Ky artikull u realizua në kuadër të programit të mikro-granteve të Grazetës, që mbështet studentët në krijimin e hulumtimeve të bazuara në fakte për çështje shoqërore në Kosovë. Hulumtimet janë bërë në bashkpunim me Departamentin e Psikologjisë, pranë Universitetit të Prishtinës, me mbikëqyrje nga Prof. As. Dr. Kaltrina Kelmendi.
“Shkencëtaret janë tepër të bukura për shkencë”. Tingëllon si një shaka e pafajshme, ndonjëherë madje edhe si kompliment por për studentet që studiojnë degë STEM, ky është një grusht i dyfishtë. Në njërën anë qëndron si paralajmërim se po thyejnë pritshmëritë që ekzistojnë për giininë e tyre dhe në anën tjetër ekziston si një thirrje që prezenca e tyre nuk pranohet lehtë në atë ambient. Për më tepër, pas kësaj fshihet edhe një mesazh i rrezikshëm: “bukuria” e tyre [lexo. “gjinia”] shihet si pengesë e jo si forcë. Ato duhet të provojnë çdo ditë që janë të afta, ndërkohë që secili sukses iu vlerësohet me një sy të dyshimtë, e idetë e shprehura shpesh duhet të përsëriten nga një burrë thjeshtë për t’u marrë seriozisht. Për fat të keq, paragiykimet nuk ndalen vetëm në degët STEM. Në psikologji, studentet dëgjojnë se profesioni i tyre nuk është për një nënë, si të ishte e pamundur të kombinonin familjen me një karrierë në psikologji klinike.
Këto stereotipe nuk lindin në universitet. Ato fillojnë shumë më herët, që brenda klasës e deri tek librat dhe aktivitetet e tjera të përditshme të vajzave si fëmijë. Studimet tregojnë se prindërit inkurajojnë më shumë djemtë e tyre te ndjekin universitetin, ndërsa vajzat nuk inkurajohen njësoj të ndjekin universitetin e specifikisht fushat STEM. Vajzat mësojnë se disa fusha janë “punë djemsh” e të tjerat “punë vajzash”. Kur janë vetëm 7-8 vjeçare, fillojnë të dyshojnë tek aftësitë e veta për matematikën duke menduar gjëra si “A jam unë mjaftueshëm e mirë për të qenë shkencëtare?”.
Ky dyshim i vogël qëndron aty dhe rritet me çdo koment, çdo shembull dhe çdo libër që nuk i përmend ato në mënyrë të barabartë me djemtë. Sa e padrejtë eshtë që fëmijët mësojnë të ndihen të papërshtatshëm për diçka që mund ta duan me gjithë zemër. Krejtë kjo si pasojë nga dyshimet që krijojnë për veten nga krahasimi me pritjet e prindërve të tyre për ta. Shumëçka mund të mësohet që në atë moshë e të qëndroj me njeriun tërë jetën, duke i formësuar edhe vendimet, por për fat të mirë është diçka relativisht e kthyeshme.
Këtë pikë e morëm si nisje për hulumtimin tonë. Ne deshëm të kuptonim më thellë se si këto pritshmëri dhe paragjykime shfaqen më vonë në universitet, në degët ku shumica janë burra dhe në ato ku shumica janë gra. Ky artikull është pjesë e programit të mikro-granteve të Grazetës, që mbështet studentët dhe të rinjtë në zhvillimin e artikujve të bazuar në hulumtim mbi çështje shoqërore. Si fillim për një ndryshim pozitiv mund të jetë vetëdijësimi rreth eksperiencave të studenteve në Kosovë në degë STEM dhe në degë sociale.
Degë STEM apo shkenca sociale: dy rrugë të ndara, por prap një destinacion – gjetjet kryesore
- Përkrahja kundrejt hezitimeve ndaj zgjedhjes së degës studimore
Ekzistonte një balancë mes përkrahjes së familjes dhe hezitimeve të rrethit shoqëror në zgjedhjen e studimeve. Shumica e vajzave treguan se prindërit i kishin mbështetur, megjithëse nuk munguan rezervat. “Për mu personalisht, m’kanë mbështetë, u konë profesion që kanë dëgju edhe prej tjerëve që ka pasë perspektivë në Kosovë. Edhe unë edhe familja jemi konë pak hezituese në atë pjesën e matematikës (…) po kom fillu me kurse përgaditëse para fakultetit edhe përpos asaj vec më kanë mbështetë (…)” shprehet A.M., studente në shkenca kompjuterike.
- Ndërveprimi me rrethin në ambiente akademike: Si shihesh nga të tjerët
Në diskutime u pa se si vajzat shpesh ndihen të anashkaluara në mjediset akademike. Një studente e shkencave kompjuterike tregon se pyetjet teknike u drejtoheshin vetëm djemve, ndërsa një tjetër përmendi rivalitetin mes vajzave si pasojë e stereotipeve. Profesoreshat e pakta shiheshin si modele pozitive. Ndërkohë, studentet e psikologjisë thanë se sfidat e tyre lidhen më shumë me stigmatizimin e profesionit, E. M., studente e psikologjisë thotë “…në përgjithësi më kanë pëlqy shumë reagimet e njerëzve edhe gjithmonë kanë thonë se osht’ taman shumë profesion i mirë për femna e kshtu reagime të tilla.” duke shprehur si psikologjia konsiderohet si degë për “femra”. Kjo tregon si, në fushat e burrave u duhet të provojnë besueshmëri, ndërsa në ato të grave përballen me nënvlerësim.
