Krejt-kah-pak

27 studente denoncojnë për ngacmim seksual një profesor

Një profesor i Fakultetit të Edukimit është denoncuar për ngacmim seksual në Këshill të Etikës nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë. Studentet janë ankuar se profesori që ua jep Matematikën, u është drejtuar me sjellje joprofesionale e me komente për pamjen e tyre fizike. Në Fakultetin e Mjekësisë thanë se pas denoncimit e kanë ndërprerë bashkëpunimin me profesorin

Janë 27 studente në Fakultetin e Mjekësisë që e kanë denoncuar për ngacmim seksual profesorin e Fakulteti të Edukimit, Xhevat Krasniqi.

Profesori Krasniqi, i cili mban dy orë në javë të lëndës së Matematikës në Mjekësi, është denoncuar para dy javësh në Këshill të Etikës.

Studentet kanë akuzuar profesorin se u është drejtuar me sjellje joprofesionale gjatë orarit të konsultimeve.Advertisement

“Kam hyrë të konsultohem me profin në fjalë dhe për të shikuar se ku m’i ka hequr 0.5 pikë nga provimi, e le që përgjigjen nuk e mora, por dola e tronditur nga ajo zyrë me një përgjigje aspak adekuate, morale dhe joprofesionale”, ka thënë njëra nga studentet në ankesën e saj që është paraqitur në Këshill. “E këtu po i citoj fjalët e tij: ‘Unë jam i drejtë në vlerësim, e kështu jam i drejtë, kur dush të bëj masazh’, i cili ma ka demonstruar me duar fjalën ‘masazh’ dhe është afruar për të më përqafuar”, shkruan në ankesë.

Për sjellje joakademike në orarin e konsultimeve e ka akuzuar edhe një studente tjetër.

“Kur më erdhi rendi, hyra në zyrë dhe profesori më pyeti nëse dëshiroja të shkoja një ditë tjetër në konsultime, por që duhet t’ia jepja fjalën se nuk do t’i tregoja askujt. Unë mbeta pa fjalë se nuk dija çfarë të thosha. Kur e pa reagimin tim, më tha ‘leje, s’je ti që e mban fjalën’”, ka thënë studentja në ankesën e saj.

E një tjetër është ankuar se profesori ka dhënë komente për pamjen e tyre fizike.

“Pas ushtrimeve ai po vjen te ne gjatë rrugës që ishim duke shkuar për në shtëpi dhe po na kthehet me fjalët: ‘të dyjat i keni ly buzët njëjtë a? Lyej ti sa t’dush se buzët si të kësaj nuk mundesh m’i pasë’. Profesori ka pasur edhe shprehje të tjera si: ‘femrën kur e mbulon me jorgan i humb bukuria’”, është thënë në ankesë.

Studentët kanë shprehur ankesa ndaj profesorit edhe për mënyrën e vlerësimit.

“Vazhdojmë me atë që studentët i nënshtrohen provimit dhe duhet të presin për rezultate deri kur të bëhet mbyllja e SEMS-it, duke mos pasur guxim që t’i shënojmë profesorit që të mos ketë hakmarrje në vlerësim e një gjë e tillë ka ndodhur”, është thënë në ankesën e tyre. “Pasuar nga ajo që pas marrjes së rezultateve, profesori kërkon konsultime përkatësisht i detyron studentët një nga një t’i nënshtrohen provimit me gojë, ani se provimin me shkrim e kanë kaluar e një sistem i tillë nuk konfiguron në syllabus”.

KOHA ka kontaktuar studentet që janë ankuar, por ato nuk kanë pranuar të prononcohen as në kushte anonimiteti.

Për këtë çështje nuk pranoi të prononcohet as profesori.

Krasniqi, i cili është anëtar i stafit të rregullt në Fakultetin e Edukimit, nuk ka pranuar të prononcohet për denoncimin e 27 studenteve ndaj tij për ngacmim seksual. Ai ka thënë përmes telefonit se do të prononcohet vetëm kur çështja të marrë epilog në Këshill të Etikës.

Në Fakultetin e Mjekësisë kanë thënë se pas denoncimit kanë ndërprerë bashkëpunimin me profesorin.

Prodekani për çështje të studentëve, Valon Krasniqi, ka thënë se është angazhuar përkohësisht një mësimdhënës tjetër derisa Këshilli të marrë një vendim.

“Ne kemi biseduar me profesorin, kur jemi njoftuar për denoncimin, dhe ai i ka mohuar të gjitha. Pastaj ne në takim e kemi njoftuar se për shkak të ndjeshmërisë së rastit, për shkak se rasti shkon në Këshill të Etikës, ne obligohemi si njësi akademike që ta ndërpresim bashkëpunimin me të. Ne tani kemi angazhuar përkohësisht një profesor tjetër”, ka thënë Krasniqi.

Prodekani i Mjekësisë ka treguar se denoncim për ngacmim seksual për profesorin, i cili ligjëron në Fakultetin e Mjekësisë që nga viti 2016, nuk kanë pranuar më herët.

Ai ka thënë se ankesë zyrtare për profesorin kanë pranuar në dhjetor të vitit të shkuar, për mënyrën e vlerësimit të studentëve.

Në Fakultetin e Edukimit kanë thënë se nuk kanë pranuar denoncime nga studentët më herët për profesorin, por vetëm ankesa nga stafi për komunikim jokorrekt.

“Para këtij trajtimi është e parakohshme të marrim çfarëdo qëndrimi apo veprimi, pasi në Fakultetin e Edukimit ndonjë denoncim nuk kemi pranuar. Për raste të caktuara të komunikimit jokorrekt me kolegë në të kaluarën profesorit i është tërhequr vërejtja, si praktikë e jona menaxheriale për të zhvilluar ambient konstruktiv dhe cilësor të punës”, është thënë në përgjigjen e dekanit Blerim Saqipi.

Rregullorja për masat dhe procedurat disiplinore ndaj stafit akademik, parasheh që palët të intervistohen brenda pesë ditëve pas paraqitjes së shkeljes.

“Intervistimi të bëhet sa më shpejt, sa më shpejt që është e mundur pas paraqitjes së shkeljes së dyshuar, por jo më vonë se pesë ditë pune, duke siguruar se shkelësi i dyshuar është njoftuar dy ditë pune më herët”, shkruan në Nenin e 7 të rregullores.

Por, Këshilli i Etikës ende nuk i ka kontaktuar personat e përfshirë.

Në Rektorat nuk e komentuan vonesën për trajtimin e denoncimit nga Këshilli./koha/Majlinda Ibrahimi