W.I.T.C.H., fillimisht akronim i “Komplotit Ndërkombëtar Terrorist të Grave nga Ferri” (ang. Women’s International Terrorist Conspiracy from Hell), ishte emri i disa grupeve feministe të lidhura, por të pavarura, që ishin aktive në Shtetet e Bashkuara, si pjesë e lëvizjes për çlirimin e grave gjatë fundit të viteve të ’60-ta. Emri W.I.T.C.H (shq. SHTRIGË), nganjëherë zgjerohej në mënyrë alternative si “Gratë e Frymëzuara për ta Treguar Historinë e Tyre Kolektive”, apo “Gratë e Interesuara për Rrëzimin e Festave Konsumeriste” (ang. Women Interested in Toppling Consumer Holidays) ndër variacionesh të tjera.

I pari grup W.I.T.C.H. u themelua në qytetin e Nju Jorkut në tetor të vitit 1968. Themelueset ishin feministe socialiste, ose siç e quanin veten “politicos”, të cilat më parë kishin qenë anëtarë të grupit të Grave Radikale të Nju Jorkut. Ato kundërshtuan idenë e mbrojtur nga feministet radikale se gratë feministe duhej të bënin fushatë vetëm kundër “patriarkatit”. Në vend të kësaj, W.I.T.C.H. argumentonin se feministët duhej të bashkoheshin në një sërë kauzash të majta, për të sjellë ndryshime më të gjera shoqërore në Shtetet e Bashkuara.

Studiues të ndryshëm kanë sugjeruar që në përqafimin e ikonografisë së shtrigës, W.I.T.C.H. përfaqësonte pararendësit e formave të ndryshme të paganizmit modern me orientim feminist si Dianic Wicca.
Ato ia atribuonin shtypjen e grave kapitalizmit, duke u bashkuar me kauza të tjera të majta si e majta e re, lëvizja çlirimtare e zezakëve, lëvizja studentore dhe lëvizja kundër luftës për të sjellë ndryshime socio-politike dhe revolucionare.

Grupi e shpalli shtrigën si simbolin e tyre dhe përdori taktikat dramatike të performancës dhe kostumeve guerile në protestat e tyre. Veçanërisht, në aksionin e tyre inaugurues, anëtaret u veshën si shtriga dhe marshuan në ‘Wall Street’ duke e nemur apo duke i “bërë magji” distriktit financiar “patriarkal” dhe “kapitalist” të Nju Jorkut. Ato shpërndanin thelpinj hudhre dhe kartolina me moton, “Ne jemi shtriga! Ne jemi gra! Ne jemi çlirimi! Ne jemi ne!”
Studiuesja fetare, Cynthia Eller shkruan, “Aspekti më domethënës i W.I.T.C.H ishte zgjedhja e simbolit qendror: shtrigës. Duke zgjedhur këtë simbol, feministet po e identifikonin veten me gjithçka që gratë u mësuan të mos ishin: të shëmtuara, agresive, dhe të pavarura. Feministet e morën këtë simbol dhe e formësuan – jo si në përralla – si “shtrigë e mirë”, por në një simbol të fuqisë femërore, dijes, pavarësisë dhe martirizimit.”



Add Comment