Shtjellime

Diabeti dhe shtatzënia në Kosovë: A po marrin gratë kujdesin e duhur?

Diagnoza e diabetit ishte tronditje. E kuptova në javën e 22-të të shtatzënisë. Përveç frikës për shëndetin e bebit, ndjeja një barrë emocionale të madhe. Kontrollimi i vazhdueshëm i ushqimit, përpjekja për të ruajtur peshë të shëndetshme dhe njëkohësisht kufizimi i aktiviteteve fizike e bënë këtë periudhë shumë të vështirë për mua…,” rrëfen Vlora Zeqiri, e cila lindi fëmijën e saj para katër muajsh, në një nga spitalet private në Kosovë.

Megjithatë, me mbështetjen e mjekëve dhe familjes, ajo arriti të menaxhojë diabetin përmes një diete të balancuar dhe kontrolleve mjekësore të rregullta.

Kur kisha mbështetje emocionale nga partneri im dhe mjekët, ndjeja më pak stres dhe isha më e motivuar për të ndjekur këshillat shëndetësore,” shtoi ajo.

Me shumë kujdes dhe një shtatzënie të monitoruar mirë, Vlora arriti të lindë një fëmijë të shëndetshëm.

Diabeti i shtatzënisë e preku edhe Teuta Ziu, e cila u diagnostikua me diabet gestacional në muajin e shtatë të shtatzënisë. Ajo thekson sfidat me të cilat u përball gjatë asaj kohe, veçanërisht për shkak të dashurisë së saj për ushqimet e ëmbla.

E kam zbuluar gjatë një analize të zakonshme në muajin e shtatë. Ishte shumë e vështirë të përballoja kufizimin e ushqimeve të ëmbla, për shkak se unë ha shumë ëmbëlsira. U detyrova të ndryshoja plotësisht mënyrën e ushqyerjes. Matja e përditshme e nivelit të sheqerit në gjak u bë rutinë, por për mua kjo ishte shumë stresuese”, tregon ajo.

Edhe pse ndiqte këshillat e endokrinologes dhe ishte në terapi me insulinë, sfidat e jetës së përditshme ndikuan në përkeqësimin e gjendjes së saj. Teuta përfundoi duke e lindur foshnjën me operacion cezarian, pasi diabeti i pengoi lindjen natyrale.

Një nga pengesat kryesore ishte mungesa e një endokrinologu në spital. Gjendja ime ishte më e mirë kur isha në shtëpi, ku mund të kontrolloja më mirë diabetin,” shtoi Teuta, duke theksuar nevojën për një sistem më të mirë të kujdesit shëndetësor për gratë shtatzëna me diabet.

Tani, kur Teuta Ziu reflekton mbi përvojën e saj, mendon se mund të ketë bërë disa gabime gjatë shtatzënisë, të cilat thotë se ndoshta gratë e tjera mund t’i evitojnë me kohë.

Ndoshta tani që i thërras mendjes, gabimi im ka qenë edhe që haja darkë vonë, pas orës 7 të darkës […] mendoj unë që mund të ketë ndikuar, përfundon rrëfimin ajo.

Çfarë saktësisht është diabeti i shtatzënisë?

  • Organizata Botërore e Shëndetësisë[1] e përkufizon diabetin gestacional si një gjendje e hiperglicemisë (nivelit të lartë të  sheqerit në gjak) me vlera të glukozës në gjak mbi normalen, por më të ulëta se ato që diagnostikojnë diabetin. Ky lloj diabeti shfaqet gjatë shtatzënisë. Gratë me diabet gestacional janë në rrezik të shtuar për komplikime gjatë shtatzënisë dhe gjatë lindjes. Gjithashtu, këto gra dhe ndoshta fëmijët e tyre janë në rrezik më të lartë për zhvillimin e diabetit të tipit 2 në të ardhmen. Faktorët si gjenetika, pesha trupore dhe stili i jetesës luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kësaj gjendjeje, e cila kërkon kujdes të veçantë për të minimizuar rreziqet.

Por sa gra vuajnë nga diabeti në Kosovë? Askush nuk e di…

Në Kosovë, numri i saktë i grave që vuajnë nga diabeti gestacional është ende i paidentifikuar, pavarësisht se klinikat trajtojnë shumë raste çdo vit.

Sipas Dr. Zef Ndrejaj, Drejtor në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në Prishtinë, kjo gjendje serioze prekë gratë shtatzëna dhe fëmijët e tyre, megjithatë të dhënat mungojnë.

