Shtjellime

Prapa narrativave sensacionale të dezinformimit gjinor

“Nuk do ta besoni se si është dukur…”.

“E tmerrshme, shikoni se çfarë i ka ndodhur fytyrës së…”.

“Nuk do ta besoni ndryshimin në peshë të…”.

“EKSKLUZIVE: Zbulohet se e bija/nëna/motra/e dashura/ e (…) do të kanditojë për…”.

Shembuj të tillë janë disa ndër titujt e panumërt që vërshohen çdo ditë nga portalet online, nga të cilat jemi të familjarizuar me to, apo edhe me përmbajtjet brenda tyre. Në botën tonë të përmbytur me informacione, tituj apo përmbajtje të tilla senzacionale mjaftojnë të përdorin fjalë dhe imazhe, të cilat flasin direkt apo indirekt me emocionet, përvojat e interesat personale të publikut, dhe arrijnë të tërheqin vëmendjen e audiencës. Një lloj mjeshtrie e padukshme dhe e fuqishme, e cila arrin jo vetëm ta intensifikojë kurreshtjen tonë si lexues/e drejt zbulimit të një të vërtete “ekskluzive”, por mund të transformojë edhe mënyrën se si ne perceptojmë dhe vlerësojmë veten e botën përreth nesh.

Mirëpo realisht ajo çfarë ndodh është se nën petkun e mjeshtrisë së narrativave të tilla, ekziston një tendencë e cila ka për qëllim të targetojë gratë dhe vajzat në atë mënyrë, sa që arrin të formësojë e shtrembërojë mënyrën se si shoqëria i percepton ato. Pra, kemi të bëjmë me përhapjen e dezinformatave gjinore që nënkupton çdo informacion të rremë dhe të manipuluar, që synon të dëmtojë gratë ose njerëzit e gjinive dhe seksualiteteve të ndryshme.

“Fushatat e dezinformimit, veçanërisht ato që synojnë gratë dhe grupet e tjera të margjinalizuara, po përdoren si mjet për të minuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë”, tha Kaltrina Kelmendi, profesoreshë në Departamentin e Psikologjisë, së Universitetit të Prishtinës.

Përhapja e dezinformatave të tilla, të bazuara në stereotipe gjinore, po formëson dhe fuqizon më tej mendësinë patriarkale e diskriminuese në shoqëri, sepse në rast se analizojmë gjenezën e këtij fenomeni, kjo na shpien drejt stereotipeve të cilat kanë qenë të mirëmbajtura me shekuj nga shoqëria.

”Origjina dhe përhapja e dezinformimit dhe stereotipeve gjinore në lidhje me gratë dhe vajzat në Kosovë, janë të lidhura ngushtë me dinamikat patriarkale familjare dhe normat kulturore të thella në shoqëri”, tha profesoreshë Kelmendi.

Tutje, profesoreshë Kelmendi shtoi se, “Kjo mendësi, e cila buron nga rritja dhe zhvillimi i shoqërisë sonë, fillon të vihet re që nga fëmijëria në mjedisin familjar, ku bëhet dallimi dhe përforcimi i tipareve që konsiderohen tipike për secilin gjini. ”, e cila gjithashtu cilësoi, se këto stereotipe po vazhdojnë të kontribuojnë tutje në mirëmbajtjen e pabarazisë gjinore në shoqëri.

Mbi bazamentin e kësaj situate, narrativa të tilla qëllimisht targetojnë gratë dhe vajzat, e veçanërisht ato të cilat janë figura publike, në pozita udhëheqëse apo në sferën politike, duke tentuar të ulin kredibilitetin e tyre dhe duke përçuar mesazhe për të minuar përpjekjet e grave dhe vajzave drejt arritjes së qëllimeve të tyre.

Ndër elementet brenda këtyre narrativave, përfshihet vendosja e standarteve të bukurisë, duke injektuar pritshmëri jo-reale në shoqëri, nga ku profesoreshë Kelmendi shtoi se “Këto standarde mund të promovojnë ideale të pamjes që janë jo vetëm të vështira për t’u arritur, por gjithashtu mund të jenë të dëmshme për shëndetin fizik dhe mendor. Presioni për të përmbushur këto ideale mund të çojë në çrregullime të të ngrënit, ankth dhe depresion”.

Elemente tjera brenda narrativave të tilla, janë objektifikimi dhe seksualizimi i grave dhe vajzave, duke formësuar dhe fuqizuar perceptimin ndaj tyre si pronë ose si objekte të riprodhimit.

“Media shpesh paraqet gratë dhe vajzat si objekte seksuale, duke theksuar pamjen dhe trupin e tyre në vend të karakteristikave ose aftësive të tyre intelektuale ose profesionale”, tha profesoreshë Kelmendi.

