2638 raste të dhunës në familje ishin raportuar në Policinë e Kosovës gjatë vitit 2023. Nga ky numër i rasteve, 2120 prej viktimave të dhunës në familje ishin gra dhe vajza.
E në anën tjetër, 2375 burra ishin evidentuar si kryes të dhunës në familje.
Këto shifra tronditëse e dëshmojnë realitetin e vrazhdë në të cilin jetojnë gratë në Kosovë, e njëkohësisht i rrëzojnë përtokë gënjeshtrat e krijuara rreth ngritjes së pozitës së gruas në shoqërinë kosovare.
Ose më mirë të themi, për çfarë ngritje të pozitës bëhet fjalë kur vetëm gjatë vitit 2023, në Kosovë janë vrarë 4 gra, si viktima të dhunës në familje.
Rastet e vrasjeve të tyre e shokuan e mobilizuan “shoqërinë online”, megjithatë nuk mund të themi se u pa ndonjë iniciativë e ndërmarrë nga insitutcionet përgjegjëse.
Madje, rreth dy javë më parë ndodhi diçka që nuk na gëzoi aspak, u njoftuam që Gjykata e Apelit anuloi aktgjykimin e Gjykatës së Ferizajit dhe kthyeu në rigjykim rastin e vrasjes së 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmani, e cila ishte vrarë në gusht të vitit 2021.
Ky kthim i rastit në rigjykim ngjalli reagime e dyshime edhe tek familjarët e grave të tjera që ishin viktima të dhunës në familje.
Vëllai i Liridona Ademaj, gruas së vrarë në nëntorin e 2023-ës, Leonard Ademaj shkroi në Facebook:
“Sot tre muaj që kur se na e kanë vrarë Liridonen tonë. Dhimbja sa vjen e shtohet e neve na mban shpresa që drejtësia nuk do të vonojë. Derisa e vajtojmë vajzën dhe motrën tonë, me dhimbje të thellë po i ndjekim informacionet për gjykime të vrasjeve të vajzave që janë bërë me gabime që çojnë në rigjykime apo edhe për raste kur gratë janë abuzuar fizikisht dhe dhunuesit enden të lirë ose reklamohen publikisht.”
Dhuna e rastet e vrasjeve nuk janë të vetmit faktorë që e tregojnë realitetin e jetës së grave në Kosovë.
Gratë vrahen e dhunohen psiqikisht përditë përmes shkeljes që u bëhet në vendin e punës.
Paramendojeni, sa e rëndë është ta kuptosh se kolegu yt, i gjinisë mashkullore, paguhët më shumë se ti për punën e njejtë, e ndoshta edhe më pak punë, vetëm për faktin se është burrë biologjikisht.
Në Kosovë gratë paguhen 14% më pak se burrat në të gjithë sektorët, ku paga mesatare për gratë është 381 Euro ndërsa për burrat është 434 Euro, tregojnë të dhënat e Data4X.
Dallimet më të mëdha në paga janë në industrinë “Shëndeti i njeriut dhe punët sociale” ku paga e burrave është 559 Euro, ndërsa paga e grave është 335 Euro, me -40% më pak, informojnë statistikat.
Pra, gratë marrin 53 Euro më pak se burrat për punën e njejtë.
Në këtë rast pyes, a mund të themi se kemi punëdhënës me mendësi patriarkale? Sipas të dhënave përgjigja nënkuptohet vet.
Përveç nënvlerësimit të punës që konsiderohet e paguar, gratë në Kosovë bëjnë edhe shumë punë që janë të papaguara, e që në këtë kategori hyjnë kryesisht punët e shtëpisë, kujdesi ndaj fëmijëve dhe kujdesi ndaj të moshuarve.
Mesatarisht 6.2 orë është koha që shpenzojnë gratë në Kosovë në punë përkujdesi të papaguar brenda ditës, për dallim burrat shpenzojnë vetëm 3.5 orë në këto punë, thonë të dhënat e hulumtimit “Who Cares – Përkujdesi si punë e papaguar në Kosovë”, të Insitutit për Politika Sociale Musine Kokalari.
Sipas këtij hulumtimi, një individ në Kosovë shpenzon mesatarisht 4.9 orë në punë përkujdesje të papaguar, ku gratë shpenzojnë 2.7 orë ose 44% më shumë për punë të papaguar se burrat, përkatësisht gratë shpenzojnë 4.73 orë duke bërë punë shtëpie, 1.97 orë në kujdesin e fëmijëve dhe 1.15 orë në kujdesin e të moshuarve.
