Shtjellime

Dhuna seksuale në Kosovë në shifra të frikshme: 257 raste të raportuara, mosha më e prekur 11-16 vjeç

Dhuna seksuale po vazhdon të jetë mjaft prezente në shoqërinë tonë. Ndonëse nuk diskutohet shumë rreth kësaj çështjeje për shkaqe kryesisht të mentalitetit patriarkal, apo edhe sfidave të tjera që lidhen më tepër me parandalimin, shifrat e rasteve të raportuara e të ekzaminuara si dhunim janë të frikshme.

Vetëm gjatë vitit 2022, numri i rasteve të raportuara në Policinë e Kosovës si ngacmim seksual, sulm seksual dhe dhunim ishte gjithsej 257 raste.

Në një përgjigje për Grazetën, Policia e Kosovës ka dërguar shifrat e rasteve të raportuara si ngacmim seksual, sulm seksual dhe dhunim për 4 vitet e fundit, të cilat i kemi kërkuar për të kuptuar nëse ka pas ndryshime në numrin e rasteve të raportuara sa i përketë dhunës seksuale.

Fatkeqsisht nuk ka lajme të mira nga përgjigja e Policisë.

Gjatë vitit të fundit numri i rasteve të raportuara si “Ngacmim seksual” u rrit për gati 40 raste, nga 54 raste sa ishin në vitin 2021, arriti në 91 raste në vitin 2022. Rastet e raportuara si “Dhunim” kishin një rënie të vogël në numër nga 102 raste në 2021, në 96 raste në vitin 2022. Derisa ngjashëm ishin edhe rastet e raportuara si “Sulm seksual” me 74 raste të raportuara në vitin 2021 dhe 70 raste në vitin 2022. Këto janë të dhëna vetëm që janë raportuar teksa mund të paramendojmë sa raste të tjera nuk raportohen për shkak të asaj që theksuam në hyrje të tekstit

Nga 100 raste të ekzaminuara 90% rezultojnë dhunim – mosha më e prekur 11-16 vjeç.

Realiteti i dhunës seksuale në Kosovë bëhet edhe më i rëndë, kur marrim këtë përgjigje nga Institui i Mjeksisë Ligjore në Kosovë.

 “Numri i rasteve të ekzaminuara në IML brenda një viti është mesatarisht 100 raste, prej të cilave 90% janë raste dhunimi. Në vitin 2022 janë realizuar gjithsejt 101 ekzaminime klinike mjekoligjore. Nga statistikat e nxjerrura deri tani, grupmosha më e prekur nga veprat penale të cenimit të integritetit seksual (dhunim, trafikim, sulm seksual, etj) janë fëmijët dhe të miturit prej 11-16 vjeç”, thotë Bergita Curri, Specialiste e Mjekësisë Ligjore në Insitutin e Mjekësisë Ligjore në Kosovë, në një përgjigje për “Grazeta” .

E koha që kalon nga raportimi i rastit në Polici deri tek ekzanimi klinik thuhet të jetë mesatarisht 12 orë. Mirëpo, ka vonesa për më shumë se 12 orë të cilat mund të prodhojnë rezultate negative. Por pse ndodhin këto vonesa dhe a e dobëson vonesa efektin e ekzaminimit?

Që nga momenti i raportimit të rastit në Polici e deri te ekzaminimi klinik mjekoligjor asnjëherë nuk kalojnë më shumë se 24 orë, por koha mesatare mund të jetë diku rreth 12 orë pas raportimit. Përjashtim bëjnë rastet të cilat rezultojnë të jenë me cikël menstrual dhe atëherë mjeku kërkon të sillet viktima pasi të përfundojë ciklin. Vonesat kryesisht shkaktohen nga vet viktimat për shkak të hezitimit për të raportuar dhe kjo sigurisht që ndikon shumë shpesh që provat biologjike të shkatërrohen”, shprehet Curri.

Ndër të tjera, specialistja Curri thekson se IML ka staf të mjaftueshëm të specializuar për kryerjen e ekzaminimeve klinike mjekoligjore, por “ajo që na mungon është hapësira e mjaftueshme, komode dhe e përshtatur me ndjeshmërinë për viktimat e dhunës seksuale dhe moshën e tyre”.

Kodi Penal i Kosovës: “Kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet.”

