Sot më 1 qershor, në vende të ndryshme të botës e po ashtu edhe në Kosovë, festohet ‘Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve’, si nismë për mirëqenien dhe të drejtat e fëmijëve.
Ndonëse me këtë ditë as nuk nis e as nuk përfundon kauza që thërret për përfundimin e abuzimit të fëmijëve, përfundimit të privimit të fëmijëve nga të drejtat e tyre dhe përpjekjeve për të përmirësuar vet jetën e fëmijëve, ndonjëherë harrohet rëndësia e personave përreth dhe faktorëve të jashtëm që e vështirësojnë jetën e fëmijëve.
Në Kosovë, nënat beqare apo vetushqyese përballen me sfida nga më të ndryshmet, duke filluar nga diskriminimi e deri tek barrierat sociale dhe ekonomike.
Por si ndikojnë këto sfida në mirëqenien e fëmijëve të tyre dhe sa është i rëndësishëm adresimi i nevojave të nënave vetushqyese që të përmirësohet jeta e fëmijëve?
“Nënat vetushqyese dhe fëmijët e tyre, përjetojnë stigmë shoqërore çdo ditë”
Arjeta Gashi, Drejtoreshë e Shoqatës së Prindërve të Ndarë, në një prononcim për Grazetën, shprehet se ndër barrierat kryesore sociale për nënat vetushqyese dhe fëmijët e tyre është stigma shoqërore.
“Nënat vetushqyese dhe fëmijët e tyre, përjetojnë stigmë shoqëore çdo ditë. Kjo pabarazi sociale ka ndikim mjaft të madh negativ pikërisht pse ato dhe fëmijët e tyre konsiderohen të pabarabartë në shoqeri dhe trajtohen ndryshe nga shoqëria dhe madje edhe nga organet relevante të mirëqenies”.
E diskriminimi i nënave vetëushqyese ndikon në rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre në shumë mënyra, kështu thotë Arjeta Gashi.
“Nënat vetëushqyese, të cilat përballen me diskriminim, shpesh përjetojnë stres emocional dhe ekonomik. Kjo mund të ndikojë në aftësinë e tyre për të ofruar një mjedis stabil për fëmijët dhe për t’ua plotësuar nevojat e tyre bazike. Nënat mund të ndihen të pakënaqura, të demoralizuara dhe të humbura për shkak të ndjeshmërisë ndaj diskriminimit. Fëmijët mund të përjetojnë ndikimin e negativ në vetëvlerësim, zhvillim emocional dhe marrëdhëniet e tyre sociale.”
“Varfëria është një pengesë kryesore për nënat vetëushqyese”
Sigurisht, faktorët ekonomikë, si varfëria dhe mungesa e qasjes në kujdesin shëndetësor krijojnë barrë shtesë për nënat që duhet të mbajnë përgjegjësinë e pindërimit të vetëm. Për këto sfida tregon tutje Gashi, nga Shoqata e Prindërve të Ndarë.
“Mungesa e burimeve financiare të mjaftueshme i bën ato të përballen me sfida të rënda për të siguruar ushqimin, veshjen, strehimin dhe nevojat themelore për fëmijët… Mungesa e qasjes në kujdesin shëndetësor është një tjetër sfidë për nënat vetëushqyese. Shpesh, kostoja e shërbimeve shëndetësore është e lartë dhe nënat me burimin ekonomik të kufizuar pa as një mbështetje nga babai i fëmijëve hasin vështirësi në aksesimin e kujdesit mjekësor për veten dhe fëmijët e tyre.”
Por çfarë ndodh kur nënat vetushqyese dëshirojnë të punësohen, a ekzistojnë praktika diskriminuese që i pengojnë ato?
“Nënat vetëushqyese mund të përballen me diskriminim në procesin e punësimit, për shkak të mungesës së mbështetjes së mjaftueshme për kujdesin e fëmijëve… Diskriminimi gjatë punësimit mund të shprehët në forma të ndryshme, siç janë kërkesa për orare të rrepta pune që nuk mund t’i përshtaten kujdesit për fëmijët… Derisa, gjykatat dhe autoritetet gjyqësore shpesh nuk përfillin interesat dhe nevojat e fëmijëve të nënave vetëushqyese gjatë proceseve gjyqësore”, përfundon drejtoresha e Shoqatës së Prindërve të Ndarë, Arjeta Gashi.
E në aspektin psikologjik, diskriminimi që u bëhet nënave vetushqyese lëndon gjendjen emocionale të tyre si dhe afekton gjendjen e fëmijës, kështu shprehet psikologia Behare Bojaxhiu.
“Fëmijët ndihen të përjashtuar nga shoqëria si në shkollë, në rrugë etj. Këta femijë kanë nevojë për mbështetje në të gjitha rrethanat, ngase nuk ndjehën të plotë dhe të aftë për të realizuar qëllimet e veta për të ardhmën e tyre. Po flasim përgjithësisht, por mund të ketë edhe përjashtime në rastet kur nëna vetushqyese ka mbështetjen e familjes në të gjitha format atëherë do ta ketë pak më të lehtë t’i përballojë vështiresitë të cilat i dalin para”, shprehet psikologia Bojaxhiu.
Ndërsa sociologia Flakë Ymeri, thekson se diskriminimi i nënave vetushqyese rezulton në ngecje të zhvillimit social tek fëmijët.
“Diskriminimi i nënave vetushqyse në vendin tonë është shumë i lartë duke filluar nga paragjykimet shpesh familjare e shoqërore. Në tërë këtë proces, fëmijëve të nënave vetushqyese ju vështirësohet jeta në rrugtimin e tyre fëmirorë duke qenë të diskriminuar veçanërisht aty ku ndodhen, qoftë në shkolla apo edhe në rrethin shoqërorë. Në këtë moshë ata pësojnë ngecje në aspektin e zhvillimit social me të tjerët, e tërhjeken nga pjesa shoqërore vetëm të mos ndihen keq, pastaj kjo krijon pasoja të mëvonshme në përsonalitetin e tyre”, thotë sociologia Flakë Ymeri në një prononcim për Grazetën.
Ndërkaq, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në muajin mars 2023 janë regjistruar 2 mijë lindje. Ndërsa, gjatë po të njejtit muaj, janë regjistruar gjithsej 1 mijë e 539 kurorëzime, kurse shkurorëzime janë regjistruar 176 raste.
Add Comment