Nuk kemi të dhëna për numrin e shtatëzënave me diabet në Kosovë. Por në Shërbimin Spitalor dhe Klinikik Universitar të Kosovës (SHSKUK), respektivisht në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike (KOGj), shtatëzënat me diabet mund të përcillen, të trajtohen gjatë tërë periudhës së shtatëzënise dhe të kryhet lindja me kushte dhe standarde më të larta”, thekson Ndrejaj.

Ndër tjera, Ndrejaj rekomandon që gratë shtatzëna që përjetojnë diabet të konsultohen me një gjinekolog që në fillim të shtatzënisë.

Është e rëndësishme të monitorohet niveli i glikemisë, gjendja e shtatzënës dhe zhvillimi i frytit deri në lindje. Nëse vërehet ndonjë çrregullim në gjendjen e nënës apo foshnjës, duhet të veprohet menjëher, qoftë përmes terapive, qoftë duke konsideruar ndërprerjen e hershme të shtatzënisë, varësisht javës gestative në të cilën ndodhet gruaja”, rekomandon mjeku Zef Ndrejaj.

Pavarësisht se dihet se çka është e rëndësishme të monitorohet dhe ndërmerret në raste kur zhvillohet ky lloj diabeti, deri më tani nuk ka asnjë hulumtim të kryer nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) që do të identifikonte faktorët që ndikojnë në rritjen e rasteve të diabetit te gratë shtatzëna në Kosovë.

Ndonëse nuk janë realizuar hulumtime të tilla, Zyra për Informim në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës thekson se Instituti organizon çdo vit aktivitete për vetëdijësimin e popullatës mbi diabetin dhe promovimin e një stili të shëndetshëm jetese.

Gjatë fushatave, në bashkëpunim me partnerë si AQH, realizohen ligjërata me komunitetet, përpilohen fletëpalosje dhe doracakë për aktivitetin fizik për ata me diabet tip 2 dhe hipertension, si dhe shpërndahen materiale edukativo-shëndetësore. Këto përpjekje synojnë të rrisin ndërgjegjësimin dhe të ndihmojnë në parandalimin e diabetit te grupet më të rrezikuara”, përfundon përgjigja e Zyres për Informim në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Megjithatë, sipas hulumtimeve të ndryshme globale[2] faktorët e përgjithshëm që ndihmojnë në shfaqjen e diabetit gestacional përfshijnë mbipeshën, predispozitat gjenetike dhe mosaktivitetin fizik. Ushqyerja e paqëndrueshme dhe mungesa e kontrollit të porcioneve gjithashtu rrisin ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të këtij diabeti.

“Larg sheqerit dhe yndyrave të pashëndetshme” – rekomandimet e nutricionistëve për menaxhimin e diabetit të shtatzënisë

Për të minimizuar rrezikun për diabetin gjatë shtatëzanisë, është shumë e rëndësishme që gruaja të mbajë një peshë trupore të shëndetshme para kësaj periudhe dhe të ketë shtim peshe të kontrolluar.

Sipas Vala Pupovcit, dietologe dhe nutriciste, “shujtat e rregullta, të balancuara, të pasura me vlera ushqyese si proteina, karbohidrate, fibra, vitamina dhe minerale” janë të domosdoshme për mbajtjen e një peshe të shëndetshme trupore dhe për kontrollimin e diabetit gjatë shtatëzanisë.

Gratë shtatzëna duhet të shmangin ushqimet me sasi të lartë të sheqerit, si pijet e gazuara, lëngjet e frutave të gatshme, ëmbëlsirat dhe çokollatat.

Pupovci thekson se, “ushqimet të cilat duhen shmangur për të parandaluar diabetin, përveç kontrollimit të porcioneve që ndihmon në kontrollimin e mbipeshës, janë ushqimet me sasi të lartë të sheqerit dhe yndyrave të pashëndetshme.”

Ajo sqaron se, pavarësisht se frutat përmbajnë sheqer natyral, ato janë të pasura me fibra, të cilat ngadalësojnë absorbimin e sheqerit në gjak.

Më tej, Pupovci shpjegon se “balansimi i shujtave zakonisht përfshin kombinimin e ushqimeve të pasura me karbohidrate, me ushqime të pasura me proteina, fibra dhe yndyrëra.”

