Vera është emri i vajzës së sapo lindur të Fatos S., i cili ani pse u bë prind për herë të parë, nuk po mund ta gëzojë nga puna lejen e atësisë, në mënyrë që të përjetojë bashkë me gruan ditët e javët e para të jetës së vajzës së tyre.
E, ndonëse Fatos S. iu dhanë dy ditë pushim me pagesë për lindjen e fëmijës, ashtu siç është e rregulluar në ligjin e punës të Kosovës, ai thotë se kjo nuk është aspak e mjaftueshme.
“E kam pritë me padurim të shoh vajzën time të vjen në jetë e nuk mund të paramendoj të qëndroj pranë saj dhe gruas sime vetëm për dy ditë, aq sa më lejohet me ligj pushimi për lindje të fëmisë. Gruas sime nuk i mjafton vetëm pushimi i lehonisë sepse është koha kur ka më së shumti nevojë që unë të jem pranë saj, ta mbështes atë në aspektin emocional dhe në çdo gjë tjetër. Madje më takon të kujdesem po aq sa ajo për vajzën tonë”, shprehet ai për “Grazetën”.
Ndërkohë Fatos S. tregon për zgjidhjen që ka bërë për të kaluar këto ditë pranë familjes së tij, si dhe bën thirrje që ligji për lejen e atësisë të rregullohet me urgjencë.
“Unë kam ruajtur ditët e pushimit tim vjetor nga puna për t’i shfrytëzuar për ditët kur të jetë lindur vajza ime, por kjo nuk është e drejtë. Leja e atësisë duhet rregulluar me ligj shumë me urgjencë, është hapi kryesor për një prindërim të barabartë”, thekson ai.
Leja e atësisë i referohet kohës së pushimit nga puna që u jepet baballarëve pas lindjes ose birësimit të një fëmije. Përmes lejes së atësisë synohet që baballarëve t’u ofrohet mundësi për t’u lidhur me të porsalindurit e tyre, për të marrë pjesë aktive në kujdesin dhe për të mbështetur partnerët e tyre gjatë fazave të hershme të prindërimit.
E, pikërisht për mundësinë e lidhjes mes baballarëve dhe fëmijëve, si dhe kujdesit të përbashkët ndaj fëmijës, gazetari dhe sociologu Bajram Lani, i cili është po ashtu baba i dy fëmijëve, thotë se legjislacioni duhet t’u jap baballarëve mundësinë e lejes së atësisë.
“Sikurse nënat edhe baballarët duhet të kenë pushim prindëror për fëmijët e vegjël, në mënyrë që kujdesi i prindërve ndaj fëmijës të jetë i ndarë, të jetë i përbashkët, ndonëse nuk mund të jetë tërësisht në mënyrë të barabartë. Kjo jo vetëm që do t’i ndihmonte nënat, të cilat edhe ashtu në periudhën pas lindjes përballen me gjendje tjetër emocionale, por do t’u ndihmonte edhe baballarëve dhe do t’i lidhte ata më shumë me fëmijët në fillim të jetës së tyre sepse edhe baballarët mund të lidhen më foshnjat nëse ata i marrin përgjegjësitë e tyre dhe kujdesen për fëmijët në muajt e parë të jetës,” u shpreh gazetari dhe sociologu Lani në një prononcim për “Grazetën”, duke shtuar se edhe legjislacioni duhet t’u jap baballarëve mundësi që të kenë pushim prindëror që të jenë në atë periudhë afër fëmijës.
Në nenin 50 të Ligjit të punës ku përcaktohen të drejtat e të atit të fëmijës, babai ka të drejtë për vetëm dy ditë pushim me pagesë në rastin e lindjes së fëmijës, gjë të cilën drejtoresha e organizatës Kosova – Women 4 Women, Iliriana Jaka, e konsideron në shpërputhje me përpjekjet për barazi gjinore dhe prindërim të barabartë.
Jaka thekson pikat që sipas saj duhet ndryshuar në modelin ekzistues sa i përketë pushimit të prindërimit për të dy prindërit.
