Krejt-kah-pak

Qendra Kosovare për Studime Gjinore sjell diskutimin me aktivisten Sevdije Ahmetin

Në nderim të veprës dhe jetës së Sevdije Ahmetit, Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) ka sjell një pjesë të diskutimit me Sevdije Ahmetin mbi temën “Lufta dhe tranzicioni në Kosovë: Trupi dhe dhuna” të zhvilluar në vitin 2005 në kuadër të bisedave “Çfarë ka të bëjë feminizmi me këtë?” të zbatuar nga QKSGj.

Pjesë të aktivizmit të Sevdije Ahmetit janë rrëfyer nga vetë Sevdija edhe në librin dokumentues të lëvizjes së grave në Kosovë “Histori është edhe tregimi i saj” të publikuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

Sevdije Ahmeti (1944 – 2016) ka qenë njëra nga nismëtaret e lëvizjes së grave në Kosovë. Ajo ishte ndër zërat më të fuqishëm që avokuan për emancipimin e grave në shoqëri dhe kundërshtuan shtypjen jugosllave në Kosovë ndaj popullsisë shqiptare, ndër të tjera, nga prizmi gjinor.

E lindur me 5 nëntor të vitit 1944 në Gjakovë, Sevdije Ahmeti ndoqi studimet universitare për Gjuhë dhe Letërsi Angleze pranë Fakultetit të Filologjisë. Studimet post-diplomike i vazhdoi në psikologji në Angli, për t’u specializuar më pas në Institutin Bibliografik në Beograd, në Bibliotekën Shtetërore të Bukureshtit dhe në Mynih të Gjermanisë, në Institutin për Evropën Juglindore. Për tri vite e gjysmë punoi në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës si udhëheqëse e sektorit të bibliografisë dhe si redaktore dhe më pas në Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut.

Nga viti 1993, ajo intensifikoi dhe më tej aktivizmin e saj politik, duke bashkëthemeluar Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, më 1993, që ishte ndër organizatat e para joqeveritare në Kosovë të cilat aktivizmin e vet e kthyen edhe në protesta në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të grave, si dhe për paqe e kundër represionit shtetëror serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Si studiuese dhe aktiviste, Sevdije Ahmeti ka kontribuar në shtrimin e kritikës feministe në fusha të ndryshme, duke i dokumentuar dhe analizuar përvojat dhe pozitën e grave në shoqërinë kosovare dhe duke u angazhuar aktivisht në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe empancipimin gjinor. Krahas angazhimit për çlirim kombëtar ishte njëra nga gratë e para që luftën dhe angazhimin për çlirim e shtronte nga perspektiva gjinore, duke e trasuar kështu rrugën për çlirim gjinor. Ishte pikërisht shkrimi, mjeti përmes së cilës Sevdija filloi rezistencën e saj politike, si grua dhe si aktiviste politike.

Në vitin 1987 në një artikull, ajo kritikonte ashpër portretizimin e grave shqiptare në mediat jugosllave. Më pas, ajo do të shkruante artikuj, analiza dhe libra, duke përfshirë librin “Ditari i një gruaje të Kosovës 1998-1999”, botuar fillimisht në Paris. Përveç shkrimit, Sevdija bashkëorganizoi dhe mori pjesë në shumë protesta të organizuara nën ombrellën e kauzës për çlirim kombëtar, mori pjesë dhe e aktualizoi çështjen e Kosovës dhe të grave në instanca të ndryshme ndërkombëtare përmes konferencave dhe platformave të ndryshme dhe kontribuoi në krijimin e rrjeteve të grave anembanë Kosovës, duke etabluar një lëvizje më të gjerë të grave në Kosovë dhe rajon. Përgjatë dhe pas luftës, Sevdije Ahmeti ishte ndër aktivistet e para e cila u angazhua në dokumentimin e dhunimeve seksuale gjatë luftës, duke mbledhur dëshmi dhe rrëfime nga vetë të mbijetuarat/it e dhunës seksuale për çfarë dhe bashkëpunoi mr organizata ndërkombëtare dhe me Tribunalin e Hagës.

Duke qenë një nga feministet më të zëshme gjatë periudhës së luftës, ajo u rreshtua në vijën e parë të frontit të ofrimit të ndihmës psiko-sociale për të mbijetuarat e dhunës seksuale. Ndonëse, Sevdija u angazhua intensivisht në dokumentimin e dhunimeve seksuale, një pjesë e dëshmive të mbledhura nga ajo nuk janë bërë të ditura, gjë që kishte nxitur edhe dëshprimin e saj me drejtësinë tranzicionale e cila ishte e paprekshme për disa nga kategoritë më të ndjeshme të dala nga lufta.

Përveç punës së saj me të mbijetuarat/it e dhunës seksuale, pas luftës Sevdije Ahmeti vazhdoi të angazhohej në njohjen e kontributit të grave në çlirimin e vendit dhe zgjerimin e hapësirës publike për përfshirje më të drejtë gjinore në shtet-ndërtim dhe paqe. Aktivizmin dhe punën e saj në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të grave ajo e zhvilloi në forma të ndryshme deri në vitin 2016, kur edhe vdiq.

Jeta dhe vepra madhore e Sevdijes mbesin pika reference për aktivizmin feminist në Kosovë, si tregues për rezistencën e grave ndër vite dhe angazhimin e tyre në çlirim, shtet-formim dhe krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë. Për guximin dhe aktivizmin e vet, ajo ka marrë mirënjohje ndërkombëtare përfshirë këtu edhe çmimet e organizatave Human Rights Watch dhe Amnesty International.

Video nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore:


About the author

Grazeta

Grazeta

Add Comment

Click here to post a comment