Vox

Autizmi bëhet edhe më i padukshëm te gratë

Kur një diagnozë prek të padukshmen e të pavërejtshmen, sfidat rriten, teksa identifikimi, ndërgjegjësimi e pranueshmëria vështirësohet. Si rrjedhojë e kësaj, përtej sfidave që diagnoza primare sjellë, faktorët mjedisorë mund të bëjnë që vështirësitë të rriten edhe më. Gjithë çka u përmend mësipër përkeqësohet edhe më shumë, atëherë kur autizmi kombinohet me të qenit grua. Autizmi është çrregullim neurozhvillimor që karakterizohet me vështirësi në fushën e komunikimit dhe atë sociale, sjellje të përsëritura apo intenzive dhe vështirësi në aspektin senzorik. Të dhënat e fundit nga CDC (2023) raportuan se afërsisht 1 në 36 fëmijë në Amerikë ka autizëm, teksa edhe në këtë matje të fundit, djemtë vazhdojnë të kenë 4 herë më shumë gjasa të jenë me autizëm, krahasuar me vajzat. Ashtu si shumë çështje në autizëm, ky disproporcion gjinor, ka qenë e vazhdon të jetë mister, rrjedhimisht temë studimi për shumë hulumtues.

Teksa arsyet për prezencën më të lartë të autizmit te djemtë dhe burrat nuk njihen saktësisht, studimet tregojnë se në masë më të madhe vajzat dhe gratë me autizëm nuk diagnostikohen, keq-diagnostikohen apo diagnostikohen shumë më vonë se që diagnostikohen djemtë dhe burrat me autizëm (Hull, 2020). Të trija këto: mungesa e diagnozës, diagnostikimi i gabuar dhe diagnoza e vonuar, përveçse përkeqësojnë gjendjen, sjellin dëme shpeshherë të pakthyeshme.

Duke u nisur nga kjo e duke qenë se kjo diskrepancë shpjegohet vetëm pjesërisht përmes dallimeve me bazë gjenetike mes grave dhe burrave, studiues të shumtë kanë ngritur hipoteza të ndryshme që ndërlidhen me faktorët mjedisorë, që mund të kenë ndikuar në këtë disbalanc. Identifikimi i autizmit, rrjedhimisht historiku i simptomatologjisë së përcaktuar në bazë të mostrës me shumicë dërrmuese djemë (Geelhand, 2019), maskimi i vetdijshëm dhe i pavetdijshëm i vajzave e grave me autizëm të funksionimit të lartë në shumicë dërrmuese, po pa përjashtuar djemtë, dhe interesat e kufizuar të caktuar të grave me autizëm që janë në linjë me pritshmëritë e shoqërisë dhe stereotipet gjinore, rrjedhimisht përbrendësimi i vështirësive që rezultojnë nga të qenit me autizëm, janë vetëm tre nga hipotezat, që supozohet të kenë ndikuar në këtë disproporcion.

Mënyra se si gratë manifestojnë autizmin nuk përputhet me kriteret aktuale diagnostikuese

Në mungesë të njohjes së shkaktarëve të autizmit dhe testeve laboratorike që indikojnë atë, diagnostikimi i autizmit ndodhë në varësi të sjelljeve që shfaqë individi. Ky fakt, ka nxitur studiuesit të rishikojnë bazën për përcaktimin e sjelljeve që determinojnë sjellje autike, ashtu që të gjejnë ndërlidhje të mundshme me dukurinë e numrit më të ulët të grave të diagnostikuara me autizëm. Rrjedhimisht, kanë gjetur se historikisht, që prej përshkrimit të parë të autizmit nga Kanner (1943), simptomatologjia e autizmit është e bazuar në mostrën me shumicë dërrmuese djemë (prej 11 fëmijëve gjithsej, vetëm 3 vajza), e që pjesërisht mund edhe të shpjegojë edhe numrin më të ulët të vajzave të diagnostikuara me autizëm, krahasuar me djemtë. Rrjedhimisht e natyrshëm, edhe gjithë studimet e mëtejme janë fokusuar te djemtë me autizëm. Kështu, nuk janë marrë për bazë dallimet në mënyrën se si vajzat manifestojnë autizmin, duke bërë që testet ekzistuese të diagnostikimit të autizmit të jenë të përdorshme për vajzat dhe gratë, vetëm atëherë kur ashpërsia e autizmit është më e lartë, pra simptomat më të dukshme, apo kur është në komorbiditet me vonesë në zhvillim.