“E para që duhet rregulluar/ndryshuar është pagesa e lejes së lehonisë për gratë që punëdhënësi të paguajë për 6 muaj 70% të rrogës së nënës. Ekzistojnë shumë mënyra të tjera të kompenzimit të cilat nuk e diskriminojnë as gruan dhe as punëdhënësin. Për mendimin tim (si nënë, mjeke, grua dhe kontribuese në fushën e barazisë gjinore) është me rëndësi që koha e lejes së lehonisë të mos shkurtohet për nënat, pasi në realitetin ekonomik në të cilin jetojmë, shkurtimi i kësaj kohe do të ishte i dëmshëm për të gjithë. Ligji për gjidhënie është përkujtues i mirë që duhet të jemi të kujdesshem për nënat gjidhënëse,” u shpreh Iliriana Jaka në prononcim për “Grazetën”.
Po ashtu, Jaka shtoi se pushimi për baballaret duhet të zgjas disa muaj por të jetë fleksibil se kur i përshtatet çiftit për ta marrë për arsye se roli i babait duhet të merret parasysh edhe për ndihmën të cilën ai duhet t’ia ofrojë nënës së foshnjës.
Me Ligjin e punës, babai i fëmijës ka mundësinë të marrë të drejtat e nënës (të pushimit të lehonisë) nëse nëna vdes ose e braktis fëmijën para se të përfundojë pushimi i lehonisë. Po ashtu, lejohet që të drejtat e pushimit të nënës të barten tek babai i fëmijës me marrëveshje mes tyre.
E, kjo mundësi e lejuar në ligjin e punës po konsiderohet si pabarazi nga avokatja Donjeta Kryeziu.
“Edhe pse kjo lejohet, prapë në thelb është pabarazi sepse me Ligjin për familjen përcaktohet se kujdesin prindëror e ushtrojnë prindërit bashkërisht dhe me marrëveshje. Pra, prindërit kanë të drejta të barabarta dhe kanë detyrime të barabarta në raport me fëmijët e tyre. Andaj, të njëjtën të drejtë duhet ta gëzojnë edhe sa i përket pushimit të lindjes së fëmiut,” thekson avokatja Kryeziu për “Grazetën” dhe shtonse edhe pse kjo mund të jetë menduar si fuqizim i gruas, përkundrazi, në thelb, është diskriminues që rrjedh edhe nga mentaliteti i shoqërisë ku jetojmë se kujdesi ndaj fëmijëve është obligim vetëm i grave, si dhe shpreh një ndarje të ashpër të roleve gjinore.
Ndryshe, Forumi Ekonomik i Grave, që është koalicion i organizatave të shoqërisë civile, gjatë vitit të kaluar ka propozuar një model për Ligjin e Punës që sipas tyre e balancon më mirë barrën e kompensimit midis qeverisë dhe punëdhënësve, ku kostoja totale për Buxhetin e Kosovës do të ishte rreth 11 milion euro.
Ajo çfarë rekomandon ky model është që gjashtë muajt e parë të lejes të konsiderohen si leje e lehonisë që u ofrohet nënave. Gjatë kësaj periudhe, baballarët do të kenë të drejtën e një muaji leje të atësisë. Si leja e lehonisë ashtu edhe leja e atësisë do të paguhen nga qeveria me 70% të pagës. Gjashtë muajt e dytë do të ofrohen si leje prindërore, nga të cilët tre do të paguhen nga punëdhënësi me 70% të pagës; nga këta tre, të paktën një muaj do të ishte leje e patransferueshme për baballarët. Tre muajt e fundit do të ishin pa pagesë, siç janë aktualisht, dhe një nga këta muaj gjithashtu do t’i ndahej babait si i patransferueshëm, thuhet në raportin e Rrjetit të Grave të Kosovës “Kostot e lehonisë, atësisë dhe dispozitave të lejes prindërore për Ligjin e ri të Punës në Kosovë”.
Por, pavarësisht punës dhe aktiviteteve të organizatave për barazi gjinore në këtë aspekt, deri më tani nuk është ndërmarrë nga institucionet ndonjë veprim sa i përket plotësim-ndryshimit të Ligjit të Punës.
Add Comment