Në Kosovë, përfshirja e grave në tregun e punës mbetet një nga sfidat më të mëdha të zhvillimit ekonomik dhe social. Papunësia e tyre e lartë është çështje alarmante që prek jo vetëm stabilitetin ekonomik, por edhe shëndetin mendor të grave. Për këtë arsye, në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, më 10 tetor 2024, është thelbësore të trajtohet ndikimi i papunësisë tek mirëqenia psikologjike e grave.
Gratë dhe tregu i punës: Shifra alarmante
Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore për vitin 2023 është vetëm 24.2%, një përqindje dukshëm më e ulët krahasuar me atë të burrave, që përbëjnë 57.8%.
Po ashtu, nga të dhënat rezulton se 68.8% e grave papunë kanë qenë të papuna për më shumë se një vit, duke e bërë papunësinë afatgjatë një problem të thelluar për gratë. Kjo situatë nuk është thjesht çështje ekonomike, por prek rëndë edhe mirëqenien mendore të grave, të cilat përballen me stres, ankth, depresion dhe një ndjenjë të thellë të pavlefshmërisë.
Një grua me të cilën ka biseduar Grazeta, por që preferon të mbetet anonime për shkak të frikës nga paragjykimet, është Donjeta. Ajo, nënë në të tridhjetat, shprehet se sfidat për të hyrë në tregun e punës janë të mëdha.
“Pavarësisht se kam përfunduar studimet dhe kam përvojë, ndjehem e penguar nga pritshmëritë shoqërore dhe përgjegjësitë familjare. Çdo ditë përballem me dilema; si të kujdesem për fëmijën tim dhe njëkohësisht të kërkoj punë”, thotë ajo.
Por sfidat nuk përfundojnë këtu. Donjeta tregon se kur aplikon për punë, shpesh ndeshet me paragjykime të heshtura.
“Si nënë, duket sikur disa punëdhënës e shohin më të rëndësishëm rolin tim familjar dhe mendojnë se nuk mund të jem po aq e përkushtuar në karrierë. Ka një paragjykim të nënkuptuar se nuk mund të bëj të dyja gjërat mirë, gjë që kufizon mundësitë e mia për t’u punësuar,” shpjegon ajo.
Donjeta beson se rritja e mbështetjes për nënat dhe krijimi i mundësive fleksibile pune do të ndihmonte në përmirësimin e situatës për gratë si ajo.
Sfidat psikologjike dhe stigmatizimi
Psikologia Antigona Qenaj Sejdiu thekson se papunësia e zgjatur ka një ndikim të drejtëpërdrejtë në mirëqenien psikologjike të grave.
“Papunësia shpesh shoqërohet me ndjenja të pavlefshmërisë, ulje të vetëbesimit dhe izolim social. Gratë që përballen me papunësinë përjetojnë nivele të larta të ankthit, depresionit dhe stresit dhe lodhjes emocionale. Ky ndikim është më i fortë kur gratë kanë rol mbështetës në familje ose janë përballur me pengesa të tjera sociale apo ekonomike”, thotë ajo.
E, një nga sfidat më të mëdha që hasin gratë që përballen me papunësinë është stigma që shoqëron problemet e shëndetit mendor në shoqërinë kosovare.
Sipas psikologes Qenaj Sejdiu, të dyja, stigma dhe mungesa e qasjes në shërbime psikologjike, luajnë një rol të madh, “…stigma ndaj problemeve të shëndetit mendor, veçanërisht në komunitete tradicionale, shpesh ndalon gratë të kërkojnë ndihmë, pasi kanë frikë nga përjashtimi ose dënimi social.”
Ndërkohë, ajo sugjeron disa hapa për të ndihmuar gratë në këtë situatë, duke theksuar se rritja e qasjes në shërbimet e shëndetit mendor dhe ofrimi i programeve për zhvillimin e aftësive mund të përmirësojnë ndjeshëm mirëqenien e tyre.
“Ofrimi i seancave psikoterapeutike falas ose të subvencionuara, si dhe fushatat për të reduktuar stigmatizimin e shëndetit mendor, do të ishin hapa të rëndësishëm drejt përmirësimit të situatës,” thotë ajo.
Shoqëri patriarkale që kufizon gratë
Përveç sfidave ekonomike dhe psikologjike, gratë në Kosovë përballen edhe me pengesa kulturore dhe sociale që i largojnë nga tregu i punës. Bukurije Rrustemi, sociologe, vë në dukje se përjashtimi i grave nga tregu i punës është i ndikuar rëndë nga normat patriarkale që dominojnë shoqërinë kosovare.
“Gratë në Kosovë vazhdojnë të jenë të nënvlerësuara dhe të diskriminuara, shpesh pa mundësi për të tregojnë potencialin e tyre në shoqëri. Shkaqet kryesore janë në radhë të parë kulturore sepse gruja vazhdon të shihet si gjini tjetër dhe jo e aftë për të ushtruar profesionin e saj, më pas shkaqet sociale që gratë janë shpeshher të detyruara të kujdesen për fëmijët, personat e moshar në shtëpi dhe për ushqim e pastrim,” shpjegon ajo.
Këto përgjegjësi sociale, së bashku me mungesën e mundësive për arsimim dhe zhvillim profesional, sipas sociologes Rrustemi, i vendosin gratë në një pozicion të pafavorshëm në tregun e punës, duke thelluar më tej varësinë e tyre ekonomike nga burrat dhe duke përkeqësuar pozitën e tyre në familje.
“Një nga pasojat më të rënda të papunësisë është inferioriteti ekonomik i grave, që shpeshherë i detyron ato të pranojnë dhunë ose kushte të tjera të pabarabarta në shtëpi,” thekson Rrustemi.
Aktivizmi për të drejtat e grave dhe thyerja e ciklit të varësisë
Aktivistja e të drejtave të njeriut, Neri Ferizi, thekson rëndësinë e ndryshimit të normave patriarkale në shoqërinë kosovare për të mundësuar një përfshirje më të madhe të grave në tregun e punës.
“Patriarkalizmi në Kosovë thekson rolet tradicionale gjinore, ku burri shpesh shihet si kujdestar ekonomik, ndërsa gratë përballen me pritshmëri të kufizuara për të kontribuar financiarisht. Kjo dinamikë forcon papunësinë dhe kufizon mundësitë për gratë, duke i mbajtur ato në një pozitë të varfërisë dhe varësisë”, thotë aktivistja Ferizi.
Tutje, ajo bën thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit publik rreth shëndetit mendor të grave dhe nevojën e një angazhim shtetëror për të sfiduar normat patriarkale dhe për të promovuar barazinë gjinore në çdo aspekt të jetës, nga tregu i punës deri tek politikat sociale dhe ekonomike.
Ndër tjera, sipas ASK-së, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore në Kosovë është 40.7%, ku 59.3% e popullsisë në moshë pune është ekonomikisht joaktive. Gratë përbëjnë 75.8% të popullsisë ekonomikisht joaktive, me 451,143 gra që nuk janë të përfshira në punësim, arsimim apo nuk kanë kërkuar punë në muajt e fundit. Ndërkohë, të punësuar janë gjithsej 425,499 persona, prej të cilëve vetëm 117,990 janë gra./Grazeta
Add Comment