Maskimi i vetdijshëm dhe i pavetdijshëm i vajzave e grave me autizëm të funksionimit të lartë

Maskimi nënkupton përdorimin e strategjive të caktuara të individit, ashtu që të minimizojë shfaqjen e sjelljeve autike, në mënyrë të vetdijshme apo edhe të pavetdijshme, të mësuara apo të zhvilluara përbrenda vet individit. Studime të shumta kanë treguar se maskimi, ndryshe e njohur si kamuflazha, përdoret në masë më të madhe nga vajzat dhe gratë me autizëm, si strategji për të menaxhuar situatat e caktuara sociale, ashtu që mos të vihen në dukje “sjelljet e çuditshme”. Është gjetur se vështirësitë e caktuara që rezultojnë nga të qenit me autizëm, veçanërisht ato që ndërlidhen me aspektin social, kamuflohen nga vajzat dhe gratë me funksionim të lartë, ashtu që të përkojnë në një grup të caktuar shoqëror. Megjithëse nga përshkrimi, mund të fitohet përshtypja që maskimi fillon në një moshë të vonshme, në fakt, maskimi mund të nis edhe pavetdijshëm e që nga fëmijëria e hershme. Së fundmi, prindi i një vajze me autizëm, që është vetëm 6 vjeçe, më komunikonte se si vajza po shprehte frustrim posa kthehej nga shkolla, pa kurrfarë nxitësi të vërejtshëm. Nga ana tjetër, mësueset po u shprehin prindërve që ajo është e qetë e shembullore në klasë. Kjo është pikërisht një situatë ilustruese e një shenjë që vogëlushja mund të ketë nisë që të përdorë maskimin, si strategji për të menaxhuar situatat e saj sociale e për të zbehur dallimet që ka ndër shokë e shoqe.

Interesat e tyre të kufizuar dhe intenzivë janë në linjë me pritshmëritë e shoqërisë dhe stereotipet gjinore

Vajzat dhe gratë me autizëm kanë më pak sjellje të përsëritura motorike (lëvizje të pakontrollueshme të duarve apo të ngjashme), teksa interesat e tyre të kufizuar dhe intenzivë janë në linjë me pritshmëritë që shoqëria ka, andaj edhe nuk duken të jenë atipike apo indikatorë të ndonjë gjendje, siç mund t’jetë autizmi. Le të marrim si shembull, interesi i fokusuar i vajzave në makiazh, kafshë, njëbrirësh, mund të interpretohet si diçka e zakontë e tipike, pasi që janë në linjë me stereotipet gjinore.

Nga ana tjetër, hulumtimet përshkruajnë se si përderisa djemtë shprehin sfidat që kanë përmes sjelljeve agresive dhe mungesës totale të ndërveprimit me të tjerë, vajzat me autizëm kanë më shumë gjasa të përbrendësojnë këto sfida e probleme, duke shtypur emocionet e tyre, duke dhënë një përshtypje në dukje të ndrojtur e si të turpshme (Hull, Petrides, Mandy, 2020). Rrjedhimisht, përderisa sjelljet destruktive shkaktojnë kaos të jashtëm, prindërit e mësimdhënësit i raportojnë dhe adresojnë ato, kaosi i brendshëm që vajzat me autizëm përjetojnë, interpretohet si natyrë më e ndrojtur e introverte, që është poashtu në linjë me pritshmëritë. Si rezultat i këtij kaosi të brendshëm e rrjedhimisht të paidentifikuar, me përbrendësim të vështirësive e shtypje të emocioneve, sfidat rriten për gratë, duke u shpërfaqur vite më pas, atëherë kur shfaqen çrregullime të tjera si ankth, depresion, sjellje vetlënduese, çrregullime të të ngrënit, e deri në vetëvrasje, ku hulumtimet raportojnë se gratë me autizëm kanë gjasa dy herë më të larta të tentojnë vetëvrasjen, krahasuar me burrat me autizëm.

Si përfundim, pasojat e mos-identifikimit të autizmit te vajzat dhe gratë, përveç intervenimit të hershëm, mungesës së diagnozës dhe mbështetjes psiko-sociale, përfshijnë dërrmim fizik e emocional të tyre, konfuzitet e vështirësi për të njohur veten e shumëfish çrregullime të tjera që përkeqësojnë gjendjen. Andaj, është tejet e rëndësishme të kemi parasysh që autizmi mund të manifestohet ndryshe te vajzat dhe djemtë, kështu që kriteret diagnostikuese duhen të përshtaten ashtu që të mirren parasysh dallimet e specifikat mësipër. Për më tepër, është e rëndësishme që gjatë muajit prill, që është muaji ndërgjegjësues mbi autizmin, të flasim e të ngrisim njohuritë me fokus mbi autizmin te vajzat, ashtu që të sigurohemi që të kemi parasysh këto dallime, si prindër, mësimdhënës e veçanërisht klinicistë.

About the author

Halime Bici

Halime Bici

Halime Bici është logopede e licencuar, e cila ka interes të veçantë studimin e çrregullimeve të komunikimit te personat me autizëm. Ajo, praktikën e saj dhe punën terapeutike e ka orientuar për 5 vite me radhë në këtë fushë, duke kontribuuar edhe në avokim.

Add Comment

Click here to post a comment