Shtjellime

“Punë, punë, natë e ditë”: Rolet e shumëfishta të grave

Puna e palodhshme dhe ‘vetëflijimi’ i grave

Të qenurit grua në shoqëri kërkon shumë angazhim. Ky angazhim fillon që në fëmijëri, kur detyrat janë të qarta për vajzat, që t’u ndihmojnë nënave e të bëhën të “hajrit” për të ardhmen në shtëpinë e tyre (atë tek burri). Rrjedhimisht, për vajzat është turp të mos dijnë të gatuajnë, të bëjnë punët e shtëpisë, kjo sepse vajzat kanë obligime që duhet t’i përmbushin domosdoshmërisht. Përndryshe, faji ngel tek nëna, te një grua tjetër, që nuk e ka mësuar me kohë. Përvec angazhimit, të qenurit grua në shoqëri e posacerisht në familje kërkon shumë durim. Kjo sepse deshirat, nevojat dhe kërkesat e të gjithëve vijnë përpara atyre të një vajze. Këtë e shtjellon tutje ekspertja për studime gjinore, Diana Morina.

“Që në moshë të re, si gra, socializohemi që të kujdesemi për të tjerët para se të kujdesemi për veten, ta përbrendësojmë rolin dhe kuptimin e gruas në terma patriarkal, ta imagjinojmë veten si gra të dikujt, nëna dhe përgjegjëse për të tjerët,” thotë Morina për Grazetën. “Ky proces i socializimit dhe ky organizim i punës dhe jetës brenda familjes mirëmbahet dhe riprodhohet nga sistemi patriarkal e kapitalist, i cili është i ndërtuar në mënyrë të atillë që të na sforcojë brenda këtyre kornizave përmes shtypjes ekonomike, shoqërore dhe politike dhe cënueshmërisë të përgjithshme që si gra e përjetojmë në shoqëri” përfundon ajo.

Sa i përket punëve të shtëpisë, Morina përmend studiuesen dhe aktivisten e njohur, Silvia Federici.

“Silvia Federici thotë se kur flasim për punët e shtëpisë, flasim për një ndër forcat më shtypëse dhe manipuluese, për dhunën më të përhapur që kapitalizmi ka ushtruar ndaj një grupi të klasës punëtore.”

Në anën tjetër, djemtë në familje shpesh i gëzojnë privilegjet e një edukimi më ndryshe, duke mos e pasur nevojën që të mësojnë si të gatuajnë, ngase ata cdo herë do të kenë dikë që do të gatuaj për ta. Në kohën kur janë fëmijë – nëna. E kur të martohen – gruaja. Pra, që në moshë të re, ka pritshmëri të ndryshme gjinore që padyshim ndikojnë në jetën si adoleshentë e më pas si të rritur.

Kur gratë fillojnë jetën bashkëshortore, një nga rolet më të rëndësishme dhe sfiduese është kujdesi për fëmijët. Nga momenti i lindjes, ato marrin përsipër përgjegjësinë kryesore për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve të tyre. Gratë shpesh sakrifikojnë karrieren dhe ambiciet e tyre profesionale për t’u siguruar që fëmijët e tyre të kenë një edukim të mirë dhe një mjedis të shëndetshëm për zhvillim. E gjithë kjo sakrificë nuk është vetëm fizike, por edhe emocionale. Ato janë gjithmonë aty për të ofruar dashuri dhe mbështetje, për të ndihmuar me detyrat e shtëpisë, e për të udhëzuar në çdo hap fëmijët e tyre. Këto përpjekje kërkojnë një energji dhe përkushtim të pashoq. Ky rol është thelbësor për zhvillimin e fëmijëve, mirëpo nuk përfundojnë detyrat e grave vetëm tek kujdesi ndaj fëmijeve.

Përveç kujdesit për fëmijët, gratë janë shpesh shtylla kryesore mbështetëse për partnerët e tyre. Ato sigurojnë mbështetje emocionale dhe praktike, duke krijuar një mjedis të qëndrueshëm dhe të këndshëm në shtëpi për partnerët e tyre. Kjo përfshin çdo gjë, duke filluar nga gatimi dhe pastrimi, deri te menaxhimi i financave dhe organizimi i aktiviteteve të përditshme. Pra, thënë më qartë, gratë e mbajnë mbi shpatulla mbarëvajtjen e jetës familjare.

Një aspekt shtesë është edhe kujdesi për prindërit e moshuar të partnerit dhe për anëtarët e tjerë të familjes. Kjo përgjegjësi është shpesh e nënvlerësuar dhe mund të jetë një burim stresi i madh. Gratë e marrin këtë barrë me durim dhe përkushtim, duke siguruar që të gjithë anëtarët e familjes të jenë të lumtur. Mirëpo, zakonisht nuk është ceshtje diskutimi se si ndikon e gjithë kjo barrë tek gratë në aspektin psiqik.

“Të gjitha këto ngarkesa ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në shëndetin mendor. Manifestimi i parë janë nivelet më të larta të stresit, vështirësi somatike, dhe/ose rutina të crregullta nga ato të zakonshme në mesin e të tjerave. Qartazi, të gjitha këto manifestohen edhe në aspektin social (më pak kohë për aktivitete sociale), emocional (prag me i ulët i tolerances dhe ngarkesë më e lartë), dhe kognitiv (vështirësi në koncentrim), thotë psikologja Natyra Agani.

