Shtjellime

Rrezikshmëria dhe paragjykimet ndaj grave në komunikacion

Kur e mendojmë një vozitës automjeti, mbase gjëja e parë që na përshkon mendjen është një burrë. Arsyeja mund të jetë që historikisht burrat kanë qenë të prirur për të vozitur, qoftë qerre, qoftë traktor e mjete të tjera pune e transporti dhe rrjedhimisht janë konsideruar më kompetentë për këtë aktivitet. Shumë vite më pare, është krijuar përshtypja që për të vozitur duhet të jesh i fuqishëm e fuqia është emërues për burra. Kësisoj, kur gjinia tjetër ka filluar të vozis ka qenë diçka e pazakonshme, për arsye të qartë se gratë nuk janë konsideruar mjaftueshëm të afta ose të forta të ngasin makinë.

Kështu, që atëherë janë shpërfaqur disa konstrukte shoqërore e stereotipe rreth grave si shofere. Duke filluar nga ajo që gratë e kanë shumë të vështirë të parkojnë makinën ose që ato nuk dijnë të ndërrojnë gomën e automjetit dhe deri te ajo që gratë priren të përfshihen nëpër aksidente për shkak se nuk janë vozitëse të mira sa burrat. Mirëpo, sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Regjistrimit Civil në Kosovë, gjatë vitit 2022 janë certifikuar 95 instruktore gra. Kjo dëshmon zotësinë e grave jo vetëm për të vozitur por edhe për të mësuar të tjerët.

Historia tregon që burrat janë konsideruar superiorë ndaj grave, madje që kur kanë qenë fëmijë, për shkak që, siç e përmendëm më lart, janë parë si të zotë për shumë aktivitete jetësore.

Ngasja e veturës – privilegj vetëm për burra

Ganimete Pireva-Musliu, instruktore me më shumë se trembëdhjetë vite përvojë rrëfen diskriminimin e grave në vozitje që nga fëmijëria.

“Ngasja e veturës është llogaritur një kohë të gjatë një privilegj vetëm për burra, ndërsa gratë, sipas mentalitetit patriarkal që ende dominon, janë cilësuar si gjini që nuk duhet të vozis. Kjo është pasojë e trajtimit joadekuat dhe diskriminues që nga femijëria. Përderisa baballarët në timon ndodhë t’i ulin në prehrin e tyre djemtë 6 apo 7 vjeç, shumica e vajzave mësojnë vetëm kur vijnë në autoshkollë për gjërat më elementare të veturës.”

Ajo ndan për “Grazetën” disa momente të pakëndshme që ka pasur ndër vite në trafik duke u paragjykuar si shofere grua.

“Ka raste në trafik kur shoferët shikojnë me nënçmim, bëjnë ndonjë gjest nervoze apo madje ndodhë të hapin dritaren me dëshirën për të komentuar për ndonjë veprim duke treguar kështu mungesën e kulturës dhe edukatës elementare.”

Tutje, duke pasur parasysh si ndikon pajisja me patent-shofer në emancipimin e grave, Pireva-Musliu inkurajon ato të bëhen shofere dhe të gëzojnë liri të lëvizjes.

“Unë do të doja që të gjitha gratë jo vetëm të pajisen me patent-shofer, por edhe të vozisin sepse duket se ka shumë gra dhe vajza të pajisura me patent-shofer por që për arsye të ndryshme nuk vozisin ose shumë rrallë vozisin. Është koha të jemi të gjithë të barabartë.”

Pra, trafiku është një tjetër ambient ku gratë shihen si më pak të zonjat në krahasim me burrat, ani pse tashmë numri i grave që vozisin është mjaft i madh. Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Brendshme, në Kosovë tashmë ekziston një numër prej 119,822 grave që posedojnë patent-shofer.

Gratë në trafik – edhe më të paragjykuara, edhe më të rrezikuara

Fatkeqësisht, gratë nuk përballen vetëm me stereoptipe, paragjykime e padrejtësi në trafik, por ato përballen edhe me rreziqe që mund t’u kushtojnë me jetë.

Industritë e makinave gjatë fabrikimit të tyre kanë marrë gjithmonë për bazë një burrë mesatar (për nga përmasat), përkatësisht gjatë strukturimit të pjesës së shoferit, gjë e cila nënkupton që makinat në pikënisje janë ndërtuar për burra duke injoruar sigurinë e grave dhe përshtatshmërinë e tyre gjatë vozitjes.

Studimet tregojnë se gratë kanë 40% më shumë gjasa të aksidentohen shkaku i strukturës së ulëses së shoferit tek makinat. Është më së e qartë që struktura trupore e dy gjinive dallon në përmasa të konsiderueshme, si p.sh. pjesa e përparme e trupit, por rripi i sigurisë është i njëjti. Një studim nga Qendra për Biomekanikë të Aplikuar e Universitetit të Virxhinias zbuloi se shoferet gra me rripin e sigurisë në përplasjet në trafik kishin 47 për qind gjasa më shumë për lëndime serioze sesa shoferët burra të lidhur me rripa në përplasje të ngjashme. Për lëndimet e shkallës së mesme, kjo diferencë është 71 për qind.

