Shtjellime

Gratë në Kosovë largohen nga puna vetëm pse janë shtatzënë

Nikos Mavrikakis

Ishin gra të punuësuara deri në momentin kur treguan se kanë mbetë shtatzënë dhe gjithçka mori kthesë tjetër. Saranda R. në gusht të vitit 2018 humbi vendin e punës në të cilin kishte punuar për mbi dy vite dhe nuk iu ishte ndarë deri 21 ditë para lindjes së djalit… Ngjashëm, vite me parë iu ndërpre kontrata e punës edhe Lumturije Beqiri Maloku, vetëm për faktin se po sjellte në jetë një fëmijë…

Popullsia e botës parashikohet të arrijë në 8 miliardë njerëz, deri më 15 nëntor të këtij viti. Por në 61 vende parashikohet të ketë rënie të natalitetit me 1 për qind ose më shumë midis 2022 dhe 2050. Kështu thonë parashikimet e raportit “Perspektivat e Popullsisë Botërore 2022”, të Kombeve të Bashkuara.

Edhe në Kosovë popullsia rezidente ka pësuar rënie gjatë vitit 2021, duke u zvogëluar për -24,215 banorë. Kjo për shkak të kushteve të rënduara socio-ekonomike.

Derisa gjatë po të njejtit vit, brenda territorit të Kosovës, janë regjistruar 22 mijë e 830 lindje, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Por në këto mbi 20 mijë lindje brenda vitit, a mund të merret me mend se sa gra janë larguar nga vendi i punës, vetëm për faktin se kanë mbetur shtatzënë?

Sipas një analize të organizatës “Kolektivi për Mendim Feminist”, del se gjatë vitit 2021, mbi 1 mijë e 500 gra janë larguar nga vendi i punës për shkak të shtatzënisë.

Por megjithëse, shifra nga insitucione shtetërore nuk kemi, kemi raste të shumta konkrete, ku gratë kosovare tregojnë për përvojat e hidhura me punëdhënësit e tyre që i kanë larguar nga puna vetëm pse kanë lajmëruar shtatzëninë.

Mohim i pushimit të lehonisë, kompenzim pas padisë dhe largim nga puna për shkak të padisë

Saranda R., kishte qenë duke punuar në një kompani për më shumë se dy vite, derisa mbeti shtatzënë dhe kompania nuk ishte e gatshme të ja lejonte pushimin e lehonisë, gjë e cila i takonte me Ligjin e Punës të Republikës së Kosovës.

Kësisoj, Saranda u detyura t’i padis për shkak të moslejimit të shfrytëzimit të pushimit të lehonisë.

Me Aneks-Marrëveshjen e datës 01.04.2017, paditësja (Saranda), ka lidhur marrëdhënie pune me të paditurën X (emri kompanisë i njohur nga redaksia), në një afat të pacaktuar dhe sipas të cilës paditësja realizon pagën mujore në shumë prej 350, 00 Euro”, thuhet në dokumentin e Padisë që ka siguruar Grazeta, nga vetë paditësja Saranda.

Ndonëse kjo grua kishte vazhduar të punojë deri me 10.08.2018, pra deri 21 ditë para lindjes së djalit, të cilin e solli në jetë me datë 31.08.2018, kompania që nga data 01.08.2018 nuk kishe kryer obligimin e pagës mujore dhe as obligimet e trustit, sipas Ligjit për Tatim në të ardhurat personale.

Lidhur me këtë Saranda kishte kërkuar disa here nga kompania ku kishte punuar që t’i bëhej kompensimi i pushimit të lehonisë, dhe njëkohësisht kishte paraqitur kërkesë edhe tek Inspektorati i Punës, i cili kishte lëshuar Vendim që obligonte kompaninë që brenda 15 ditëve të paguante borxhin ndaj Sarandës, dhe të ja lejojë pushimin e lehonisë sipas dispozitave ligjore.

Ky vendim kishte arritur qëllimin që pagesa të bëhet, por që kishte rezultuar në një fenomen tjetër të keq që vazhdon të jetë aktiv në Kosovë. Sarandës qysh me përfundimin e pagesave, kompania ia kishte shkëputur kontraten e punës, dhe kjo vetëm për shkak të padisë.

Se kjo gjë është mjaft e pranishme, e mbështetë edhe raporti Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Ballkanin Perëndimor. Aty del se midis grave të anketuara në Kosovë, që punonin gjatë kohës kur mbetën shtatzënë, 26% në 2018 dhe 14% në 2021, nuk morën asnjë pagesë gjatë pushimit të tyre të lehonisë nga punëdhënësi i tyre ose nga qeveria. Derisa rreth 15% e këtyre grave treguan se nuk u kthyen në vendin e tyre të punës pas pushimit të lehonisë, pasi pa ndonjë njoftim paraprak punëdhënësit ndërpriten kontratat e tyre.

Largimi nga puna për shkak të shtatzënisë, dikur i kishte ndodhur edhe zonjës Lumturije Beqiri – Maloku, e cila është nënë e tre fëmijëve dhe ka të përfunduara studimet Bachelor të Gjuhës Angeleze. Ajo kishte punuar në një organizatë (D.R.C) si operatore.

“Pushimi im i lehonisë ka fillu nga data 06/09/2016 edhe me 13/12/2016 është ndërprerë pagesa e pushimit të lehonisë. Kam kërku nga Inspektorati i Punës që të ndërmarrë veprime juridike në kuadër të kompetencave për mbrojtjen e të drejtave të mija nga marrëdhënia e punës, ku si nënë e kam pasë të drejtën e pushimit të lehonisë prej 12 muajve,” shprehet për Grazetën Beqiri-Maloku.

