Krejt-kah-pak

Dhuna obstetrike në Kosovë: Kur lindja kthehet në dhunë ndaj grave

Në Kosovë, gratë shkojnë në spitale për të sjellë jetë – por shpesh largohen të dhunuara, të poshtëruara dhe me plagë që nuk shërohen kurrë. Dhuna obstetrike nuk është një përjashtim i rrallë, por një realitet i përditshëm për shumë gra, i heshtur dhe i normalizuar nga një sistem që nuk i respekton gratë dhe trupat e tyre.

Frazat si:
“Mos bërtit, vetë ke lypë mu bo’ nanë!”
“S’je e para që po lind! Mbylle gojen!”
“Prej qefit ke ardhë në këtë pikë!”

Këto nuk janë thjesht fjalë. Janë forma të dhunës psikologjike që u thuhen grave ndërkohë që përballen me dhimbje të jashtëzakonshme dhe cënueshmëri ekstreme. Një moment që duhet të jetë i mbushur me kujdes dhe mbështetje, shpesh shndërrohet në një përvojë traumatike që lë pasoja për vite me radhë.

Si manifestohet dhuna obstetrike në Kosovë?

  1. Procedurat pa pëlqim të informuar
    Në shumë spitale të Kosovës, gratë detyrohen të kalojnë nëpër procedura mjekësore pa i pyetur fare: epiziotomi të panevojshme, anestezi të dhunshme, apo edhe prerje cezariane pa diskutim. Ky nuk është kujdes shëndetësor, është shkelje e të drejtave themelore të një gruaje mbi trupin e saj.
  2. Neglizhenca që vë jetën në rrezik
    Kujtojmë rastet tragjike të grave që kanë humbur jetën sepse dhimbja e tyre është shpërfillur. Kur një grua në repartin e lindjes lihet vetëm, kur nuk dëgjohet dhe nuk trajtohet me kujdesin e duhur, kjo është dhunë. Dhe për këtë nuk ka asnjë justifikim.
  3. Turpërimi dhe poshtërimi verbal
    Komentet fyese gjatë lindjes janë aq të zakonshme saqë gratë shpesh nuk i konsiderojnë dhunë – sepse janë mësuar me to. Por të thuash një gruaje që vuajtja e saj është “e tepërt” apo “nuk ka rëndësi” është një mënyrë për t’ia mohuar zërin dhe përvojën e saj.
  4. Normalizimi i dhimbjes së panevojshme
    “Kështu është lindja” është fraza që maskon mungesën e kujdesit dhe empatisë. Por lindja nuk duhet të jetë një betejë për mbijetesë. Dhimbja e gruas nuk është diçka që mund të shpërfillet.

Pse ndodh kjo?

Sepse patriarkati nuk përfundon në derën e spitalit. Sepse sistemi shëndetësor nuk është ndërtuar për gratë, por për t’i kontrolluar ato. Dhe sepse heshtja është bërë normë. Dhuna obstetrike nuk është “pjesë e lindjes” – është dhunë sistemike. Kur mjekët dhe infermierët përdorin fuqinë e tyre për të kontrolluar dhe për të poshtëruar gratë, kjo nuk është “neglizhencë”. Është dhunë. Nëse keni përjetuar dhunë obstetrike, nëse jeni ndjerë e shpërfillur, e poshtëruar apo e dhunuar gjatë shtatzënisë dhe lindjes, zëri juaj ka rëndësi.

Nëse keni përjetuar ndonjë nga këto situata, plotësoni formën anonime për të ndihmuar në ndërgjegjësimin dhe ndryshimin e këtij realiteti:

Nëse keni përjetuar ndonjë formë të kësaj dhune, ju ftojmë të ndani përvojën tuaj me ne në mënyrë anonime përmes formës:
https://forms.gle/tSuaC36FVnLGbSbx6

Ju gjithashtu mund të dërgoni një mesazh ose një email në rrjetet tona sociale (@grazetamedia) apo në e-mail: info@grazeta.com

Historia juaj mund të ndihmojë të tjera gra të flasin dhe të kërkojnë drejtësi. Nuk je vetëm. Dhuna nuk duhet të jetë pjesë e lindjes.

 

About the author

Grazeta

Grazeta

Add Comment

Click here to post a comment