Pra, ky fakt hedh poshtë shumë paragjykime të shoqërisë mbi vozitjen “e dobët” të grave kur ato përfshihen nëpër aksidente.

Pasiguri për gratë – jo vetëm në trafik

Ermira Danaj, sociologe, sa i përket pasigurisë së grave në komunikacion thotë se kjo ndodhë edhe në fusha tjera.

“Fiziku mashkullor është marrë për bazë në lidhje me parametrat e sigurisë. P.sh, sipas studimeve, në sektorin e ndërtimit u gjet se uniformat dhe pajisjet mbrojtëse janë të papërshtatshme për strukturën trupore të gjinisë femërore, kjo për shkak se sektori i ndërtimit konsiderohet apriori ‘punë për burra’.”

Danaj tutje potencon për “Grazetën” që duhet kohë që shoqëria të vetëdijësohet e mos t’i paragjykojë gratë.

“Në një hapësirë që ka qenë dhe mbetet e dominuar nga burrat, do të duhet ende kohë që të zvogëlohen paragjykimet gjinore” thotë ajo.

Fabrikat e makinave dhe siguria e grave

Duke pasur parasysh këtë padrejtësi dhe anashkalim ndaj sigurisë së grave, fabrikat e makinave mbajnë mbi supe fajin që shumë gra pësojnë aksidente ose edhe humbin jetën gjatë vozitjës. P.sh. Volvo kishte bërë një studim me të cilin kishte nxjerrë përfundimin që në aksidentet e 40 viteve të fundit kanë qenë gratë ato të cilat kanë pësuar më shumë lëndime trupore dhe këto të dhëna i ka ndarë me fabrika të tjera të automjeteve. Sipas tyre, ata punojnë për të krijuar makin a që janë të sigurta për të dy gjinitë.

Gratë përfshihen në më pak aksidente të rënda automobilistike në përgjithësi, por kur ato përfshihen në një aksident, ato kanë më shumë gjasa të pësojnë lëndime serioze, edhe kur përdorin rripat e sigurimit.

Të dhënat kombëtare të aksidenteve automobilistike në ShBA nga viti 1998 deri në vitin 2008 zbuluan se gjasat që një shofere grua e lidhur me rrip të pësonte lëndime të rënda ishin 47% më të larta se ato për një shofer burrë të lidhur me rrip të përfshirë në një aksident të krahasueshëm, kur kontrollohej për peshën dhe masën trupore. (Bose et al., 2011).

Rripi i sigurisë te gratë

Vlen të theksohet që ende nuk ka studim se si ndikon rripi i sigurisë te gratë, duke pasur parasysh pjesën e gjoksit. A do duhej të ishte ndryshe i vendosur rripi për këtë gjini në mënyrë që të jetë më i përshtashëm? Sa problematike është kjo dhe si ndikon gjatë aksidenteve? Këtë nuk e dimë.

Pra, studimet nxjerrin në pah që gratë nuk janë aq të sigurta sa burrat kur ndodhë një përplasje me makinë. Arsyeja mund të ketë të bëjë me mënyrën se si testohen makinat. P.sh. mënyra më e mirë për t’i bërë automjetet të sigurta është duke bërë teste e duke i shkatërruar ato dhe pastaj të studiohet dëmtimi që bëhet tek ‘kukullat njeri-manekine’ (apo siç quhen në gjuhën angleze “dummies”) brenda në makinë.

Por, sipas studimeve, që nga viti 1970 “kukullat njeri” prezantojnë vetëm një lloj specifik të shofëreve dhe që është një burrë me permasa mesatare. Fatkeqësisht, që nga vitet ‘90 janë përdorë këto kukulla për matje të rrezikueshmërisë e për t’u ndërtuar të reja duhen dekada pasi këto kukulla janë shumë të sofistikuara në strukturë, por prapë, strukturë e sofistikuar vetëm e burrave. Dallime në peshë, fortësi të muskujve, shtrirje të kockave e komblik janë vetëm disa nga karakteristikat të cilat tregojnë që struktura trupore e grave dallon shumë nga ajo e burrave.

Siguria në komunikacion, ashtu si për burrat, edhe për gratë është e domosdoshme dhe duhet të garantohet duke krijuar kushte të barabarta. Me shpresë që një gjë e tillë do të bëhet në të ardhmen, tani për tani gratë duhet të jenë dyfish më vigjilente dhe të kujdesshme kur vozisin. Ky është vetëm një rast tjetër ku shkenca favorizon burrat ndaj grave.

About the author

Eriona Hoti

Eriona Hoti

Eriona Hoti ka përfunduar studimet bachelor në Departamentin e Gazetarisë, pranë Universitetit të Prishtinës dhe ka punuar nëpër disa media në Kosovë dhe Zvicër për më shumë se shtatë vite. Tashmë ajo po vijon studimet e masterit në “Komunikim Strategjik dhe Avokim” si bursiste në James Madison University në ShBA, ku edhe punon si asistente e lendës së komunikimit. Ajo në fokus të punës së saj ka avokimin për grupet e margjinalizuara dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.

Add Comment

Click here to post a comment