Vox

Promovimi i dhunës me bazë gjinore në “Big Brother Vip Kosova”

“Big Brother” është një eksperiment social i cili zhvillohet në shumë vende të botës, koncepti i të cilit vëzhgon sjelljet e banorëve brenda sa janë të izoluar për një periudhë të caktuar. Këtë vit, i njëjti format ka ardhur edhe në Kosovë, i cili ka shkaktuar një boom të madh në rrjetet sociale dhe mediatike, por ka dështuar të përcjell parimin më të rëndësishëm social: humanizmin. Gjuha seksiste, dhuna dhe fajësimi i viktimës lë vend shumë të madh për shqetësim dhe e bënë më se të nevojshme të merren masa.

Sulmi seksual nuk ka vend në një program që ndiqet në shkallë kombëtare, fajësimi i viktimës nuk duhet të promovohet në “shtëpinë më të famshme në vend”, bullizmi ndaj një gruaje nuk duhet të ketë hapësirë televizive.

Sulmi seksual është çdo formë e sjelljes së padëshiruar fizike të natyrës seksuale, me qëllim ose efekt të cënimit të dinjitetit të një personi, veçanërisht kur krijohet një mjedis frikësues, armiqësor, poshtërues ose fyes. Për sulm seksual, sipas Kodit Penal të Kosoves, neni 229 paragrafi 1[1], ekziston dënimi me gjobë dhe deri me 1 vit burg.

Në një vend ku një pjesë e madhe e dhunuesve seksualë ende nuk kanë marrë dënimin e merituar me gjyq, produksioni i “Big Brother Vip Kosova” e dënon dhunën seksuale vetëm me një kërkimfalje ndaj viktimës dhe programi vazhdon në rrjedhë normale. Kjo minimizon idenë se ngacmimet seksuale, pavarësisht gjinisë, cënojnë dinjitetin e një personi dhe perforcon fuqishëm konceptin e fajësimit të viktimës. Përveç kësaj, arsyjetimi i banorit për këtë sulm ishte: “ashtu ka qef ajo”.

Fajsimi i viktimës është krijuar një puntatë kryesore e cila ndiqet live çdo të hënë dhe të premte. Njëra nga banoret e kësaj shtëpie, më saktësisht Juliana Nura, ka jetuar jetën e vet ashtu siç ajo ka dashur ta jetojë, deri sa një person, pa konsentin e saj, ka vendosur ta shantazhojë me publikimin e një videoje intime apo personale. E kaluara e një gruaje nuk e definon atë si njeri. “Laj duart para se me m’prek”, “like a slut”, “turpi i Kosovës” dhe shumë fraza të tjera seksiste, pa lënë anash as shantazin e bërë jashtë asaj shtëpie, nuk duhet të përdoren si arsye argumenti, edhe nëse është siç e quajnë ata – “lojë”.

Etika morale dhe ndergjegjia e çdo njeriu duhet të vjen para të gjithave. Gjyqi moral që bëhet në atë shtëpi me miliona shikues, edhe pse seancat gjyqesore kanë përfunduar, ushqen bindshëm konceptin e “fajësimit të viktimës”. Përveç kësaj, krahasimi i shantazhit me dhunimet seksuale të ndodhura gjatë luftës së Kosovës ne vitet 1998-99, është argument që minimizon traumat personale të viktimave të dhunës me bazë gjinore. Tragjeditë e viteve 1998-99 nuk kanë vend të përmenden kundër askujt, përveç kundër shkaktarëve të atyre dhunimeve.

Mosedukimi i njerëzve për konceptin e feminizmit krijon stigma të rrezikshme dhe urrejtje të pashterrshme ndaj feminstëve. Është krijuar nje definicion i termit “feminist” nga njerëz të cilët të vetmin burim e kanë urrejtjen. Feminizmi nuk mbron, suporton e as arsyeton dhunën në asnjë formë të saj, nuk hesht e as nuk qesh kur një grua masakrohet verbalisht në asnjë situatë, e sidomos ne televizon live. Në një shtëpi ku konsiderohet se janë artistë, apo siç i quajnë ata – VIP, me një produksion dhe kanal televiziv pas, jo qëllimisht, por me krenari, përçojnë mesazhin që organizimet feministe kanë vënë në dukje me vite: Misogjinia dhe fryma patriarkale ka lëshuar rrënjë të thella në shoqerinë tonë. I vetmi “sukses” që ky eksperiment social ka arritur ështe prova se misogjinia dhe seksizimi krijojnë ambiente të dhunshme, manipuluese dhe të rrezikshme.

Ky skandal televiz ka mundësi që të jetë pikënisja e një vetëdijesimi të qytetarëve të Republikës së Kosovës se sa e vështirë është të jesh grua. Kërcimi pason me sulm seksual, seksizmi çmohet, shantazhi arsyetohet. Shikueshmëria e një programi nuk duhet të mbahet mbi masakrimin e dinjitetit të një njeriu dhe as mbi mbrojtjen e dhunuesve dhe gjuhës seksiste. Traumat e viktimave nuk “shërohen” me një kërkimfalje. Dhuna nuk ka vend në kanale televizive.


[1] 1. Kushdo që prek personin tjetër me qëllim seksual ose e cyt personin e tillë të prekë kryesin

apo personin tjetër për qëllim seksual, pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me gjobë ose me

burgim deri në një (1) vjet.

About the author

Avatar

Ela Bllaca

Ela Bllaca ka lindur në vitin 2003, në Prishtinë dhe aktualisht është duke vijuar studimet në programin “Studime të Sigurisë” në UBT. Pikat e interesit të saj janë të drejtat e njeriut, barazia gjinore dhe studimi i çështjeve që ndërlidhen me dhunën në baza gjinore. Ela ka bërë shumë hulumtime për sa i përket barazisë gjinore, si dhe e cilëson atë si njërën nga shtyllat kryesore te sigurisë kombëtare. Ne çdo diskutim apo debat që e sheh të nevojshme mundohet të vetdijësoj sa më shumë njerëz për feminzmin dhe dobitë e feminizmit.

Add Comment

Click here to post a comment