Arsimimi i vajzave është çështje e rëndësishme në shumë vende të botës, dhe Kosova nuk është përjashtim. Megjithëse ka pasur progres në fushën e arsimimit në Kosovë në vitet e fundit, arsimimi i vajzave vazhdon të jetë sfidë e madhe, veçanërisht në zonat rurale. Në këto zona, arsimimi i vajzave vazhdon të jetë i dobët në krahasim me arsimimin e djemve.
Dy motrat A. B. dhe E. B. nga fshati Bardh i Malishevës, me lot në sy tregojnë se pasi përfunduan shkollën fillore, nuk vijuan shkollën e mesme. Kjo ndodhi sepse pasi babai i tyre nuk ishte dakord që ato të vijojnë mësimin, siç shprehen ato, për “arsye koti”.
“Na jemi dy motra nga nëna të ndryshme. Babi s’na ka lan me vazhdu shkollën e mesme për arsye koti, mentalitetin e ka të ktyneherit. S’ka pas arsye mos me na leju. Na kemi dashtë shumë me u shkollu me u bo të zonjat e vetes. Tash jemi mbet mbrapa me jetën”, rrëfehen ato për Grazetën.
Babi i tyre I.B thotë se ka pasur arsye të ndryshme për këtë vendim, i cili vazhdon të mendojë se ka vepruar mirë.
“Ka shumë arsye pse e kam marr këtë vendim dhe hala mendoj se nuk është i gabuar, vajzën e dytë nuk e kom lan me shku veç pse nuk e kom lan as të paren. Ma të sigurta janë në shtëpi”, shprehet ai.
Vajzat nga shkolla po i largon edhe martesa e hershme
Edhe çështja e martesës së hershme të vajzave vazhdon të jetë sfidë e madhe që ndikon në ndërprerjen e shkollimit. Për shumë familje, vështirësitë ekonomike dhe rolet tradicionale gjinore shihen shpesh si justifikim për ndërprerjen e arsimimit të një vajze dhe martesën e saj në moshë të re. Rezultati është mungesë e barazisë gjinore në arsim dhe mundësi të kufizuara të punës për vajzat që detyrohen ta braktisin shkollën.
F. Y. nga fshati Bresanë i komunës së Dragashit tregon se pasi e përfundoi shkollën fillore, u detyrua nga prindërit që të martohej.
“Sapo përfundova shkollën fillore, u martova. Ishte dëshira e prindërve. Kushtet ekonomike ishin arsyeja kryesore pse më ndalën nga shkolla se edhe babi edhe nëna ishin të papunësuar. Tash, pasi jam martu’, kam këqyr me u punësu’ dikun, po me dëftesë të shkollës 9-vjeçare s’po më merr askush”, tregon ajo.
Në vitin 2022/23, 586 vajza nuk vazhduan shkollën e mesme
Edona Kutleshi – Maliqaj, këshilltare për media në ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), thotë se në vitin 2022/23, 586 vajza nuk u regjistruan në klasën e 10-të.
Ajo thotë se 6 prej tyre braktisën shkollën, 39 u larguan nga vendi, dhe për 541 vajza të tjera thotë se nuk dihen arsyet e ndërprerjes së shkollimit.
“Sipas të dhënave të raportuara në Sistemin e Menaxhimit të Informatave në Arsim, në vitin shkollor 2021/22 i kishim 11739 vajza në klasën e 9-të në arsimin publik dhe privat, ndërkaq në vitin vijues 2022/23 i kemi 11153 vajza të regjistruara në klasën e 10-të të arsimit të mesëm të lartë. I bie 586 më pak. Prej tyre janë të raportuara 39 që kanë dalë jashtë vendit dhe 6 vajza që kanë braktisë shkollimin në klasën e 9 dhe për 541 vajza që pasi e kanë mbaruar klasën e 9 nuk dihet nëse kanë migruar apo nuk kanë dashur të regjistrohen në klasën e dhjetë, sepse kjo e dhënë nuk raportohet në MASHTI”, thotë ajo.