Përhapja e narrativave të tilla, po mundëson një mjedis armiqësor ndaj grave dhe vajzave, nga ku sipas gjetjeve të dalura mbi kontekstin kosovar, nga raporti i Democracy for Development dhe Pikasa Analytics, thuhet se “D4D dhe Pikasa Analytics kanë vërejtur sulme të dukshme online ndaj femrave figura publike që vendosin të kundërshtojnë homologët e tyre meshkuj. Gratë që bëjnë pyetje ose i sfidojnë kolegët e tyre meshkuj, përjetojnë sulme të theksuara në rrjete sociale”.

Profesoreshë Kelmendi, gjithashtu shtoi se “…përforcimi i stereotipeve të dëmshme gjinore mund të kontribuojë në një kulturë të dhunës në baza gjinore, duke përfshirë ngacmimin seksual dhe dhunën seksuale, çka sjell mungesë të besimit dhe sigurisë për individët, veçanërisht gratë, në jetën e tyre personale dhe profesionale”.

Ky lloj ndikimi përpos që mund të jetë i thellë dhe afatgjatë në perceptimin e përgjithshëm shoqëror, mund të shtrihet edhe në vetë jetën, shëndetin dhe fushëveprimtarinë e grave dhe vajzave, përfshirë struktura të ndryshme si: arsimin, ekonominë, punësimin, zgjedhjen në karrierë, përfaqësimin politik, etj., nga ku profesoreshë Kelmendi cilësoi se kjo pengon përparimin drejt barazisë gjinore, duke i lënë gratë dhe gjinitë e margjinalizuara në një disavantash të vazhdueshëm.

Trendi i përhapjes së këtyre narrativave shtrembëruese në kontekstin kosovar, po del të jetë në rritje e sipër, nga ku profesoreshë Kelmendi cilësoi, se ky drejtim është shqetësues dhe se tregon nevojën për veprime urgjente.

Kjo situatë reflektohet edhe në gjetjet tjera nga raporti i D4D dhe Pikasa Analytics, nga ku përmendet se “artikujt e lajmeve me dezinformim gjinor në media gjenerojnë një ndërveprim dukshëm më të lartë në krahasim me artikujt e përgjithshëm të lajmeve. Mesatarisht, rastet e dezinformimit gjinor në media mbledhin mbi 86 reagime për lajm – tre herë më i lartë, se ndërveprimi tipik për të gjitha lajmet”.

“Ndikimi i dez/misinformimit në Kosovë përkeqësohet nga mungesa e edukimit medial dhe qasja në informacion të verifikuar, veçanërisht ndër të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara. Kjo e bën popullatën, veçanërisht të rinjtë, të ndjeshëm ndaj përhapjes së dezinformimit bazuar në gjini”, tha profesoreshë Kelmendi, e cila sugjeroi ndjekjen e një qasje shumë-dimensionale në adresimin e këtij fenomeni, dhe ofroi disa rekomandime në lidhje me edukimin medial në Kosovë, si vijim:

• “Do të duhej të promovohet edukimi medial në shkolla dhe komunitete për të pajisur të rinjtë me aftësi të mendimit kritik, për të identifikuar dhe sfiduar stereotipet gjinore në media”.

• “Mediat do të duhej të inkurajohen që të adoptojnë mekanizma vetë-rregullues dhe kode të sjelljes, që ndalojnë përdorimin e stereotipeve gjinore dhe promovojnë diversitetin dhe barazinë në përmbajtjen mediatike”.

• “Do të duhej të mbështetet zhvillimi dhe shpërndarja e përmbajtjeve mediatike kundër-stereotipike, që sfidojnë normat tradicionale gjinore dhe paraqesin gratë dhe vajzat në role të ndryshme, jo- tradicionale”.

• “Do të duhej të realizohen studime dhe të mbledhen të dhëna mbi përhapjen e stereotipeve gjinore në media dhe ndikimin e tyre te gratë, vajzat dhe shoqëria, për të informuar politikat dhe ndërhyrjet e bazuar në prova”.

E padyshim, ndër aleatët tjerë drejt parandalimit të këtij fenomeni, është edhe vetë publiku, nga ku është e rëndësishme që krahas informimit të tyre, të angazhohen në mënyrë aktive në identifikimin e stereotipeve gjinore prapa narrativave të tilla dhe duke i analizuar këto përmbajtje në mënyrë kritike.


“””””

Ky botim është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Luftimi i Diskriminimit, Gjuhës së Urrejtjes dhe Dhunës në Baza Gjinore”. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e ATRC, IKS, D4D dhe AGK, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.


About the author

Viola Greiçevci

Viola Greiçevci

Viola Greiçevci është studente e nivelit Bachelor në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës. Viola është autore e disa shkrimeve, me fokus të veçantë shëndetin mendor dhe të drejtat e njeriut, dhe gjithashtu është vullnetare në organizata e projekte të ndryshme.

Add Comment

Click here to post a comment