Krejt-kah-pak

10 këngë feministe për këtë muaj

Punk rock-u u shfaq në fund të shekullit XX si forcë e madhe shkatërruese brenda tregut dhe skenës së etabluar muzikore dhe shoqërive më të mëdha kapitaliste të Perëndimit industrial. Muzika punk u karakterizua në përgjithësi nga prirja për të qenë kundër status quo-së, nga një karakter i theksuar për të krijuar veprat vetë (DIY) dhe nga një dëshirë për mostjetërsim (si rezistencë ndaj formave të shumëfishta të tjetërsimit në shoqërinë moderne). Këto tri elemente u ofruan individëve dhe grupacioneve të ndryshme mjetet e nevojshme për ndërhyrje dhe veprime politike.

Skena muzikore, kryesisht e dominuar nga burrat, sidomos në tregun amerikan të muzikës, hasi në rezistencë në vitet ’90. Gratë muzikante që e kundërshtuan këtë situatë e nisën lëvizjen e Riot Grrl për t’u rebeluar kundër mjedisit maskulinist dhe seksizmit që përjetonin çdo ditë. Qëllimi i tyre ishte frenimi i diskriminimit ndaj grave që shihej jo vetëm në tregun muzikor të asaj kohe por edhe në të gjitha dimensionet shoqërore.

Girl power! Riot, don’t diet! Every girl is a Riot Grrl! ishin vetëm disa nga parullat e lëvizjes së Riot Grrl.

Konceptuar që nga fillimi si një revolucion DIY (si një nga elementet përbërëse të punk-rock-ut), Riot Grrl filloi si një lëvizje feministe në Amerikën e Veriut, duke frymëzuar veprimtari të ngjashme në Britani, Kanada, Australi dhe në Evropë dhe Azi.

Riot Grrl lulëzoi në atmosferën politike e shoqërore të viteve ’90 si reaksion ndaj seksizmit dhe “rokut të burrave barkmëdhenj”. Shfaqja e zines (gazetave të vetëpublikuara, zakonisht të riprodhuara përmes fotokopjimit), si një nga mjetet primare të aktivizmit feminist në këtë periudhë, mundësoi që format radikale të fjalës, p.sh. manifestet, të bëheshin pjesë e një ndjeshmërie të përditshme politike. Kjo ndjeshmëri politiko-sociale që prodhohej si krijimtari e DIY-së ishte e lidhur me jetën e zakonshme (dhe jo aq të zakonshme) të vajzave dhe grave që i prodhonin ato, u kontribuonin atyre dhe i lexonin ato.

Bendet që identifikoheshin si pjesë e lëvizjes së Riot Grrl shpesh i adresonin çështjet që lidheshin drejtpërdrejt me jetën e grave. Përdhunimi, abuzimi në familje, seksualiteti, racizmi, klasizmi, fuqizimi i grave e patriarkati ishin vetëm disa nga temat për të cilat thurreshin vargje agresive, eksplicite dhe vulgare në këngët e tyre.

Në vijim mund ta gjeni listën e këngëve të lëvizjes “Riot Grrl” që ua rekomandon Grazeta:

1. Rebel Girl – Bikini Kill (1992)

2. Dead Men Don’t Rape – 7 Year Bitch (1992)

3. Shitlist – L7 (1992)

4. Pretend We’re Dead – L7 (1992)

5. Cherry Bomb – Bratmobile (1993)

6. Herjazz – Huggy Bear (1993)

7. Wargasm – L7 (1992)

8. Suck My Left One – Bikini Kill (1991)

9. Fagetarian and Dyke – Team Dresch (1995)

10. Cool Schmool – Bratmobile (1993)

About the author

Grazeta

Grazeta

Add Comment

Click here to post a comment