Se a ka në plan MAShTI të aplikojë ndonjë skemë mbështetëse për nxitjen e arsimimit të vajzave, Kutleshi – Maliqaj thotë se në muajin prill do të organizohet konferenca STEMinists, që do ta mundësojë rrjetëzimin e vajzave në këto fusha, si dhe krijimin e mundësive për punë praktike.
“Në muajin prill, nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës, MAShTI do të organizojë Konferencën STEMinists. Kjo konferencë do të mundësojë rrjetëzimin e vajzave/grave në këto fusha, promovimin e fushave STEM në të gjitha nivelet e arsimit, si dhe krijimin e mundësive për punë praktike, mentorim e zhvillim profesional. Falë masave të përvjetshme orientuese e stimuluese, në Universitetin e Prishtinës e kemi 50% pjesëmarrjen e vajzave në fushën e TIK-ut, ndërkohë në Bashkimin Evropian është 17 % pjesëmarrja e vajzave”, thotë për Grazetën Kutleshi – Maliqaj.
Ende ekziston funksionimi i familjeve patriarkale
Sipas sociologës Flakë Ymeri, rolet tradicionale gjinore të babait si kryefamiljar dhe vendimmarrës vazhdojnë ta mbajnë të njëjtin avaz tek familjet në Kosovë, edhe në shekullin e 21-të. Ymeri argumenton se ky mentalitet çon në gabimin kritik të pengimit të përparimit të vajzave të tyre, duke kufizuar kështu potencialin dhe mundësitë e tyre për rritje. Pasojat e kësaj janë të rënda, jo vetëm për vajzat individuale, por për shoqërinë në tërësi.
Përjetësimi i roleve tradicionale gjinore në dinamikën e familjes pengon përparimin drejt barazisë gjinore dhe përforcon një cikël vlerash patriarkale.
“Prindërit që hezitojnë për t’i shkolluar fëmijët, gjegjësisht vajzat, bëjnë një prej gabimeve më të mëdha në jetët tyre, sepse për një vajzë të edukuar mirë, të shkolluar profesionalisht, e nesërmja është e artë”, tha Ymeri.
Ajo argumenton se rolet tradicionale gjinore në rrethana të tilla janë të vështira për t’u ndryshuar dhe vajzat hezitojnë të ndërmarrin hapa të tillë sepse nuk janë të përgatitura të jetojnë dhe të veprojnë të pavarura. Siç analizon ajo, atyre u është futur frika se duhet të mbështeten te një burrë, ashtu siç janë mësuar nga familjet e tyre.
Në një botë ku arsimi është çelës i mundësive dhe për arritjen e suksesit, është thelbësore që të sigurohet që çdo fëmijë të ketë akses në të, pavarësisht nga gjinia. Pavarësisht progresit në vitet e fundit, arsimimi i vajzave mbetet sfidë, veçanërisht në zonat rurale në Kosovë. Rolet tradicionale gjinore dhe vështirësitë ekonomike shpesh shtyjnë prindërit të marrin vendime për t’i dhënë përparësi arsimimit të djemve të tyre, gjersa vajzave ua mohojnë këtë të drejtë themelore.
Si rezultat, shumë vajza detyrohen ta braktisin shkollën, dhe humbasin mundësitë e karrierës dhe detyrohen të martohen në moshë të hershme. Vetëm në vitin akademik 2022/23, 586 vajza nuk e vazhduan klasën e 10-të.
Për ta adresuar këtë çështje, ka nevojë për ndërgjegjësim dhe fuqizim më të madh të vajzave, si dhe ndryshime në rolet tradicionale gjinore, dhe më shumë mbështetje nga qeveria dhe komuniteti. Vetëm duke ndërmarrë veprime kolektive mund të sigurojmë që çdo fëmijë, pavarësisht nga gjinia, të ketë akses në arsimin që i takon./Grazeta/
Add Comment