Edhe këtë 8 mars – Dita Ndërkombëtare e Grave, nuk i gjeti aktivistët vetëm në sheshin e Prishtinës, si viteve të kaluara, por marshuan nga Pallati i Drejtësisë në Hajvali e vazhduan për marshin e çdovjetshëm nga Sheshi “Zahir Pajaziti” e duke e ndjekur trajektoren deri tek Qeveria e Kosovës. Paralelisht me marshin në Prishtinë, qytetare e qytetarë marshuan edhe në Mitrovicë e Prizren e qëllimi mbeti i njejtë: “Marshojmë s’festojmë për një jetë pa dhunë ndaj vajzave dhe grave”.
“Ky rend i dhunshëm nuk është gjendje natyrore, ai është proces politik dhe sistemik dhe ne mund ta rrëzojmë atë veç me mjete politike e organizim. Duke marrë shpresë e forcë nga historia e rezistencave të grave, ne organizohemi prapë, e denoncojmë dhunën dhe thërrasim në një angazhim kolektiv që çon në transformim radikal të shoqërisë dhe çlirim nga çfarëdo dhune e cila krijon shtypje, shfrytëzim e ndasi. Organizohemi për ta imagjinuar një të ardhme ku secila e secili është i lirë nga dhuna dhe ku barazia e drejtësia janë bazat e organizimit politik, ekonomik e shoqëror”, u tha në njoftimin zyrtar të Marshojmë s’festojmë.
Gresa, 16 vjeçare, tha që këtë ditë e shfrytëzon si shfryrje e mllefit për problemet që vajzat e gratë i hasin në shoqërinë tonë.
“Kur bërtas me aq sa kam fuqi, ndihem më mirë.”
Gjatë marshit dy orësh në Prishtinë, dëgjoheshin thirrje e u panë parulla të ndryshme, ndër to: “Asnjë më shumë”, “Marshojmë, s’festojmë”, “Nuk po du lule, po du kontratë pune”, “Edhe sa thirrje të humbura”, “Drejtësi për Gratë e Vrara”, “Punë e barabartë për pagë të barabartë”, “Punë për mu, çfarë pune du”, “Liri, Barazi, Solidaritet”, “Kush na mbronë prej Policisë”, “Vrasjet e grave janë të paralajmruara”, “Gratë vriten, shteti hesht”, “Puna e papaguar e grave, e mbanë shtetin”.
Gjatë vitit 2023, nga janari deri në shkurt janë raportuar 301 raste të dhunës në bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave sipas raporteve të Policisë së Kosovës. Në raportet e publikuara nga Polica e Kosovës, në vitin 2022, janë raportuar 88 raste të përdhunimit, 87 raste të ngacmimit seksual si dhe 62 raste të sulmit seksual. E kjo bëhet edhe më e rëndë kur nga viti 2010, në Kosovë janë raportuar 50 gra të vrara nga familjarë të tyre, ku kryesisht autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët.
Diana, 17 vjeçare, tha që 8 marsi për të është revoltë dhe betejë.
“Revoltë e betejë është, nuk është festë. Më pëlqen që shoh shoqe e shokë që kanë dalë, sepse është mirë të bashkohemi e të dalim për të gjitha gratë”.
Edhe këtë vit solidarizimi e uniteti vazhdoi të qëndrojnë të fortë, duke e bërë edhe punën organizative më të lehtë duke qenë se të gjithë aktivistet e aktivistët janë bashkuar për tu revoltuar ndaj sistemit që çdo herë e më shumë po e rrezikon jetën e vajzave e grave.
8 marsi, shënoi ditën ku përherë do të luftohet për rezistencë, do të kërkohet drejtësi e barazi edhe për punën e madhe të grave që shpeshherë harrohet e nuk llogaritet, ani pse pa këtë punë do të ishte e pamundur. Sot, më shumë se çdo ditë tjetër, u kërkua me zë të lartë për të drejta e përgjegjësi të barabarta.
Në kohën kur kërkohet më shumë mobilitet institucional, më shumë llogaridhënie e punë më efektive në mbrojtjen e vajzave e grave, u kërkua mbrojtje e reagime më të shpejta që jeta e vajzave e grave të jetë pa dhunë.
Pra, edhe ky 8 mars u manifestua me kërkesën për të qenë të bashkuar për të kërkuar drejtësi gjinore, ekonomike dhe sociale në Kosovë, duke i rezistuar dhe luftuar sistemin patriarkal deri në shpërbërjen e tij, i cili po shtyp dhe diskriminon çdo ditë.
Marshimi i këtij 8 marsi, u bë për një të ardhme më të mirë!
Add Comment