Pra, pritshmëritë e shoqërisë ndaj grave janë jashtëzakonisht të larta. Gratë pritet të jenë “superheroina”, të cilat mund të përmbushin çdo rol me sukses dhe efikasitet. Ato duhet të jenë nëna të përkushtuara, partnere mbështetëse, dhe profesioniste të suksesshme.

“Gratë janë pjesë e dinamikave të shumta brenda dhe jashtë familjes, janë subjekte të një logjike neoliberale që i sheh ato si konsumatore dhe iu servon cdo ditë standarde të reja të bukurisë, standarde të mirëmbajtjes së shtëpisë dhe familjes, rritjes së fëmijëve, e shumë standarde e “ideale” të tjera që përditësohen në përputhshmëri me kërkesat e tregut cdo ditë e rrjedhimisht janë të paarritshme. Krejt këto presione, pritshmëri e obligime së bashku, mund të kenë efekte të ndryshme në mirëqenien mendore tek secila grua”, shton ekspertja Morina.

Mungesa e kohës për vetëkujdes dhe aktivitete të kënaqshme përkeqëson mirëqenien e grave, në aspektin mendor dhe fizik. Kjo gjendje e vazhdueshme e stresit mund të ketë pasoja, jo vetëm për gratë, por edhe për familjet e tyre. Sipas një studimi të vitit 2015, pjesëmarrja gjithnjë e më aktive e grave në jetën profesionale ka sjell probleme të shkaktuara nga nevoja e grave për të kombinuar jetën e punës dhe atë familjare, sepse gratë përpiqen t’i kryejnë rolin e nënës, gruas dhe punonjëses me sukses të barabartë.

Studimi tutje vë në pah gruan si “përgjegjëse” në shumë aspekte. Në një ambient familjar, gratë shpesh pritet të kujdesen jo vetëm për bashkëshortët, por edhe për prindërit e tyre. Në këtë mënyrë, gratë duket se janë të ngërthyera midis dy kërkesave/përgjegjësive të ndryshme – përpara familjeve dhe fëmijëve të tyre, si dhe për gjeneratën e vjetër. Ky aspekt është quajtur efekti i gjeneratës së sanduiçit, në të cilin gratë e moshës së mesme duhet të kalojnë shumë kohë si “gruaja në mes”. Gratë e një familjeje SG kanë një nivel shumë të lartë stresi.

Historikisht, gjithnjë është menduar fare ose pak për mirëqenien e grave, pasi që ato kanë bërë një punë të mrekullueshme për ta fshehur gjendjen e tyre – ndjenjat e tyre. Kjo ka ndodhur sepse të tjerët kanë pasur gjithmonë përparësi para tyre.

“Rolet e shumëfishta që gratë bartin i bën ato që në mënyrë të pavetëdijshme të mos prioritizojnë nevojat e tyre, dhe rrjedhimisht të përfshihen në disa veprime të cilat janë vetëmohuese. Kjo në kombinim me pritshmëritë sociale dhe normal kulturore i përforcon me tutje këtë praktikë vetëmohuese tek gratë”, potencon Agani.

Gratë që vendosin të ndjekin një karrierë përballen me sfida të shumta. Ato duhet të balancojnë përgjegjësitë e punës dhe familjes, duke siguruar që të gjitha të përmbushen me sukses. Kjo shpesh kërkon një sakrificë të madhe të kohës dhe energjisë personale.

Një hap i rëndësishëm në shoqërinë tonë është rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e shëndetit mendor. Më e pakta, gratë duhet të kenë qasje në shërbime të shëndetit mendor dhe mbështetje. Për më tepër, duhet të promovohet një kulturë e vetëkujdesit dhe mirëqenies, ku gratë ndihen të mbështetura dhe të inkurajuara për të kujdesur për veten e tyre.

“Diskutimi i shëndetit mendor nuk duhet të jetë tabu dhe nevoja për rritjen e ndërgjegjësimit mbi shëndetin mendor është urgjente. Shërbimet kualitative të shëndetit mendor duhet të jenë lehtë të qasshme për të gjitha gratë, pavarësisht vendbanimit të tyre, nivelit të shkollimit apo statusit socio-ekonomik, ndër të tjera”, bën thirrje Morina.

Përfundimisht, është thelbësore që të njihet dhe të vlerësohet puna e palodhshme dhe ‘vetëflijimi’ i grave në shoqërinë tonë. Ndërkohë që ato përballen me pritshmëri të larta dhe sfida të shumta, është po aq e rëndësishme që të krijohet një mjedis mbështetës dhe i barabartë që i lejon ato të zhvillohen plotësisht si individë.

About the author

Eriona Hoti

Eriona Hoti

Eriona Hoti ka përfunduar studimet bachelor në Departamentin e Gazetarisë, pranë Universitetit të Prishtinës dhe ka punuar nëpër disa media në Kosovë dhe Zvicër për më shumë se shtatë vite. Tashmë ajo po vijon studimet e masterit në “Komunikim Strategjik dhe Avokim” si bursiste në James Madison University në ShBA, ku edhe punon si asistente e lendës së komunikimit. Ajo në fokus të punës së saj ka avokimin për grupet e margjinalizuara dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.

Add Comment

Click here to post a comment