- Fakulteti si faktor vetëidentifikues
Për shumë vajza, fakulteti është më shumë se shkollim – është pjesë e identitetit. Konstatimi i V.B., studente në fushë STEM: “(…) në fillim jom mundu me u bo ma ‘techy’ ma ‘nerdy’ me i nd’rru preferencat e mia me u bo asi që i ndjek zhvillimet e teknologjisë, me ndrru personalitetin që me ia mushë njerëzve synin që edhe unë muj’ me kry qet drejtim, po e kom kuptu që nuk jom tu e bo veten të lumtur me qat sen. (…)” tregon shumë qartë pritshmërinë që ekziston për vajza në degë STEM, e kjo duke ndikuar direkt në vetëidentitet e gjë kjo që mund të ketë dhe pasoja.
- Sfidat dhe shqetësimet gjatë studimeve
Gjatë studimeve, vajzat përballeshin me sfida që nganjëherë kishin të bëjnë me gjininë. Studentet e shkencave kompjuterike ndjenin presion të vazhdueshëm për të provuar veten, pasi sukseset e tyre shpesh viheshin në dyshim – “ndoshta i morën notat se janë vajza” siç tha studentja V.I.. Kjo i shtynte të përgatiteshin më tepër dhe të shmangnin çdo gabim. Ndërsa tek psikologjia, komentet shpesh lidhen me jetën private ku studentja B.M. tregoi të ketë dëgjuar që dega klinike është “shumë e vështirë” nëse në të ardhmen do të bëhen nëna.
- Kthimi i paragjykimeve në burim force për të tejkaluar sfidat
Studentet treguan se paragjykimet shpesh i kthenin në motivim. Në shkencat kompjuterike, disa vajza iu kundërpërgjigjën drejtpërdrejt komenteve me “hajde provo edhe ti”. Të tjera e përdornin krenarinë për fushën si shtysë. Në anën tjetër, te psikologjia, strategjia kryesore ishte mbështetja reciproke dhe puna në grup. Kur dikush vinte në dyshim të ardhmen e tyre si profesioniste e dhe si nëna, ato kundërshtonin duke u mbështetur në shembuj pozitivë dhe bindjen se “kur do, ia del”. Në të dy fushat, paragjykimet u shndërruan në burim force – qoftë përmes përballjes direkte, qoftë përmes solidaritetit. Ky ndryshim në mënyrat e përballimit është një gjetje interesante që vë në pah diferencën dhe vlen të studiohet më tej.
Përderisa ky hulumtim vë në qendër perspektivën dhe eksperiencat e grave, intervistat shfaqin dinamika të cilat ndikojnë në të tërë shoqërinë. Për sa kohë që zgjedhjet e vajzave nënvlerësohen, apo bëhen nga burrat, progresi shoqëror në Kosovë mbetet i pamundur.
Nënvlerësimi i aftësive të vajzave për fushat STEM ua humb mundësinë shumë vajzave të ndjekin ëndërrat e tyre dhe të realizojnë potencialin e tyre të plotë. Në të njejëtën kohë, nëse shkencat STEM në Kosovë janë të populluara vetëm nga një grup i caktuar ku në këtë rast janë burrat, atëherë shpresa për zhvillimin e mëtutjeshëm të këtyre shkencave në Kosovë shuhet, sepse idetë kreative që vijnë nga një mjedis më divers nuk do të ekzistonin.
Paralelisht, nëse shkencat sociale si psikologjia vazhdojnë të nënvlerësohen se janë “profesione të grave”, politikat mbi shëndetin mendor nuk do të zhvillohen, institucionet e shëndetit mendor nuk do të marrin mbështetje të mjaftueshme, pabarazitë mes grupeve të ndryshme do të rriten, dhe së fundi, progresi shoqëror do të ngec si i tërë.
Sfidat me të cilat përballen vajzat në botën akademike nuk janë raste të izoluara. Ato janë pasqyra të nënvlerësimit të vazhdueshëm të punës së tyre e ky nuk është një problem i ri i shekullit XXI. Në të kundërtën, ky problem është ndërtuar mbi supet e grave që janë heshtur e lënë në hije.
Për ta ndryshuar këtë realitet, nevojiten ndërhyrje në nivele të ndryshme, duke filluar nga familja dhe duke vazhduar në sistemin arsimor si dhe tregun e punës. Në familje, është e nevojshme të flitet mbi stereotipet gjinore dhe mendimet tona të pavetëdijshme të lidhura me gjini, në mënyrë që ata të ofrojnë një mjedis sa më mbështetës mbi dëshirat dhe zgjedhjet e vajzave të tyre. Në aspektin institucional dhe edukativ deri tani ka pasur përpjekje të ndryshme për mbështetjen e edukimit të vajzave, të cilat kanë qenë relativisht të suksesshme.
Siç është parë nga hulumtimi është tejet e nevojshme që të krijohet një ekuilibër mes fushave të studimit dhe çdo zgjedhje arsimore të vlerësohet njëlloj që gjithëkush të lulëzojë lirshëm në ambiente akademike.



Add Comment