Shtjellime

“A i kanë qito ndjenja frike edhe djemtë?” – Gratë e reja dhe përditshmëria e dhunës gjinore

Ky artikull u realizua në kuadër të programit të mikro-granteve të Grazetës, që mbështet studentët në krijimin e hulumtimeve të bazuara në fakte për çështje shoqërore në Kosovë. Hulumtimet janë bërë në bashkpunim me Departamentin e Psikologjisë, pranë Universitetit të Prishtinës, me mbikëqyrje nga Prof. As. Dr. Kaltrina Kelmendi. 

E di qysh asht me pas abuzus ‘around’, kemi pasë rastin n’familje”. Fatkeqësisht është një fjali në të cilën mund të gjejnë veten shumë lehtë çdo një nga tre vajza në Kosovë. E këto nuk janë vetëm shifra, janë një shoqe, kolege, motër, ose vetë unë. Gjithmonë është dikush që e njohim, e që pas të qeshurës së tyre me mirësjellje, ose të bërtiturës së tyre me të sharë, qëndron një dorë e ngritur që ka marrë drejtim nga ato që prej se janë lindur. Po qëndroj në një linjë dhe nuk e di çfarë më bën mua të dalloj nga vajza pas meje në linjë e cila është viktimë e dhunës me bazë gjinore? A jam veshur ndryshe? Apo kam përcjellur udhëzimet e babait tim mbi kodin e sjelljes së duhur sipas tij? Çfarë është e duhura gjithsesi? Duket që ekziston një kod i padukshëm në shoqëri që të tregon si të sillesh duhur si vajzë. Nuk e shoh nëpër ligje, por e hasi në çdo hap në koka të përulura, duar të strukura, muskuj të tendosur, e në sëmundje autoimune.

Kur nuk e di se çfarë të ndan ty nga ai rasti i femicidit që pe në televizion, të kaplon një ndjenjë e pasigurisë nga ambienti që ke rreth. Fillon ta shohësh botën me një sy dyshimi, dhe me një lloj frustrimi që vjen si rrjedhojë e konfuzitetit mbi rrethanat që sollën deri në atë akt. Femicidi kurrë nuk ndërpritet tek viktima, përkundrazi aty fillon transmetimi i frikës tek vajzat tjera të cilat shohin raportimin e saj, dhe shohin dështimin e komunitetit në mbrojtjen e asaj vajze që shumë lehtë mund të ishin vetë ato. Por pikërisht aty qëndron një linjë e hollë mes frikës që shkaktohet, dhe kurajos për të ndarë përvojën tënde me dhunën para se të mbërrij tek akti i fundit që mund të kryhet ndaj teje. Kjo kurajo, në koekzistencë me një sistem mbështetës që të mbron shpinën mund të rezultojë në daljen hapur të ndarjes së përvojës me dhunën. Por mungesa e këtij sistemi është ajo që përfundimisht bën dallimin. Kjo mungesë është ajo shtylla që fuqizon sistemin patriarkal, e që e lejon dhunën të vazhdojë të jetë një temë tabu që nuk duhet të diskutohet brenda mureve të shtëpisë, e le më ti kalojë ato.

Gjetjet nga studimi im që eksploroi perceptimet e vajzave studente lidhur me dhunën me bazë gjinore përfshinin perceptimet personale të studenteve lidhur me dhunën me bazë gjinore, perceptimet e tyre sociale, nxitësit e kësaj dhune, ndjenjat e transmetuara tek komuniteti pas rasteve të raportuara, dhe masat parandaluese të dhunës me bazë gjinore. Më poshtë i gjeni pesë gjetjet kryesore.

1. Definimi i dhunës me bazë gjinore
Në përgjithësi gratë e reja e definuan dhunën me bazë gjinore si një akt abuzimi ndaj një personi për shkak të rolit gjinor, dhe që zakonisht shkaktohet prej burrave ndaj grave.
“kisha mujt me thanë si çdo akt që ja pamundëson ni personit me ba diçka, ose me thanë diçka, ose me funksionu tipikisht me ni shoqëri për shkak t’gjinisë tyne.” (P5, 20 vjeçe)

2. Perceptimet sociale rreth dhunës me bazë gjinore
Në këtë seksion u përmblodhën përfundime të grave të reja sa i përket perceptimeve dhe reagimeve të shoqërisë lidhur me dhunën me bazë gjinore. Rezultatet janë të qarta, kjo dhunë është tej-normalizuar në Kosovë, dhe si gjithnjë ekziston një shabllon stereotipizimi dhe paragjykimi ndaj viktimave të dhunës me bazë gjinore.

3. Nxitësit e dhunës me bazë gjinore
Një e gjetur tejet e rëndësishme thekson perceptimet e grave të reja se ku qëndron filli i dhunës me bazë gjinore, si dhe çfarë e lejon atë të vazhdojë të synoj çdo një nga tre vajza. Të gjeturat tregojnë se nxitësit shihen të jenë mënyra e socializimit gjatë rritjes, sistemi patriarkal, dhe (mos)-përmbushja e pritshmërive gjinore. Potencohet ndikimi i sistemit patriarkal i cili jo vetëm që e mundëson dhunën me bazë gjinore, por është mbështetësi më i madh i një mendësie që gratë janë më inferiore se burrat, dhe se duhet të trajtohen si më pak.

