Ditë më parë, nëpërmjet rrjeteve sociale është lansuar platforma feministe “SHOTA”. Me vëllimin e parë të tyre të quajtur “Frymëmarrje” filluan zbërthimin e temave të ndryshme feministe. Lexoni rreth plaformës “Shota” si dhe gjeni të bashkangjitur linkun për Vëllimin e tyre të parë të quajtur: “Frymëmarrje”.
“Shota” lindi rrugëve të qytetit si përgjigje ndaj dhunës sistemore dhe patriarkale, për t’u kontekstualizuar më pas në një platformë përbashkuese, me qëllim shtrimin e diskursit dhe praktikës feministe në Shqipëri.
Përkrah solidaritetit dhe mobilizimit në terren, zhvillimi i mendimit kritik dhe emancipimi përmes dijes, mbeten të vetmet instrumente premtuese tonat për ndërtimin e një shoqërie ndryshe. Aty ku ka vend për gratë njëlloj sikurse për burrat; ku puna është meritë dhe shpërblim drejt një jetese me dinjitet, jo skllavëri moderne; ku për shoqja-shoqen jemi krah mbështetës, jo konkurrente në një garë absurde që mëkon strukturat e shtypjes; ku dallimet tona në terma të etnisë e gjuhës që flasim, kombësisë, kulturës e besimit të cilit i përkasim, orientimit seksual apo identitetit gjinor, shërbejnë për të na afruar dhe fuqizuar.
Shota është ide dhe përpjekje. Ajo është çdo grua që vjen nga skajet drejt qendrës. Shota e banon personalen e tyre, i jep asaj jehonë dhe e shndërron atë në thirrje publike. Por mbi të gjitha, Shota është kërkesa për drejtësi shoqërore dhe barazi gjinore, mungesa e kompromisit për lirinë dhe jetën.
Së bashku, guxojmë!
Linku për vëllimin e parë:



Add Comment