Në Kosovë, kur vjen stina e dimrit, bashkë me të vjen edhe një “dhuratë” aspak e këndshme. Ndotja e ajrit, sidomos gjatë kësaj stine është shumë shqetësuese. Përqendrimet e larta të grimcave të rrezikshme si PM2.5 dhe PM10 shpesh tejkalojnë kufijtë e rekomanduar nga OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë), duke shkaktuar një problem të madh për shëndetin publik. Tashmë ka vite që kjo situatë që arrin nivele alarmante është normalizuar në pikën që nuk është më as temë qendrore në shoqërinë tonë.
Studimet tregojnë se në përgjithësi ndotja e ajrit mund të ketë pasoja serioze për shëndetin respirator dhe kardiovaskular. Sipas një studimi në vitin 2018, rreziku i kancerit të gjirit është shumë më i lartë në zonat urbane ku ndotja e ajrit është më e lartë. Pra, gratë kanë më shumë paradispozita të pësojnë nga ndotja e ajrit. Po ashtu, ato janë më të rrezikuara për zhvillimin e sëmundjeve respiratore për shkak të faktorëve biologjikë dhe socialë në krahasim me burrat. P.sh., ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit mund të ndikojë më shumë tek gratë për shkak të ndryshimeve hormonale dhe shtatzënisë, duke rritur rrezikun për komplikacione të shumta shëndetësore.
Gjinekologeja Merita Demiri-Demolli e shpejgon rrezikun që u kanoset grave.
“Studimet kanë treguar se ndotja e ajrit mund të ndikojë në funksionet riprodhuese të grave, duke përfshirë uljen e fertilitetit dhe ndikuar negativisht në cilësinë e vezorëve. Përveç kësaj, ndotja mund të shkaktojë edhe çrregullime të ciklit menstrual.”
Kjo nuk është e gjitha, ka edhe pasoja tjera edhe më specifike që mund të sjell ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit tek gjinia femërore.
“Ndotja e ajrit ka ndikim në nivelin hormonal të grave, më konkretisht në prodhimin e estrogjenit. Ekspozimi veçanërisht ndaj grimcave të imëta (PM2.5), dioksidit të azotit (NO2) dhe benzenit, mund të interferojë me sistemin endokrin, duke çuar në çrregullime të prodhimit dhe metabolizmit të hormoneve”, potencon Demiri-Demolli.
Sipas gjinekologes Demiri-Demolli, ekspozimi afatgjatë ndaj ndotjes së ajrit konkretisht shkakton inflamacion të trupit dhe stres oksidativ. Këto dy faktorë mund të ndikojnë në funksionimin e organeve që janë përgjegjëse për prodhimin e hormoneve, si vezoret dhe gjëndra endokrine. Inflamacioni mund të stimulojë prodhimin e citokinave, të cilat mund të ndikojnë në sintezën dhe ekuilibrin e hormoneve të riprodhimit, duke çuar në nivele të larta të estrogjenit. Kjo mund të kontribuoni në disregulimin e ciklit menstrual dhe rritjen e rrezikut për sëmundje hormonale, si endometrioza dhe sindroma e vezoreve polikistike (PCOS).
“Rritja e estrogjenit për shkak të ndotjes mund të jetë veçanërisht e rëndësishme për shëndetin riprodhues të grave. Kjo mund të çojë në një balancë të dëmtuar hormonale, e cila mund të kontribuoni në zhvillimin e tumorëve hormonalisht të ndjeshëm, si kanceri i gjirit dhe i mitrës”, ka shtuar tutje Demiri-Demolli.
Ndotja e ajrit duhet të shihet si një çështje problematike gjinore. Gratë shpesh kalojnë më shumë kohë në shtëpi ose në mjedise ku ndotja e ajrit mund të jetë më e lartë për shkak të përdorimit të burimeve tradicionale të ngrohjes, si druri dhe qymyri. Për më tepër, normat sociale dhe përgjegjësitë që lidhen me kujdesin e shtëpisë mund të rrisin ekspozimin e grave ndaj ndotjes së ajrit të brendshëm dhe të jashtëm. Në botën akademike ende po bëhet thirrje për më shumë studime lidhur me ndikimin e ndotjes së ajrit në shëndetin e grave, pasi që vërehet një mungesë e të dhënave konkrete sidomos në ndërlidhjen e grimcave të rrezikshme PM dhe komponenteve të tjerë në sëmundje të ndryshme te gratë.
Në raportin vjetor të vitit 2021 nga AMMK (Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës) përmenden të gjeturat nga projekti i MFK/MCC-së me titull “Ndotja e ajrit dhe ndikimi në shëndet në Kosovë”, ku është vlerësuar se ndaj ekspozimeve aktuale (krahasuar me vlerën kufitare prej 2.4 μg/m3) dhe më pas, vlerësimin e ekspozimit të vlerës kufitare sipas OBSH-së për përqendrimin e PM2.5 (10 μg/m3), rezultatet tregojnë se 1150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet e vdekjeve natyrore.
Shkumbin Shala, nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, potencon që ndotja e ajrit në Kosovë mund të përmirësohet nëse përfillen standardet e OBSH-së.
“Numri i vlerësuar i vdekjeve të atribueshme që mund të shmangen (çdo vit) nëse arrihen vlerat kufitare të OBSH-së është 758 që paraqet 7.97% të vdekshmërisë totale (natyrore) në grup moshën 30 vjeç e lart. Rezultatet tregojnë se 758 vdekje të parakohshme çdo vit të shkaktuara nga ekspozimi afatgjatë ndaj PM2.5 mund të shmangen nëse arrihen vlerat kufitare sipas standardeve të OBSH-së.”
Pra, ndotja e ajrit në Kosovë mbetet një nga sfidat më të mëdha mjedisore, me përqendrime të PM2.5 shumë më të larta se vlerat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë e cila kërkon vëmendje të shtuar.
Për më tepër, është e rëndësishme që politikat publike për përmirësimin e cilësisë së ajrit të përfshijnë një perspektivë gjinore. Kjo mund të përfshijë investime në teknologji të pastër energjetike dhe programe edukimi që synojnë të ndërgjegjësojnë gratë për mbrojtjen nga ndotja. Për më tepër, përmirësimi i qasjes së grave në kujdes shëndetësor që adreson sëmundjet respiratore dhe jo vetëm duhet të jetë prioritet. Pra, gratë duhet të dijnë pasojat që u kanosen gjatë ekspozimit në ajër të ndotur dhe të këshillohen për mënyrat se si të evitohen këto rreziqe.
Për të adresuar këtë problem me efikasitet, është thelbësore që politikëbërësit të ndërmarrin hapa konkrete në politikat mjedisore dhe ato të shëndetit publik. Përkushtimi për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe për të mbrojtur në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët është një hap i domosdoshëm.
Add Comment