Shtjellime

Feminizmi në sytë e vajzave adoleshente

Si u njoh një adoleshente me feminizmin

Feminizmi është një lëvizje socio-politike e cila ka për synim barazime mes dy gjinive në anën politike, sociale dhe ekonomike.

Njohja me feminizmin për mua ka filluar që në moshë të re. Shumicën e adoleshencës e kam kaluar duke luftuar kundër mendimeve seksiste. Duke luftuar thëniet si “mos qaj se nuk je vajzë” ose “mos e gjuaj topin si femër”, duke u ballafaquar me ngacmimet e shumta që bëhen në rrugë, duke u ngritur kundër rregullave të shkollës që çuditërisht ishin të njëanshme e nuk vlenin kurrë për gjininë tjetër, duke luftuar paragjykimet e përditshme që bëhen nga shoqëria, duke luftuar rolet gjinore që na janë caktuar me shekuj e akoma nuk duan t’i ndërrojnë, duke u parë si objekte e jo si qenie njerëzore plot potencial.

Por, me feminizmin jam njoftuar edhe me anët pozitive. Kam dëgjuar prindërit të më thonë të mësoj e të bëhem e zonja e vetes, të mos i dyshoj aftësitë e mija, të mos bëhem pjesë e injorantëve që kalojnë ditën me fyerje e paragjykime të kota, të luftoj për veten dhe të drejtat e mija e ta shoh botën me mendje të hapur.

Këtu kanë qenë fillet e njoftimit tim me feminizmin. E gjithë kjo filloi nga shtëpia ime dhe u influencua edhe nga shoqëria që më rrethon. Lufta për barazi gjinore akoma vazhdon e gjithmonë shfaqet një pengesë e re për arritjen e qëllimit. Ndonëse lëvizja feministe zgjerohet, akoma qëndron një ndrojtje kur vjen puna që të ngrihet zëri për të drejtat tona. Gjithmonë është ajo frika se si do gjykohemi nga shoqëria. E feminizmi nëpër vende të ndryshme të botës ka qëllime të ndryshme, duke filluar nga vendet që akoma luftojnë për shkollimin e grave e deri te vendet ku kërkohet barazi në pune, shkollë, etj. Që të ketë sukses lëvizja feministë, rëndësi të madhe ka edukimi i moshave rinore mbi të.

“E konsideroj veten feministe sepse nuk jam e kënaqur me mënyren si vlerësohet dhe gjykohet gruaja”

Ana Gjonbalaj, 16 vjeçare, thotë për Grazetën se feminizmi për të është koncepti që gjinitë të kenë të drejta të barabarta. Ana është e bindur se kjo lëvizje e fuqizon gruan dhe i nxjerr në pah aftësitë dhe diturinë që ka, të cilat shumicën e kohës anashkalohen nga shoqëria.

“Mua më pëlqen koncepti i feminizmit sepse mendoj që sjell një frymë të re duke ulur poshtë mënyrën se si është parë gruaja në sytë e tjerëve më parë. Të jesh grua në shoqërinë e sotme vjen me shumë stereotipe gjinore dhe lëvizjet feministe mendoj ndihmojnë në rrallimin e këtyre stereotipeve,” thotë Ana, duke shtuar: “e konsideroj veten feministe sepse nuk jam e kënaqur me mënyrën si vlerësohet dhe gjykohet gruaja”.

Ana tha për Grazetën se ajo beson se çdo njeri duhet të ketë të drejta të barabarta, duke shtuar: “për shembull në Kosovë thelbi i këtyre problemeve është kryesisht mentaliteti i shoqërisë, fakti që shumë njerëz akoma mendojnë se gruaja ka rol në kuzhinë dhe jo në vend pune”.

“Nëse do arrihej qëllimi dhe kërkesat e feminizmit, jeta ime dhe e gjithë grave do kishte ndërruar shumë”

17 vjeçarja Erina Hoxha thotë për Grazetën se feminizmin e sheh si një lëvizje shumë të rëndësishme për të drejta të barabarta gjinore dhe si një një frymë të re e cila është e domosdoshme për t’u arritur barazia.

“Edhe pse feminizmi dhe qëllimi i tij në teori më pëlqejnë, nuk më pëlqejnë mënyrat si keqinterpretohet, madje ndonjëherë edhe teprohet deri në pikën ku problemet e mëdha të pabarazisë nuk përfillen për shkak se fokusohemi në gjëra të parëndësishme,” thotë Erina, duke shtuar se ajo beson që nëse do arrihej qëllimi dhe kërkesat e lëvizjes feministë, “jeta ime dhe e gjithë grave do kishte ndërruar shumë, nuk do kishim vështirësi të pranohemi në punë vetëm sepse jemi vajza, fjalët dhe mendimet tona do kishin rëndësi, nuk do të nënvlerësoheshim dhe do të shiheshim si faktor i rëndësishëm në shoqëri”.

Erina tha për Grazetën se arsyeja pse ajo e quan veten feministe është sepse vajzat nuk shihen të barabarta në shoqëri.

“Nuk mendoj se plot gjëra duhet të ndahen në baza gjinore, nuk mendoj që duhet të paragjykohemi e keqtrajtohemi nga shoqëria dhe po ashtu jam e bindur që ka plot gjëra që gratë mund t’i bëjnë njësoj si burrat,” thotë Erina dhe shton se nuk ka paqartësi apo keqkuptim të lëvizjes feministe në Kosovë, por mentaliteti i vjetër i ndalon njerëzit për ta mbështetur këtë lëvizje.