Më tej, ajo shton se Inspektorati i Punës është ankuar dhe e ka shtyrë organizatën të bëjë pagesën, si trustin dhe të gjitha, ndërsa ka kërkuar nga punëdhënësi që të lëshojnë një vendim për pushimin e lehonisë, vendim të cilin organizata ka refuzuar ta lëshojë. “Organizata më ka paguar vetëm muajt e parë dhe pastaj e ka shkëputur kontratën, kinse projekti ka përfunduar, por ai pastaj ka vazhduar dhe mua nuk më kanë ftuar më asnjëherë. Më janë paguar nga organizata gjithsej 3 muaj e 13 ditë,” shtoi Beqiri-Maloku.

Por si e rregullohet me ligj pushimi i lehonisë?

Lidhur me atë se si rregullohet pushimi i lehonisë me ligj në Kosovë, tregon avokatja Shëndritë Muriqi-Berisha, nga avokatura “Muriqi&Berisha Law Firm”:

“E drejta në shfrytëzimin e pushimit të lehonisë është e rregulluar me Ligjin Nr. 03/L-212 e punës, ndërsa procedura e realizimit të së drejtës në pushim të lehonisë rregullohet me Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2018 për rregullimin e procedurave administrative të kompensimit për pushimin e lehonisë të paguar nga qeveria.

Pushimi i lehonisë femrës së punësuar i takon në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) muajve:

Gjashtë (6) muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70% të pagës bazë. Tre (3) muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50% të pagës mesatare në Kosovë, dhe Pushimi i lehonisë mund të zgjatet edhe për tre (3) muaj të tjera pa pagesë.

Pushimi i lehonisë prej gjashtë (6) muajsh është obligativë, ndërsa në rast se nuk dëshironi ta shfrytëzoni pjesën e mbetur të pushimit, me njoftim të punëdhënësit jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë para përfundimit të pushimit, mund të  kërkoni kthimin në punë”, shpjegon avokatja Muriqi-Berisha.

Avokatja ka komentuar edhe rastet në fjalë, duke i cilësuar ato si shkelje të dispozitave ligjore.

“Në bazë të këtyre rasteve kompanitë në fjalë ka shkelur dispozitat e ligjit të punës sipas të cilit punëdhënësi nuk mund ta shkëpusë kontratën të punësuarit dhe të ja ndërroj vendin e punës gjatë kohës së shtatzanisë apo të pushimit të lehonisë përveq në raste të jashtëzakonshme të largimeve kolektive nga puna sipas ligjit.”

Këto raste sipas avokates në fjalë janë më të shpeshta në sektorin privat për shkak të mosimplementimit të ligjit aktual të punës.

“Rastet më të shpeshta të mohimit të këtyre të drejtave të grave në kosovë respektivisht mosimplementimit të ligjit aktual të punës i hasim në sektorin privat, kjo me arsyetimin se për punëdhënësit kompensimet e tilla paraqesin një barrë me kosto të lartë. Ndërsa sa i përket sektorit publik nuk kam pasur raste të ngjajshme dhe mendoj që kjo meqë të punësuarat në sektorik publik gëzojnë kontrata më afatëgjata dhe është më i mbikqyrur nga mekanizmat shtetërorë ndërsa ka mungesë të mbikqyrjes së implementimit të këtyre dispozitave në sektorin privat”, përfundon avokatja Muriqi-Berisha.

Inspektorati i Punës – pa përgjigje për numrin e rasteve që gratë kanë lajmëruar për mohim të pushimit të lehonisë

Ndonëse kemi tentuar të marrim përgjigje nga Inspektorati i Punës, të njejtit deri në publikim nuk janë përgjigjur lidhur statistikat me rastet e grave të larguara nga vendi i punës për shkak të shtatzënisë.

Sidoqoftë, gjatë një adresimi për media, kryeinspektori Hekuran Nikçi, ka treguar se Inspektorati i Punës funksionon pa një databazë, dhe çdo gjë funksionon në mënyrë manuale. Derisa ka thënë se kanë vetëm 35 inspektorë, gjë që rezulton në nivelin e paknaqshsëm të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve.

Ndryshe, në Kosovë sipas Ligjit të Punës (Nr.03/L-212), baballarët mund të marrin dy ditë pushim me pagesë për lindjen ose birësimin e një fëmije, ndërsa një nen tjetër parashikon tri ditë pushimi me pagesë për të gjithë punonjësit pas lindjes së fëmijës së tyre (neni 50.2.1 dhe 39.1.3).

Në Kosovë, në vitin 2021 ishin regjistruar gjithësej 29 mijë 236 lindje të gjalla, në vitin 2020 ishin 21 mijë e 907, e në vitin 2019 të dhënat tregojnë se numri i lindjeve ishte 21 mijë e 899, që kanë deklaruar Kosovën si vendbanim resident, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovë. 

About the author

Agnesa Qorri

Agnesa Qorri

Agnesa Qorri ka përfunduar studimet Bachelor për Komunikim Masiv dhe Gazetari në Kolegjin AAB. Në po të njejtin departament ka vazhduar edhe studimet master, derisa për një semestër ka studiuar në Kristianstad të Norvegjisë për Gazetari Globale. Ajo ka në përfundim edhe fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti 2016 ka punuar vazhdimisht si gazetare dhe hulumtuese në fushat e politikës dhe ekonomisë, ndërkohë ka përfunduar edhe praktikën e punës në mediumin Deutsche Welle në Bonn të Gjermanisë. Aktualisht, Agnesa punon si gazetare dhe redaktore e emisionit për ekonomi “7 Ditë me Panxhën” që transmetohet në Klan Kosova.

Add Comment

Click here to post a comment