“Nga gjithsej 520.495 gra (18-65) dhe 518.820 burra (18-65) që jetojnë në Kosovë, vlera totale e punës së kujdesit të papaguar në Kosovë është 2 miliardë 824 milionë Euro; respektivisht 1 miliardë 792 milionë Euro (63.47%) për gratë dhe 1 miliardë e 31 milionë Euro (36.52%) për burrat. Kjo vlerë e punës së papaguar të kujdesit përfaqëson 33% të GDP-së së Kosovës – 22% gra dhe 11% burra”, thekson hulumtimi.
Në anën tjetër, sa i përket punës me pagesë, ashtu siç e dijmë gratë mbajnë të njejtin orarë në punë njejtë si kolegët e tyre burra.
E të dhënat zyrtare për tregun e punës në Kosovë tregojnë se 60.5% e popullësisë në moshë pune është joaktive.
Dallimet gjinore janë mjaftë të theksuara, ku një në pesë vajza/gra në moshë pune janë aktive në tregun e punës, krahasuar me tri te pestat e burrave/djemve në moshë pune.
“Në mesin e personave në fuqinë punëtore, papunësia është më e lartë për femrat se sa për meshkujt (18.6 % krahasuar me 8.6 %). Shkalla e punësimit në mesin e femrave në moshë pune është vetëm 18.5 %, krahasuar me 51.5 % për meshkujt”, tregojnë të dhënat e Anketës së Fuqisë Punëtore, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
E gjithë këtë hallakamë e gjendje të rënduar të grave, si e shohin sociologët e ekonomistët?
Për këtë, i kemi pyet dy gra, një profesore të ekonomisë dhe një sociologe, të cilat tregojnë ndërthurjen mes vete të papunësisë, pabarazisë në paga e dhunës në familje.
Profesorja e ekonomisë, Rrezarta Gashi Avdiu, shprehet se në Kosovë grave ju pamundësohet punësimi në pozita të caktuara dhe ato të niveleve të larta menaxheriale, e kjo pengesë mund të jetë edhe frenim i inovacioneve të ndryshme, e që pastaj ka edhe rezultate negative financiare të cilat ndikojnë edhe në aspektin ekonomik.
“Dallimet në paga në mes të burrave dhe grave, ndikojnë jo vetëm në jetët individuale, por edhe në aspektin ekonomik, ku të ardhurat më të ulëta të grave rezultojnë në më pak të ardhura të disponueshmë familajre, duke prekur kështu konsumin e përgjithshëm dhe rritjen ekonomike në përgjithësi. Ngritja ekonomike e grave në përgjithësi ka treguar të ketë një ndikim pozitiv konsiderueshëm në zvogëlimin e varfërisë dhe mirëqenies në përgjithësi, pasi gratë kanë tendencë të investojnë më shumë në arsim, biznese individuale, inovacion shëndetin dhe në mirëqenien e familjeve të tyre”, thekson Gashi Avdiu.
E sociologia, Flakë Ymeri, thotë se 8 marsi do duhej të ishte çdo vit kthesë në të mirën e gruas, por që fatkeqësit vazhdon të na shqetësoj dhuna me të cilën gratë përballen çdo ditë.
“Ne si shoqëri ende nuk jemi zhveshur nga mendësia patriatkale dhe gruaja konsiderohet si rob, kjo tregohet me shifrat e dhunës të raportuara dhe trajtimi i grave në raport me burrat në vendin e punës, e që na bën të kutojmë që ne si shoqëri vlersojmë në baza gjinore e jo në aftësi profesionale. Por, ne përballemi edhe me një problem të madh shoqërorë, ku vajzat në raste të caktuara nuk mbështeten në arsimimin dhe ngritjen e kapaciteteve të intelektit për të qenë të zonjat e vetës dhe të jenë të pavarura ekonomikisht, kështu duke krijuar një konflikt tjetër që ato të jenë të nënshtruara dhe të varura nga burri qoftë edhe për shpenzime elementare të nevojae të tyre personale, situata të cilat shkaktojnë e sjellin edhe konflikte të tjera rrjedhëse si problemet e dhuna në familje”, shprehet sociologia Ymeri.
Post Views: 800
Add Comment