Këtë vit për 8 mars, nën thirrjen “MARSHOJMË KUNDËR PATRIARKATIT QË VRET” do të shënohet
Dita Ndërkombëtare e Gruas.
Lexoni deklaratën e plotë të kolektivit organizues.
Marshojmë sepse nuk duam të festojmë përderisa vajzat dhe gratë vriten. Rezistojmë të bashkuara patriarkatin që vazhdon t’u marrë jetën shumë grave të Kosovës. Edhe ky 8 mars na gjen të revoltuara ndaj sistemeve shtypëse që kanë mundësuar përshkallëzimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave gjatë viteve të fundit. Do të dalim nga shtëpitë, universitetet, shkollat, dhomat e gjumit, fabrikat, zyret, spitalet e do të qëndrojmë të bashkuara kundrejt PATRIARKATIT QË VRET! Në këtë ditë, do të përkujtojmë të gjitha gratë që u vranë veç pse ishin gra dhe do të kërkojmë drejtësi nga një shtet që i legjitimoi këto krime.
Rezistenca jonë do të jetësohet në të gjitha hapësirat private e publike ku burrat ushtrojnë dhunë e terror mbi gratë deri sa të ç’rrënjoset sistemi patriarkal i cili na shtyp dhe vret.
Me 8 mars mblidhemi në ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” për të marshuar për drejtësi shoqërore, ekonomike e politike. Për një jetë pa dhunë e shtypje. Për një shoqëri të lirë e të barabartë.
Në frymën e rezistencës, ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i bashkohen thirrjes tonë qoftë në rrugë apo nga shtëpitë e tyre. Për ata/o që thirrjes duan t’i bashkohen në rrugë, ju presim të marshojmë së bashku nga ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Ata/o që thirrjes duan t’i bashkohen nga shtëpitë, i ftojmë që në ballkonet e tyre të vendosin mbishkrime në çarçafë ku përshkruajnë luftën e tyre kundër shtypjes që ndodhë brenda dhe jashtë shtëpive. Privatja dhe publikja janë politike, ashtu sikur edhe lufta jonë për drejtësi dhe barazi.
Marshueset/it duhet të respektojnë udhëzimet e IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së COVID – 19 duke u pajisur me maska dhe mbajtur distancimin social.
Në solidaritet!
Kolektivi Marshojmë S’festojmë



Add Comment