“Unë do ia mundësoj vetes arritjen e qëllimeve të mia në të ardhmen duke vazhduar ta mbështes lëvizjen feministe dhe të kontribuoj në mënyrë që gjeneratat që do vinë të rriten në një frymë tjetër, në një frymë ku ka barazi,” tha Erina për Grazetën.

“Është koha që të mos jemi të ngecura brenda kornizave tradicionale”

Laura Dragusha, 18 vjeçare, tha për Grazetën se ajo e sheh feminizmin si aktivizëm që vepron drejt barazisë gjinore në aspektin social, politik, shoqëror, ekonomik apo në çdo sferë tjetër – më saktësisht, si një lëvizje kundër trajtimit të gruas në mënyrë jo të drejtë në shoqëri.

Laura thotë se feminizmi e ka ndryshuar këndvështrimin e saj ndaj vetë grave në shoqëri, duke bërë që ajo të mburret me faktin që është grua.

Laura e ka shkëputur një prej fjalimeve të Hillary Clinton-it në vitin 2016 ku ajo thotë “To all the little girls watching: Never doubt that you are valuable and powerful and deserving of every chance and opportunity in the world”. [Për të gjitha vajzat e vogla që po na shikojnë: Kurrë mos dyshoni se jeni të vlefshme e të fuqishme dhe meritoni çdo mundësi në botë.]

“Ky është pikërisht një prej fjalimeve që të bën të mos ndalesh drejt të besuarit se ne mund të arrijmë çfarëdo që synojmë e pikërisht kjo lëvizje ka ndikuar në këtë mendim,” tha Laura, duke shtuar se në këtë botë duhet të ketë barazi gjinore, si edhe barazi racore e religjioze sepse, siç thotë ajo, “barazia është shumë e thellë brenda neve si qenie njerëzore”.

“Unë besoj se është koha që të dalim jashtë përkufizimit të gruas që shoqëria e ka krijuar, të mos jemi të ngecura brenda kornizave tradicionale apo të ngecura brenda roleve që jo domosdoshmërisht duhet të jenë të definuara për ne,” thotë Laura për Grazetën dhe vazhdon mendimin e saj se një grua është mjaftueshëm e aftë të arrijë çdo gjë, prandaj e vetmja gjë që i duhet një gruaje është të ketë veprim, të drejta dhe akces në mundësi.

“Duhet të veprojmë për ndryshimin e mendimit se një vajzë nuk ka aftësi të mjaftueshme për një pozitë të caktuar, për ndryshimin e mendimit se natyra e një vajze nuk ka mund ta përballojë një punë apo një situatë të caktuar. Duhet të veprojmë në ndryshimin e këtyre mendimeve të gabuara,” tha Laura për Grazetën, duke shprehur bindjen e saj se do të vjen një ditë kur vajzat dhe djemtë do të kenë qasje të barabartë në çdo mundësi dhe të drejtë, në thyerjen e tabuve dhe mendimeve tradicionale për rolin e gruas në shoqëri.

Mendime të tilla si të Anës, Erinës dhe Laurës has në mesin e shumë bashkëmoshatareve. Natyrisht, me një artikull vështirë se përfshihen të gjitha. Por, në përgjithësi, raste të tilla na tregojnë për një vetëdije të ngritur te kjo gjeneratë për nevojën e barazisë gjinore.

About the author

Elisa Braha

Elisa Braha

Elisa Braha është nxënëse e vitit të fundit në shkollën e mesme "Xhevdet Doda". Elisa është qytetare aktiviste për të drejtat e njeriut dhe merret me një numër të aktiviteteve dhe punëve vullnetare.

1 Comment

Click here to post a comment

  • Të lumtë Elisa ime, ti që na ben krenarë për çdo ditë. E di që ti dhe shoqet si ti do ia dilni, pasi që i keni vënë qëllim vedit ta luftoni të vjetrën atë të keqe të madhe që na e lan të tjerët e ne thjeshtë veç e vazhduam ,pa bërë shumë përpjekje që ta mundim nënshtrimin!❤
    Po ta tregoj një storje të vitit 1972, atëherë gjyshja jote ishte studente dhe bëri një lëvizje për emancipimin e vajzave , u mblodhën 100 akcioniste dhe dolën nëpër fshatrat e Kosovës, 1 muaj takuan dhe shpërndanë idenë se vajzat e kanë vendin në shkollë, ishte mahnitëse ajo pritje ata sy që të etur për shkrim këndim pasi ato nuk e dinin as alfabetin pastaj kish edhe aso që kishin mbaruar 4 vjet dhe nuk i kishin lënë të vazhdojnë më! Vaj e gjëm me dhëmbje rrëfenin historinë e jetës së tyre, disa që i kishin fejuar në djep e disa akoma pa lindë e nuk dinin as se çfar burrash do merrnin ,njërës i kishte qëlluar një debil po thoshte skam çare pa shku se baba mka dhanë në bark të nanës , se ata kur i kishin gratë shtatëzëna kishin thënë nëse ty të lindë vajzë e mua djalë qe dora, e nëse do lindnin vajza ska miqësi.
    Nga ai akcion disa nga këto në mbështetje të rinisë ikën nga shtepitë dhe erdhën në shkollë. Gazetat shkruajtën shumë, edhe sot i ruaj artikuj nga ajo kohë , kohë që kurrë mos u ktheftë.
    Unë kam besim që me ju veç do përparoj! Të lumt ❤