Stresi post-traumatik (PTSD) është një çrregullim serioz psikologjik që ndodh si përgjigje ndaj një traume ekstreme, si dhuna, përndjekja apo humbja. Nuk është thjesht një kujtim i keq apo një periudhë e vështirë, por një gjendje ku truri dhe trupi mbeten të bllokuar në momentin e traumës, edhe pasi ajo ka kaluar. Njerëzit me PTSD përjetojnë rikthime të pavullnetshme të traumës (flashbacks), makthe, ndjenjë të vazhdueshme frike dhe ankthi, si dhe një shkëputje emocionale nga realiteti. Sipas National Institutes of Health, prevalenca e PTSD-së gjatë jetës në popullatën amerikane është 10–12% te gratë dhe 5–6% te burrat. Kjo tregon se gratë preken gati dy herë më shumë, shpesh për shkak të ekspozimit më të madh ndaj dhunës gjinore dhe traumës së përsëritur. Në Kosovë, si për shumëçka tjetër, mungojnë statistikat e mirëfillta, duke bërë që përmasat e vërteta të PTSD-së të mbeten të padukshme.
Në shoqëritë patriarkale, PTSD nuk është vetëm sfidë psikologjike – është pasojë sistemike e një bote që nuk i mbron gratë nga dhuna dhe i lë të përballen të vetme me pasojat e saj. Megjithatë, PTSD nuk është gjendje e pashpresë. Me trajtimin e duhur, gratë mund të rikuperohen dhe të rifitojnë kontrollin mbi jetën e tyre.
Shkaqet e zakonshme të PTSD-së te gratë:
- Dhuna dhe Abuzimi
Dhuna në familje është një nga faktorët më të fuqishëm që çon në PTSD. Gratë që përjetojnë dhunë fizike në një marrëdhënie shpesh ndihen të pafuqishme dhe të kërcënuara për jetën e tyre, duke u ballafaquar me kujtime të përsëritura të dhunës. Abuzimi emocional dhe psikologjik mund të jetë po aq shkatërrues. Gaslighting, poshtërimi dhe kontrolli ekstrem ndikojnë thellësisht në vetëvlerësimin e grave dhe rrisin rrezikun e zhvillimit të PTSD. - Dhuna Seksuale dhe Trauma Gjinore
Gratë janë në rrezik shumë më të lartë për të përjetuar dhunë seksuale, një nga shkaqet kryesore të PTSD. Pas një ngjarjeje të tillë, shumë gra ndihen të frikësuara për sigurinë e tyre dhe të izolohen shoqërisht për të shmangur situatat që mund t’ua rikujtojnë traumën. Në shoqëritë patriarkale, dhuna seksuale shpesh shoqërohet me stigmë dhe fajësim të viktimës, duke e bërë rikuperimin edhe më të vështirë. - Përjetimi i Ngjarjeve të Dhunshme dhe Humbjeve
Gratë në konflikte të armatosura ose të ekspozuara ndaj përndjekjes politike, dhunës shtetërore dhe mungesës së drejtësisë kanë rrezik më të lartë për të zhvilluar PTSD. Përvoja e humbjes, veçanërisht e fëmijëve ose partnerëve, mund të jetë një shkaktar i fortë i traumës afatgjatë.
Pse PTSD te gratë është më i përhapur?
- Shumë gra përjetojnë trauma të përsëritura gjatë jetës së tyre, që nga dhuna në fëmijëri deri tek abuzimi në marrëdhënie të mëvonshme.
- Ndikimi i normave shoqërore – Gratë shpesh inkurajohen të shtypin emocionet ose të durojnë dhunën pa kërkuar ndihmë.
- Mungesa e mbështetjes institucionale – Në shumë vende, përfshirë Kosovën, qasja në terapi dhe mbështetje psiko-sociale është e kufizuar ose e paarritshme për gratë që kanë përjetuar trauma të mëdha.
Trajtimi i PTSD te Gratë
Trajtimi i PTSD te gratë kërkon një qasje të plotë, gjithëpërfshirëse, që merr parasysh nevojat emocionale, psikologjike dhe shoqërore të grave.Terapitë si Terapia Kognitive-Biheviorale (CBT), terapia e ekspozimit dhe Terapia Dialektike e Sjelljes (DBT) mund të ndihmojnë gratë të përballen me pasojat e traumave dhe të zhvillojnë mënyra për të menaxhuar simptomat. Trajtimi i mbështetur nga grupet, apo lidhja me gra të tjera që kanë kaluar përvoja të ngjashme mund të jetë e fuqishme për procesin e shërimit. Mbështetja sociale dhe terapia e artit janë gjithashtu efikase për rikuperim. Përdorimi i medikamenteve mund të jetë i nevojshëm për simptomat më të rënda, por gjithmonë duhet të shoqërohet me një plan gjithëpërfshirës trajtimi terapeutik.
Megjithatë, problemi më i madh nuk është mungesa e trajtimeve, por mungesa e qasjes në trajtim. Në Kosovë, gratë që kërkojnë ndihmë për PTSD përballen me stigmatizim, mungesë specialistësh dhe një sistem shëndetësor që nuk e merr seriozisht traumën gjinore. Nëse nuk trajtohet, PTSD mund të ndikojë në të gjitha aspektet e jetës së një gruaje – marrëdhëniet, aftësinë për të punuar dhe cilësinë e përgjithshme të jetës. Për këtë arsye, diskutimi mbi PTSD nuk duhet të mbetet thjesht mjekësor, por duhet të përfshijë edhe aspekte politike dhe strukturore që e mbajnë traumën e grave të padukshme dhe të patrajtuar.
Si t’i qasemi këtij hendeku?
- Duke e politizuar bisedën mbi PTSD – sepse nuk është vetëm çështje mjekësore, por çështje feministe.
- Duke kërkuar qasje më të madhe në terapi dhe shërbime mbështetëse për gratë që kanë përjetuar trauma.
- Duke ndryshuar mënyrën se si flasim për dhunën dhe pasojat e saj – fajësimi i viktimës duhet të ndalet.
- Duke krijuar hapësira të sigurta për gratë që të ndajnë përvojat e tyre pa frikë nga paragjykimi.
PTSD te gratë nuk është një problem individual – është pasojë e një shoqërie që nuk mbron gratë nga dhuna dhe nuk u ofron mbështetje atyre që kanë mbijetuar. Për të trajtuar PTSD, duhet të trajtojmë rrënjët e dhunës dhe të sfidojmë sistemet që i lënë gratë të vuajnë në heshtje.
Add Comment