Ende s’kisha diplomuar në fakultet kur m’u ofrua një vend pune në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Ishte gushti i vitit 2013.
Në njërin nga mëngjeset e vjeshtës së atij viti, kishte ndoshta një muaj e ca që kisha filluar punë dhe ndaja zyrën me një kolege, dola jashtë për pak minuta, por kur u ktheva atë e gjeta tejet të shqetësuar.
Nuk e pyeta çfarë nuk shkonte. Më tregoi vetë.
Derisa ajo ishte e vetëm në zyrë, njëri nga kolegët kishte ardhur dhe e kishte puthur në faqe.
“’Mirëmëngjes’, më tha ai dhe u nis drejt meje. Në pak sekonda ishte afër edhe më puthi në faqe. Idenë s’e kisha se cili ishte qëllimi i tij gjersa po vinte drejt meje. U ndjeva shumë keq dhe i thashë që të mos e bënte më asnjëherë. Ai u largua duke thënë se do të kthehej më vonë për punën që kishte ardhur – e që s’kishte të bënte aspak me mua”, m’u rrëfye.
Ajo më tregoi se ai kishte thënë që ishte ndier i fyer nga komenti i saj, sepse e konsideronte të afërt, prandaj erdhi dhe e puthi në faqe.
“E kam parë ndoshta vetëm dy herë në jetë edhe ai erdhi e më puthi në faqe. S’e kuptoj si është e mundur që dikush të të konsiderojë papritmas kaq të afërt sa të të puthë në faqe në atë formë?”, thoshte me tone ankese e shqetësimi.
Atëherë nuk është se unë dija t’i jepja një definicion të qartë një sjelljeje të tillë. Por, ajo që ne të dyja e dinim me siguri ishte se një puthje në faqe në atë mënyrë s’ishte aspak në rregull. Nga ai moment edhe unë kisha një lloj droje dhe hezitimi t’i flisja gjithkujt atypari, madje edhe të tregohesha miqësore dhe e hapur.
Kjo gjë s’u diskutua me askënd tjetër, as me eprorët. Nuk i sugjerova ta raportonte e as ajo nuk tha që do ta bënte. S’e dinim as që një gjë e tillë mund të raportohej. Fundja, edhe po të raportonte, si do ta shpjegonte? Si do t’ia vinte emrin asaj sjelljeje? Ngacmim seksual? S’do të pinte ujë.
Më vonë unë e lashë atë vend pune për ta nisur karrierën në një shtëpi të madhe mediatike. Një ditë erdhi lajmi se një zyrtar i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik ishte arrestuar në Japoni për ngacmim seksual. Personi i arrestuar ishte një ish-koleg tjetër, të cilin e kisha parë të ngacmonte e të jepte komente të natyrës seksuale karshi kolegeve gra. Mjaftuan inicialet e tij në raportet e policisë që ta vërtetoja saktësisht dyshimin tim fillestar.
Në ambiente institucionale në Kosovë edhe më herët kishin ndodhur ngacmime seksuale dhe askush s’i kishte raportuar e s’kishte thënë gjë. Raportimi dhe arrestimi i tij u bë në një vend tjetër gjatë udhëtimit zyrtar.
Ngacmimi seksual në vendin e punës: Çfarë bëhet në Kosovë?
Toleranca karshi ngacmimeve seksuale në Kosovë është e madhe – arrin nivelin e normalizimit. Ndonëse që nga nëntori i vitit 2020 në fuqi është edhe një politikë qeveritare për parandalimin e ngacmimit seksual, që është e reduktuar vetëm në administratën publike, implementimi i saj ka ngecje të mëdha.
Për dy vjet punoj për Kombet e Bashkuara, në agjencinë UN Women. Njëri nga projektet ku jam angazhuar ka të bëjë me sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe dinamikat gjinore në këtë fushë. Ngacmimi seksual në vendin e punës është në fokusin tonë. Në fakt, UN Women ka mandat global që ta luftojë fenomenin.
Disa sesione trajnimesh janë organizuar me grupe të ndryshme, përfshirë zyrtarë publikë që punojnë në departamentet e burimeve njerëzore. 99% e tyre s’kishin njohuri për ekzistencën e politikës për parandalimin e ngacmimit seksual. Nisur nga ky fakt, lirisht mund të thuhet se politika kosovare nuk ka shenja të vullnetit për implementimin e kësaj politike.