Në lidhje me gratë shtatzëna që kanë diagnostikuar diabet, ajo thotë se ka pasur raste kur këto gra kanë kërkuar këshilla për menaxhimin e diabetit. “Rastet e tilla nuk janë të shpeshta,” thekson ajo, “dhe mënyra si une ju ndihmoj është duke krijuar plane të personalizuara, në bazë të gjendjes së tyre.”

Planet ushqimore për këto gra janë specifike dhe zakonisht përfshijnë shpërndarjen e karbohidrateve në mënyrë të njëtrajtshme gjatë ditës për të parandaluar rritjet e mëdha të sheqerit në gjak, si dhe zgjedhjen e karbohidrateve të pasura me fibra dhe ushqime të shëndetshme”, përfundon dietologia dhe nutricistja Pupovci.

Stresi vs mbështetja e partnerit në shëndetin e grave shtatzëna

Stresi dhe ankthi gjatë shtatzënisë mund të kenë një ndikim të madh në shëndetin e përgjithshëm të gruas, duke ndikuar gjithashtu në zhvillimin e sëmundjeve si diabeti gestacional.

Psikologia Behare Bojaxhiu shpjegon se “studimet tregojnë se stresi kronik mund të kontribuojë në çrregullime hormonale që rrisin rezistencën ndaj insulinës…” e cila është një nga faktorët kyç që mund të çojë në shfaqjen e diabetit gjatë shtatzënisë.

Sipas Bojaxhiut, përveç stresit “ankthi mund të ndikojë negativisht në sjelljet e stilit të jetesës, si ushqimi dhe aktiviteti fizik, të cilat janë të rëndësishme për menaxhimin e glukozës në gjak.”

Ndihma e partnerit dhe mbështetja emocionale e familjes janë gjithashtu thelbësore për të përballuar stresin gjatë shtatzënisë.

“Mbështetja e partnerit është vendimtare,” shpjegon Bojaxhiu, duke theksuar se një partner i përkushtuar mund të ndihmojë në reduktimin e stresit dhe sigurimin e një ambienti të sigurt për gruan.

Ajo thekson se familjet mund të krijojnë një mjedis mbështetës përmes “komunikimit të hapur dhe ndarjes së përgjegjësive,” duke ndihmuar gruan të ndiejë më pak presion dhe duke përmirësuar mirëqenien e saj të përgjithshme.

Në përgjithësi, një ambient mbështetës jo vetëm që ndikon pozitivisht në gjendjen emocionale të gruas, por gjithashtu ndihmon në uljen e rrezikut të komplikacioneve të lidhura me stresin, siç është diabeti gestacional.

Bojaxhiu thekson rëndësinë e edukimit të familjeve mbi nevojat specifike të grave shtatzëna, duke krijuar një mjedis ku “gruaja ndihet e kuptuar dhe e mbështetur,” duke çuar në një menaxhim më të mirë të shëndetit gjatë shtatzënisë.

Globalisht 1 nga 6 gra shtatzëna preken nga diabeti

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), diabeti gestacional prek rreth 1 nga 6 gra shtatzëna në mbarë botën. Kjo gjendje rrit rrezikun për komplikacione gjatë lindjes dhe mund të ndikojë negativisht në shëndetin afatgjatë të nënës dhe fëmijës.

Gjithashtu, gratë që zhvillojnë diabet gestacional kanë një rrezik më të lartë për të zhvilluar diabet tip 2 më vonë në jetë. Këto të dhëna tregojnë rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe menaxhimit të duhur të diabetit gestacional për të parandaluar komplikimet e mundshme.


[1] https://www.who.int/news-room/fact-sheets/detail/diabetes

[2] https://shorturl.at/ZQEhC

About the author

Agnesa Qorri

Agnesa Qorri

Agnesa Qorri ka përfunduar studimet Bachelor për Komunikim Masiv dhe Gazetari në Kolegjin AAB. Në po të njejtin departament ka vazhduar edhe studimet master, derisa për një semestër ka studiuar në Kristianstad të Norvegjisë për Gazetari Globale. Ajo ka në përfundim edhe fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti 2016 ka punuar vazhdimisht si gazetare dhe hulumtuese në fushat e politikës dhe ekonomisë, ndërkohë ka përfunduar edhe praktikën e punës në mediumin Deutsche Welle në Bonn të Gjermanisë. Aktualisht, Agnesa punon si gazetare dhe redaktore e emisionit për ekonomi “7 Ditë me Panxhën” që transmetohet në Klan Kosova.

Add Comment

Click here to post a comment