“16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore” është fushatë vjetore që fillon më 25 nëntor – Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave – dhe përfundon më 10 Dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut.
Vlerësimet globale të publikuara këtë vit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se rreth 1 në 3 (ose afërsisht 736 milionë) gra në mbarë botën kanë përjetuar ose dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri intim ose dhunë seksuale nga jopartneri gjatë jetës së tyre. Kjo shifër mund t’ju tingëllojë e njohur sepse një raport i fundit i Kombeve të Bashkuara thoshte se, në mënyrë alarmante, ky numër mbetet i pandryshuar për dekadën e fundit.
Shumica e kësaj dhune është dhunë nga partneri intim. Në mbarë botën, pothuajse një e treta (27%) e grave të moshës 15-49 vjeç që kanë qenë në një lidhje raportojnë se kanë qenë subjekt i një forme të dhunës fizike dhe/ose seksuale nga partneri i tyre intim.
Përshkallëzimi gjatë COVID-19
Për t’i bërë gjërat më keq, pandemia e shkaktuar nga COVID-19 pa rastet e dhunës seksuale dhe të dhunës me bazë gjinore të përshkallëzohen edhe më shumë. Për shkak të një kombinimi masash bllokimi dhe karantinimi, pamundësi për punë dhe studime, dhe një presioni në rritje ndaj kërkesave shtëpiake, shumë gra dhe vajza janë mbyllur në shtëpi me abuzuesit e tyre, duke krijuar të ashtuquajturën ‘pandeminë e fshehur’.
Ndërhyrjet në shëndetin seksual dhe riprodhues janë të rëndësishme për sa i përket parandalimit, reagimit dhe eliminimit të të gjitha formave të dhunës seksuale dhe me bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave. Shumë grave dhe vajzave u mungon qasja në shërbimet thelbësore themelore falas për sigurinë, mbrojtjen dhe shërimin e tyre, duke i ekspozuar ato ndaj detyrimit riprodhues, shtatzënive të paplanifikuara dhe me rrezik të lartë dhe abortit të pasigurt. Dhuna seksuale dhe në baza gjinore gjithashtu rrit vulnerabilitetin e grave ndaj HIV-it dhe infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme.
Zgjidhjet duhet të vijnë nga nivelet më të larta
Kjo situatë shqetësuese nuk mund të injorohet dhe eliminimi i dhunës duhet të jetë prioritet në mbarë botën në nivelet më të larta. Në këtë mënyrë, qeveritë në mbarë botën duhet të:
• Të respektojnë, mbrojnë dhe përmbushin detyrimet e tyre për të drejtat e njeriut, për barazinë gjinore dhe për një jetë pa dhunë për të gjithë, duke përfshirë fëmijët, gratë, adoleshentët dhe vajzat
• Të zhvillojnë dhe/ose të rishikojnë ligjet që adresojnë dhunën, duke përfshirë viktimat dhe të mbijetuarit në proces
• Të sigurojnë që legjislacioni dhe politikat të përfshijnë një përkufizim gjithëpërfshirës të të gjitha formave të dhunës, duke përfshirë:
• Dhuna nga partneri intim
• Përdhunimi martesor
• Ngacmimi seksual
• Martesat e hershme e fëmijëve
• Gjymtimi gjenital
• T’i ipet fund pandëshkueshmërisë së autorëve të dhunës
• Të rritet financimi për parandalimin dhunës në baza gjinore
• Të përfshihen në mënyrë kuptimplote gratë, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, grupet feministe, organizatat e udhëhequra nga të rinjtë dhe të tjerë si partnerë strategjikë në zbatimin e angazhimeve të tyre
• Të sigurohet akses në linjat e ndihmës emergjente, të forcohet reagimi i policisë dhe sektorit të drejtësisë, kujdesit shëndetësor seksual dhe riprodhues, strehimit të sigurt, strehimit dhe këshillimit psiko-social
Duhet të kujtojmë se dhuna ndaj grave është e parandalueshme – por për ta parandaluar atë, përkushtimi për barazinë gjinore dhe për fuqizimin e grave dhe vajzave duhet të jetë i palëkundur. Këto 16 Ditë Aktivizmi jo vetëm që theksojnë ekzistencën e dhunës seksuale dhe të dhunës me bazë gjinore në çdo shoqëri, por synojnë gjithashtu ta sfidojnë heshtjen dhe mosndëshkimin që e rrethon atë në shumë pjesë të botës. Kështu, qeveritë në mbarë botën duhet t’i përdorin këto 16 ditë e më tej për t’u angazhuar me vendosmëri njëherë e përgjithmonë. 736 milionë gra varen prej angazhimit të tyre.



Add Comment