Sipas ekspertëve të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ngacmimi seksual në vendin e punës e thellon pabarazinë në punë dhe e vë në pikëpyetje integritetin, dinjitetin dhe mirëqenien e punëtorëve. Për më tepër, e dëmton edhe ndërmarrjen apo organizatën, meqë hulumtimet dëshmojnë se bie produktiviteti dhe rriten telashet ligjore që kanë edhe kosto financiare.[1]
Meqë fenomeni shfaqet kaq i dëmshëm për botën e punës, është tejet e domosdoshme të investohet në parandalim dhe ngritje të vetëdijes për raportim – ndonëse raportimi është sporadik në përgjithësi dhe aspak i rregulluar sistematikisht përmes mekanizmave.
Së fundmi, zyra në Kosovë e UN Women ka realizuar një hulumtim në terren për të nxjerrë të dhëna statistikore mbi ngacmimin seksual në vendin e punës. Nga hulumtimi me 500 respondentë në shtatë regjione të vendit rezultoi se 9% e grave ishin ngacmuar seksualisht në vendin e punës, ndërsa format më të shpeshta paraqiteshin komentet verbale të natyrës seksuale.
Studimi është kryer vetëm me gra, për shkak se praktikat dëshmojnë se gratë janë më të ekspozuara karshi fenomenit dhe ky është trend global.[2]
Ndonëse pyetësorët ishin anonimë dhe e dhëna prej 9% ka dalë bazuar në një metodologji me margjinë të ultë të gabimit, besojmë që ngacmimi seksual në vendin e punës është i nënraportuar. Nisur nga rrëfimi i dy historive të ngacmimit seksual në vendin e punës, edhe besimi se ka nënraportim gjen mbështetje.
Përveç se është mungesë e vetëdijes karshi fenomenit dhe definicionit të tij, nënraportimi vjen edhe nga frika e humbjes së vendit të punës, turpi dhe droja se askush s’do të besojë.
Çdoherë kur zhvilloheshin sesionet e trajnimeve të lartpërmendura për këtë çështje me grupe të ndryshme – jo domosdoshmërisht zyrtarë publikë, pjesëmarrësit në masë të madhe e kishin të pamundur ta ndanin shkeljen e kodit të veshjes nga vepra penale e ngacmimit seksual. Kultura e fajësimit të viktimës, apo personit të ngacmuar, shfaqej gjithnjë sa herë paraqiteshin situata të ngacmimit të cilat kërkonin trajtim e menaxhim. Pamundësia për t’i ndarë këto të dyja na bënte të kuptonim se ishte e pamundur që viktimat të merrnin trajtimin dinjitoz në vendin e punës, duke krijuar kështu hendekë të mëdhenj në përpjekjet e mëtejme drejt ngritjes së kapaciteteve.
Përpjekjet globale për parandalim
Megjithatë, është me patjetër të theksohet që ngacmimi seksual s’është fenomen i pranishëm më shumë në Kosovë krahasuar me vendet e tjera. Sipas të dhënave të një hulumtimi global të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, të kryer në vitin 2022[3], 6% e të punësuarve të anketuar janë deklaruar se kanë përjetuar ngacmim seksual të paktën një herë në jetën e tyre profesionale.
Kombet e Bashkuara, konkretisht Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), në përpjekje për ta maksimalizuar veprimin në drejtim të eliminimit të diskriminimit dhe pabarazive gjinore në marrëdhëniet e punës, e kanë aprovuar Konventën Kundër Ngacmimit dhe Dhunës në Vendin e Punës[4]. Kësisoj është njohur ndikimi i ngacmimit dhe dhunës në përgjithësi, përfshirë dhunën e ngacmimin seksual, si kërcënim për sigurinë dhe shëndetin e punonjësve, duke i konsideruar si shkelje të të drejtave të njeriut dhe abuzim.
*Autorja është angazhuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore për shkrimin e këtij artikulli në mbështetje të Ambasadës së Holandës në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli është vetëm përgjegjësi e autores dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimin zyrtar të Mbretërisë së Holandës.
[1] https://www.ilo.org/wcmsp5/groups/public/—dgreports/—gender/documents/briefingnote/wcms_738115.pdf
[2] ILO (2022) “Experiences of violence and harassment at work: A global first survey” https://www.ilo.org/wcmsp5/groups/public/—dgreports/—dcomm/documents/publication/wcms_863095.pdf
[3]ILO (2022): “Experiences of violence and harassment at Work: A global first survey” https://www.ilo.org/wcmsp5/groups/public/—dgreports/—dcomm/documents/publication/wcms_863095.pdf
[4] ILO (2029): “Violence and Harassment Convention, 2019 (No. 190) and its accompanying Recommendation (No. 206)”. https://www.ilo.org/wcmsp5/groups/public/—ed_protect/—protrav/—safework/documents/publication/wcms_751832.pdf
Add Comment