste kur nënat vetushqyese as nuk i hyn procesit për ndarjen e pasurisë, kjo për shkak të rëndesës financiare.

About the author

Donika Gashi

Donika Gashi

Donika Gashi ka përfunduar studimet baçelor për Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës. Në janar të vitit 2015 filloi punën si gazetare në Klan Kosova. Për më shumë se pesë vite në këtë television punoi përveç si gazetare edhe si producente dhe moderatore e emisionit 'NIN' dhe emisionit zgjedhor ‘Zona Zgjedhore’. Ajo ka qenë pjesë e disa fellowship-s për gazetarë në Kosovë. Nga janari deri në korrik 2021 ishte pjesë e 'Jiri Dienstbier Fellowship' në Radio Evropa e Lirë në Pragë. Tani është zyrtare për komunikim në organizatën joqeveritare Germin.

Add Comment

Click here to post a comment