Një “vendim” që është shpërndarë nga disa qytetarë në rrjetin social Facebook, e që lidhet me përjashtimin e punës së një mësuese në një shkollë të Suharekës, ka marrë vëmendjen e shumë qytetarëve në rrjete social.
Sipas vendimit ende të pakonfirmuar, Këshilli Drejtues i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Flamuri i Arbrit” ka vendosur që mësueses së lëndës së matematikës, Remize Lezi t’ia ndalojë ushtrimin e mësuesisë. Raportohet se Lezi ka nisur bartjen e shamisë pas 30 viteve punë si mësuese.
Ndërsa në disa portale thuhet se ajo është arsimtare e matematikës e jo mësuese. “Vendimin” e kanë shpërndarë dhe e kanë shpallur të pavlefshëm aktivistë që muajin e fundit kanë qenë aktivë për shaminë.
Ndërkohë që për “arsimtaren” ose “mësuesen” nuk është prezantuar ndonjë fotografi, por janë përdorur foto ilustrime të grave të mbuluara.
Deputetja e PDK-së, Besa Ismaili ka thënë se ky është rasti kur ajo i sfidon të gjithë ata që thonë se janë kundër diskriminimit, që të reagojnë.
“I sfidoj të gjitha ato që thonin se jam kundër çdo diskriminimi për vajzat dhe gratë +18, por assesi nën 18 vjeç, persona jomadhor apo fëmijë. (Kur vjen fjala te shamia dhe liritë fetare). Ja ku e keni rastin që është rast që ngërthen në vete të drejtën e punës, të drejtat e njeriut, shanset e barabarta dhe barazinë gjinore. Hajde të shohim për të satën herë me rradhë sa të njëmendta ishin deklaratat e juaja”, ka shkruar ajo.
Ndërkaq, deputeti i VV-së, Eman Rrahmani, ka thënë se dokumenti i lëshuar nga këshilli shkollës së sipërpërmendur, nuk ka asnjë vlerë.
“Ky dokument juridikisht nuk ka asnjë vlerë. As drejtori, e as Këshilli Drejtues i shkollës nuk mundet me largu prej pune asnjë mësimdhënës. Drejtoria e arsimit është përgjegjëse për pranimin dhe largimin nga puna të mësimdhënësve. Për më tepër, cenimi i të drejtave të dikujt, duke vepruar jashtë kompetencave zyrtare, është vepër penale”, ka shkruar ai.
Gazeta Express ka provuar të kontaktokë me autoritetet e shkollës, pjesë e këshillit që kanë marrë vendimin, por realizimi i kontaktimit ka qenë i pamundur.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj ka thënë se bordi i prindërve nuk është institucion, i cili punëson apo largon një mësimdhënës nga puna.
“Askush mbi ligjin. Bordi i prindërve nuk është institucion, i cili punëson apo largon një mësimdhënës nga puna. Kjo ndodh në organet komunale më një procedurë tash të rregulluar mirë. Në qoftë se ndonjë mësimdhënës ka rast disiplinor, atëherë është Komisioni Disiplinor që e trajton rastin dhe i sugjeron drejtorit, respektivisht mua si kryetar për veprimet institucionale.
Deri në një rast të tillë, të gjithë mësimdhënësit ushtrojnë detyrat e veta konform procedurës së lartpërmendur”, shkroi Muharremaj.
Tutje Muharremaj tha se për shkak që aktualisht nuk gjendet në Kosovë, në ditën e hënë do ta trajtojë këtë rast me prioritet në përputhje me ligjin dhe me urdhërin administrative të ministrisë së Arsimit.
“Për momentin jam në udhëtim jasht vendit, por që nga dita e hënë do ta trajtoj me prioritet këtë rast, kjo në përputhje me ligjin, me urdhërin administrativ të Ministrisë së arsimit dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe kështu do t’i japim fund edhe debatit krejt të panevojshëm për këtë temë.
Përndryshe, gjuha linçuese, ofenduese ka vetëm një synim: përçarjen në mes nesh dhe dëmtimin politik të Komunës dhe sukseseve të arritura deri më tani”, shkroi ai./Gazeta Express
Add Comment