Vox

Shërbimet e shëndetit mendor janë çështje feministe!

Më 16 mars të vitit 2022 në Kuvendin e Kosovës në rend dite ishte një propozim nga Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale: një ligj i ri për shëndet mendor. Pas këtij propozimi, me datë 19 tetor të vitit të kaluar filloi procesi i konsultimeve publike mbi Koncept Dokumentin për Shëndet Mendor. Ky dokument kishte për qëllim të ofronte një analizë mbi gjendjen e shëndetit mendor në Kosovë, mangësitë në legjislacion dhe pika të tjera të rëndësishme. Megjithatë, ajo se çfarë përmbante në përqindjen më të madhe të raportit ishte një analizë kryesisht për burra heteroseksual. Në krejt raportin, vetëm dy herë theksohet çështja e grave: “Përfshirja e viktimave të dhunës në bazë gjinore, viktimat e dhunës seksuale dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës çlirimtare për trajtim psiko-social në institucionet e shëndetit mendor” dhe “të rregullohen procedurat e trajtimit të të burgosurve me çrregullime mendore sidomos të miturve, femrave dhe atyre në moshë të tretë”. Fatkeqësisht, këtu përmenden si kuotë dhe nuk ka asgjë substanciale në shpjegimin e tyre tutje për të treguar një planifikim se si do të bëhej përfshirja e grave në trajtimin psiko-social nga instutucionet e shtetit dhe si kjo duhët të përfshihet në projektligj.

Vendimi për të inicuar një ligj të ri të shëndetit mendor, ishte një momentum i shumëpritur jo vetëm nga profesioniste/ët e shëndetit mendor por edhe për përfituese/it e këtyre shërbimeve. Si Qendër për Informim dhe Përmirësim Social, filluam diskutime publike në të gjitha Komunat e Kosovës, për të marrë rekomandime nga përfituese/ë e profesioniste/ë të shëndetit mendor. Rekomandime këto, që ishin zëri i qindra qytetareve/ëve që ne kishim synim t’i adresonim në grupin punues dhe të përfshiheshin në ligj.

Pse shërbimet e duhura të shëndetit mendor janë çështje feministe?

Në njërën prej komunave të para ku po zhvillonim diskutimet publike rreth projektligjit për shëndet mendor, një pjesëmarrese grua kishte arrtitur në sallë e para dhe po mbante një letër në dorë. Me te filluar diskutimi ajo kërkoi që ta mirrte fjalën dhe filloi ta lexonte letren. Në këtë letër, ajo kishte shkruar jetën e saj në dy faqe. Ajo nuk fliste për jetën e saj si individ ,por se si gjendja e rëndë e djalit, kishte ndikuar direkt në mjerimin që ia kishte shkaktuar edhe jetës së saj. Djali i saj ishte i diagnostifikuar me shkallë të lartë të çrregullimit të shëndetit mendor.

Gjendja e rëndë ekonomike, pamundësia për të ndjekur karrieren e saj si mësuese për shkak të përkujdesjes, ndikimi i kësaj përkujdesje në shëndetin fizik e mendor të saj: të gjitha këto ishin si rezultat i një sistemi të shëndetit mendor i cili barrën për përkujdesje ia kishte faturuar kësaj gruaje. Letra që ajo kishte përgaditur përveç që përshkruante gjendjen e rëndë që kishte ndryshuar edhe jetën e saj, ajo u drejtohej instutucioneve të vendit si kritikë dhe si apel për ndihmë për të gjetur një zgjidhje. Kërkesat e saj ishin shumë të qarta dhe ishin të bazuara në atë që ne vazhdimisht po kërkonim nga ky ligj: shërbime të bazuara në komunitet. Çka do të thotë kjo?

Investimi në qendra të shëndetit mendor në secilën komunë, ku psikiatri, psikologu, punëtori social, etj. e bëjnë lidhjen e domosdoshme të personave me çrregullime të shëndetit mendor me sektorët e arsimit, punësimit, mbrojtjes sociale, dhe edukimit të vazhdueshëm psiko-social të familjeve ku sigurohen që të përfshihen në komunitet dhe janë në gjendje të bëjnë një jetë kuptimplote. Kur këto shërbime mungojnë, personat të cilët e marrin barrën për t’u kujdesur për personat me probleme të shëndetit mendor janë gratë, pikërisht sepse shërbejnë si kujdestare kryesore brenda familjeve të tyre.

Ky nuk ishte rasti i vetëm. Në diskutimet e tjera të zhvilluara, kur janë pytur familjarët se kush kujdesët për familjarin e tyre që ka çrregullim të shëndetit mendor, çdo herë më është thënë që gruaja, nëna apo motra. Mbi të gjitha, këto përvoja janë shkaktare të mëdhaja të stresit kronik, ankthit e depresionit tek gratë. Ndikimi në normat e larta të çrregullimeve të shëndetit mendor që kjo përkujdesje shkakton tek gratë, feministja Silvia Federici e përkufizon si “një simptomë e çmimit që gratë paguajnë, ndër të tjerash, për jetën e tyre si shtepiake ose si orar të plotë ose si ndërrim i dytë”.

Çështja e përkujdesjes për familjarët me çrregullime të shëndetit mendor, është vetëm një nga problematikat që një prespektivë feministe shtron. Veçanarisht në një shoqëri patriarkale, mungesa e shërbimeve të dedikuara për shëndetin mendor në këto komunitete do të thotë perforcim i thellë i pabarazive gjinore, duke përfshirë këtu mungesën e shërbimeve të cilat janë të nevojshme për gra, siç është trajtimi i depresionit së paslindjes (një problem i cili ndikon një në dhjetë gra). Fatkeqësisht drafti i fundit i projektiligjit për shëndet mendor i injoron plotësisht rekomandimet që kanë prespektiva feministe. Votimi i mëtej i këtij projektligji do të duhej të ishte alarm për të gjithë ne pasiqë lenë në mjegull shërbimet e shëndetit mendor, gjë që vazhdon traditën patriarkale ku gratë janë kujdestaret e vetme në shtëpitë e tyre, ndersa mbesin totalisht të pambeshtetura për sfidat që kanë natyrë gjinore.

Andaj, një perspektivë feministe e sheh si mundësi që përmes këtij ligji të çmontoj strukturat patriarkale duke theksuar rëndësinë e shërbimeve të shëndetit mendor të qasshme, të ndjeshme dhe gjinore, që fuqizon gratë dhe i sfidon normat shoqërore dhe promovon mirëqenie gjithëpërfshirëse. Për ta cituar përfundimisht Silvia Federicin “asnjë ndryshim pozitiv nuk mund të ndodhë në jetën e grave nëse nuk ndodh një transformim i thellë në politikat sociale dhe ekonomike” E në këtë transformim të thellë në politika sociale, hyn transformimi i domosdoshëm i një sistemi të shërbimeve të shëndetit mendor në Kosovë.

About the author

Fjolla Muçaj

Fjolla Muçaj

Fjolla Muçaj është aktiviste feministe. Ajo ka përfunduar studimet baçelor për Punë Sociale pranë Universitetit të Prishtinës. Aktualisht punon në Organizatën "Qendra për Informim dhe Përmirësim Social".

Add Comment

Click here to post a comment