Ndonëse në shoqëri dhunën seksuale shpesh e justifikojnë, e madje e sulmojnë edhe viktimën me komente të tilla si “vet e ka lypë” e tjera të ngjashme, më Kodin Penal të Kosovës dhuna seksuale është e cilësuar si vepër penale dhe tregon se kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e përsonit dënohet me burgim prej 2 deri në 10 vjet. E nga rrethanat se si kryhet kjo dukuri e veçanërisht gjendjes dhe moshes së viktimës së kësaj vepre penale, ligji mund ta dënoj kryesin edhe me 20 vite burgim apo edhe burgim të përjetshëm.

Sa i përket trajtimit të këtyre veprave, avokatja Shëndritë Muriqi-Berisha, nga avokatura “Muriqi&Berisha”, thekson se shifrat e raportuara nuk paraqesin realitetin e dhunës seskuale në Kosovë.

“Besohet të ketë një përqindje shumë të lartë të ngacmimeve seksuale të grave të cilat nuk raportohen, e kjo për shkak të [mungesës së vetëdijës] së këtyre viktimave se sa janë të mbrojtura ligjërisht e shpesh herë edhe për shkak të paragjykimeve të mundshme shoqërore”, shprehet Muriqi – Berisha.

Ajo tregon se ka raste që për shkak të raportimit me vonesë nuk mund të argumentohet kryerja e aktit me dhunë.

“Sa i përket dhunës seksuale rastet e raportuara janë raste me prioritet për shqyrtim si për prokurorinë ashtu edhe për gjykatat ngase të provuarit posaqërisht kërkojnë shpejtim të procedurës. Kushti themelor për ta vërtetuar kryerjen e aktit me dhunë është vërtetimi me ekzaminim të menjëhershëm të viktimës. Ekzistojnë shumë raste që për shkak të raportimit me vonesë nuk mund të kryhet ekzaminimi me kohë dhe të mos argumentohet kryerja e aktit me dhunë”, tregon ajo në përgjigjen e dhënë për Grazetën.

Çfarë po bëjnë institucionet e Kosovës për t’i parandaluar rastet e dhunës seksuale në Kosovë?

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Tinka Kurti, njëkohësisht edhe anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, thotë se janë marrë disa masa në drejtim të parandalimit të dhunës seksuale në vend.

“Masat që janë marrë janë të shumta dhe trajtimet janë institucionale. – Është miratuar strategjia nacionale kundër dhunës në familje; Është mundësuar ndihmë juridike falas për të mbijetuarat e dhunës në familje pavarësisht gjendjes socio ekonomike te tyre; Është vazhduar mbështetja për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. Është lehtësuar kompensimi i viktimave të krimit; Është miratuar për herë të parë protokolli shtetëror për trajtimin e dhunimeve seksuale; Është miratuar kurrikula për trajtimin e dhunuesve; Është ndryshuar Kodi Penal i Kosovës dhe ai i Procedurës Penale, pikërisht duke e adresuar dhunën seksuale ka kaluar në lexim të parë projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore”, shprehet deputetja Kurti.

Ajo thekson se mbi të gjitha nuk është personalisht e kënauqr për sa i takon kësaj çështjeje dhe tregon planet për këtë vit.

“Këtë vit do të shtohet buxheti për strehimoret që strehojnë viktimat e dhunës. Si Komision por edhe si Kuvend kemi diskutuar disa herë gjatë kësaj legjislature lidhur me këtë shqetësim. Në Komision të të Drejtave të Njeriut kemi ftuar disa herë përfaqësues të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në lidhje me rastet. Kurse si grup parlamentar i LV kemi marrë iniciativën për themelimin e komisionit hetimor për rastet e dhunës dhe krimeve seksuale…”, theksoi ajo.

Megjithatë rastet e dhunës nuk po zvogëlohen, pavarësisht lëvizjeve e politikave parandaluese të rasteve të dhunimit seksual dhe sulmeve seksuale.

About the author

Agnesa Qorri

Agnesa Qorri

Agnesa Qorri ka përfunduar studimet Bachelor për Komunikim Masiv dhe Gazetari në Kolegjin AAB. Në po të njejtin departament ka vazhduar edhe studimet master, derisa për një semestër ka studiuar në Kristianstad të Norvegjisë për Gazetari Globale. Ajo ka në përfundim edhe fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti 2016 ka punuar vazhdimisht si gazetare dhe hulumtuese në fushat e politikës dhe ekonomisë, ndërkohë ka përfunduar edhe praktikën e punës në mediumin Deutsche Welle në Bonn të Gjermanisë. Aktualisht, Agnesa punon si gazetare dhe redaktore e emisionit për ekonomi “7 Ditë me Panxhën” që transmetohet në Klan Kosova.

Add Comment

Click here to post a comment