I think just men in general [thjeshtë burrat në përgjithësi] iu kena jap shumë fuqi prej fillimit t’kohërave. Se ‘men’ [burrat] e kanë kriju sistemin qashtu që me i shërby veq atynve, edhe krejt tjerë që s’janë kanë burra kanë pasë me ju shërby atynve. Edhe kushdo që ka dal prej sistemi ose është vra, ose ësht përdhunu, ose ësht abuzu fizikisht, n’çfarëdo lloj forme u kon i abuzum për shkak se nuk i ka shërby sistemit që ata e kanë kriju.” (P3, 21 vjeçe)

4. Ndjenjat e pasigurisë, dëshpërimit, dhe pashpresës si rrjedhojë e rasteve në komunitet
Pjesëmarrëset u shprehën se pas raportimit mediatik të rasteve të dhunës me bazë gjinore ndiheshin mosbesuese ndaj gjinisë së kundërt, se mund të ishin shumë lehtë në vendin e viktimës, si dhe të pashpresa lidhur me të ardhmen tyre në shoqëri dhe sistemeve shtetërore kompetente.

“Kom ndjenja tepër t’kqia, shumë negative, shumë dëshpruse. Diqysh nuk e di a i ngjall qisi ndjenja edhe ni djali, sikur ni vajze që jam une. Nuk e di qysh e interpreton ai qit situatë, qit aspekt ëë… po menoj që për neve çikave osht shumë ma zor se zakonisht viktimat jon çika, e tani veç na bon me kuptu njerzt sa t’pasigurta jemi n’shoqni, edhe sa t’pasigurta jemi tu u rrit diqysh.” (P6, 21 vjeçe)

5. Masat parandaluese të dhunës me bazë gjinore
Disa nga rekomandimet e grave të reja për sa i përket parandalimit të dhunës me bazë gjinore përfshinin rregullimin ligjor ose të paktën zbatueshmërinë e tij, edukimin e hershëm të fëmijëve duke marrë parasysh ndikimin e socializimit gjatë rritjes qoftë në shtëpi, qoftë në shkollë, si dhe rastet kur gratë të cilat raportojnë dhunën me bazë gjinore dalin dhe ndajnë hapur përvojën e tyre për tu bërë inkurajim për viktimat e tjera.

Duke parë numrin e rasteve të dhunës me bazë gjinore kohët e fundit në Kosovë, është tejet shqetësuese dhe shumë nxitëse e pasigurisë tek gratë e reja në këtë vend. Është me rëndësi që të kuptohet çfarë e mbështet dhe mundëson dhunën me bazë gjinore, në mënyrë që intervenimi t’iu ofroj vajzave një lloj mbështetje që i lë ato më të sigurta për fatin e tyre. Edhe pse duket si diçka goxha e vështirë, sensibilizimi i komunitetit fillon me personin i cili ka pak më shumë njohuri rreth dhunës me bazë gjinore. Pikërisht sikur teknika e topit të borës, mund t’i mësosh edhe dikujt si ta identifikoj më lehtë dhunën me bazë gjinore, se tek e fundja çdo vrasje fillon me një mos-pajtim të vogël. Duke qenë se sitemi patriarkal ka ushqyer mendësinë e shumë burrave të kërkojnë vetëm imazhin e një gruaje tradicionale e cila nuk duhet të dalë kurrsesi jashtë pritshmërive të tyre, atëherë burrat që ndjekin këtë sistem e shohin si të mirëqenë që të abuzojnë gruan deri sa të kthehet në një objekt që do ju shërbejë atyre. Pra pa u adresuar rrënjët sistemike që i ka shtrirë patriarkati në një shtet të tërë, duke filluar nga brenda shtëpive që në fëmijëri, e duke kaluar edhe në institucione, është e vështirë që të arrish parandalimin e dhunës me bazë gjinore. Për shkak se për të zgjidhur një problem, fillimisht duhet ta dish se e ke atë.

Prandaj ndryshimi fillon prej dikujt që e pranon që ekziston një problem dhe e adreson elefantin në dhomë. Qoftë prej një studenti që është edukuar mbi dinamikat gjinore dhe e dallon qartë dhunën me bazë gjinore, qoftë prej një gruaje që vetë ka përjetuar dhunë dhe i ofrohet mundësia të dal hapur me përvojën e saj. Por ajo që do të arrinte me të vërtetë të ngrinte zërin e viktimave të dhunës me bazë gjinore, do ishte një shtet që i mbështet. Një shtet ku organet kompetente nuk mbyllin sytë e veshët ndaj autorëve të dhunës, dhe që nuk u mbyllin gojën viktimave. Një shtet i cili do të dënonte dhunuesin dhe do të të linte të shihje se ke ku të drejtohesh, e ke ku ta lejosh veten të bëhesh e cenushme sa të ndash një përvojë të tillë. E gjithashtu një shtet që nuk e ngrit dorën drejtuar teje, dhe që nuk të thotë që në fëmijëri “leje se ai osht djalë”!

About the author

Arita Sverka

Arita Sverka

Arita Sverka është studente e vitit të tretë në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ka përvojë në aktivizëm përmes Kuvendit dhe Qendrës Rinore në qytetin e saj, ku ka marrë pjesë në iniciativa për të rinjtë dhe çështje shoqërore.
Gjatë studimeve është angazhuar në projekte që lidhen me psikologjinë, edukimin dhe avokimin, si dhe në trajnime për ndihmë të parë psikologjike me Institutin e Psikologjisë dhe shendetimendor.org.
Në bashkëpunim me Grazetën, Arita ka zhvilluar një studim mbi perceptimet e grave të reja për dhunën me bazë gjinore në Kosovë.

Add Comment

Click here to post a comment