Në shumë kultura, kjo ndarje e punëve ka lënë gratë me një barrë të madhe mbi supe, duke i vënë nën presionin e një përgjegjësie të madhe gjatë periudhës së festave. Në shumicën e rasteve pritet që gratë të marrin përsipër përgatitjen e ushqimit festiv, pastrimin e shtëpisë dhe organizimin e aktiviteteve festive. Sabina Musliu, psikologe, shpjegon që kjo ndarje tradicionale e detyrave ndër të tjerash sjell ngarkesë emocionale te gratë dhe rrjedhimisht i bën festat më stresuese për to.
“Hulumtime të ndryshme theksojnë se festat sjellin përgjegjësi shtesë tek gratë — rrjedhimisht edhe më shumë stres. Balancimi i kërkesave të një karriere me përgjegjësitë që vijnë me sezonin e festave mund të ndikojë ndjeshëm në mirëqenien e grave,” tha Musliu për “Grazetën”, duke shtuar se presioni për të përmbushur afatet dhe pritshmëritë profesionale, si dhe ato shoqërore, sjellë ngarkesë emocionale dhe se ky rol i dyfishtë shpesh çon në nivele të larta stresi
Në kulturën tonë ekziston ideja që gjithçka duhet të jetë e përsosur gjatë periudhës së festave, madje kërkohet edhe nga vetë gratë që ato të bëjnë gjithë ato punë dhe po ashtu të duken bukur. Këtë problem e shpjegon tutje sociologia Ermira Danaj.
“Gratë duhet të jenë përfekte kudo, në gatim, pastrim, kujdes për fëmijet, shtrim tavoline, por ndërkohë duhet dhe të jenë sa më të bukura, të veshura sa më bukur, të lyera etj, dhe është pikërisht ky presion social që e rendon edhe më shumë barren që iu bie grave,” thotë ajo.
Po ashtu, gjithçka duhet të jetë e të duket pastër e mirë gjatë festave sepse ka frekuentim të të afërmeve dhe sigurisht janë gratë ato që duhet të kujdesen edhe për imazhin e familjes.
“Ende sot në shumë raste, meraku më i madh është pastrimi gjatë festave për shkak se ‘bota’ do ta gjykon nivelin e pastrimit e gatimit. Ishte dhe është roli i gruas ai që vihet në pikëpyetje, imazhi i familjes lidhet me këtë rol dhe sigurisht barra e turpit do t’i bie gruas që nuk e bën detyrën/at,” tha Danaj për “Grazetën”, duke shtuar se ende shumë gra e vajza kalojnë më shumë kohë duke pastruar e gatuar se sa duke pushuar apo duke shijuar thjesht kohën e tyre të lirë.
Në këtë kontekst, ndarja tradicionale e punëve është një reflektim i thellë i normave sociale dhe kulturore që kanë ndikuar në krijimin e një strukture patriarkale, jo vetëm në vendin tonë por në shumë vende të botës. Ky model tradicional ka rezultuar me vendosjen e grave në një pozitë më pasive dhe me një rol të kufizuar në shoqëri. Madje, në shumë vende të punës grave iu ipet leje të largohen më herët nga puna gjatë kohës së festave, duke lënë të kuptohet që ato kanë barrën për të organizuar gjithçka përgjatë festave dhe që kjo është gjë normale.
“Grave iu ipet leje të dalin më herët nga puna për të balancuar rolet, barrat e shumta që mbajnë mbi shpatulla, punën e paguar dhe atë të papaguar në shtëpi. Shpesh kjo shihet si ‘nder’ dhe ‘ndihmë’ që iu bëhet grave sepse aq shumë i brendësuar është roli i tyre dhe aq shumë të mirëqena merren detyrat ‘e tyre’ që në fakt i atribuon sistemi patriarkal por mësohen si të jenë ‘natyrore’”, potencon tutje sociologia Danaj.
Ndarja tradicionale e detyrave gjatë festave, në mënyrë të veçantë kur është e padrejtë dhe e pakëndshme për gratë, ka ndikim të drejtpërdrejt edhe te një hallkë tjetër – fëmijët. Ky model i vjetër dhe seksist i detyrave mund të krijojë besime të gabuara te fëmijët rreth rolit të grave në shoqëri. E dimë që fëmijët marrin shembuj nga rolet e prindërve. Një ambient ku gratë mbajnë barrën kryesore të përgatitjeve të festave mund të ndikojë gabimisht në formimin e paragjykimeve dhe të konceptit të barazisë gjinore. Kjo çon në përforcimin e stereotipeve gjinore dhe në mungesën e sensibilitetit të duhur mbi bashkëpunimin rreth detyrave brenda shtëpisë.
Për të ndikuar pozitivisht është i rëndësishëm kujdesi për ndarjen e drejtë të përgjegjësive. Kjo do t’i ndihmojë fëmijët të zhvillojnë vetëdijë të shëndetshme gjinore dhe të mos krijojnë stereotipe të panevojshme.
“Një shpërndarje e drejtë e përgjegjësive familjare siguron që barra të mos merret në mënyrë disproporcionale nga një individ. Çiftet e suksesshme e kuptojnë se nëse nuk kushtohet vëmendje e madhe pjesës së ndarjes së detyrave familjare, atëherë shumica e punëve të shtëpive do t’i kalojnë automatikisht gruas,” tha psikologia Musliu dhe shtoi se prandaj kërkohet vëmendje e qëllimshme dhe kujdes në këtë aspekt sepse kur detyrat ndahen mes anëtarëve të familjes krijohet një dinamikë pozitive familjare.
Ndërkaq, për të adresuar këtë problematikë, është e rëndësishme të fillojmë të bisedojmë hapur dhe të ndërgjegjësojmë shoqërinë rreth ndikimit të këtyre normave tradicionale. Gratë duhet të kenë të drejtat dhe mundësinë për të zgjedhur në lidhje me përgjegjësitë e tyre gjatë festave e kësisoj duhet të inkurajohet një ndarje të barabartë të detyrave në shtëpi. Për një shoqëri më të barabartë dhe të drejtë është koha që të krijojmë një ndërgjegje kolektive dhe të angazhohemi në ndryshimin e këtyre modeleve të vjetra.
Add Comment